E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat e identitetit, në pikëpyetje fati i zgjedhjeve parlamentare të 2009-s

Ministri i Brendshëm nuk garanton për prodhimin para zgjedhjeve. Kostoja e kartave dhe pasaportave pritet të shkaktojë të tjera vonesa

Habjon Hasani
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 rrezikojnë të zhvillohen sërish në mungesë të kartave të identitetit. Nisur nga fjala e ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, dje në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, bëhet e qartë se nuk ekziston asnjë garanci matematikore që të ndodhë ndryshe. Nishani është shprehur se në janar të vitit 2009 do të fillojë prodhimi i këtyre kartave, ndërsa “të gjithë shtetasit mbi gjashtëmbëdhjetë vjeç do të jenë pajisur me këto karta deri në fund të vitit 2009”. Por, si rregull, aty rreth mesit të vitit të ardhshëm duhet të mbahen zgjedhjet e përgjithshme dhe pajisja e pjesshme e popullsisë me këto karta do të nxirrte automatikisht jashtë loje kontributin e tyre në këto zgjedhje. Por përtej afateve të procedurës së prodhimit një tjetër problem lidhet me kostot e tyre. Sipas ministrit Nishani, kostoja e një karte do të jetë 1100 lekë, ndërsa ajo e një pasaporte biometrike do të jetë 5 mijë lekë. Por procesi i pajisjes me këto dokumente kërkon një angazhim konstant të të gjithë individëve që duan të pajisen me to, ndërsa eksperienca e vitit 2001 ka treguar se për shkak të kostos shumë shtetas kanë shtyrë pa afat blerjen e këtyre dokumenteve.
Nishani
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, deklaroi të martën në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, se brenda muajit qershor do të përfundojë sistemi i ri elektronik i shtetasve. Gjatë një raportimi para anëtarëve të këtij komisioni, ku ishin të pranishëm përfaqësues të misioneve ndërkombëtare në Tiranë dhe të OJF-ve, ministri Nishani informoi mbi ecurinë e dy projekteve të rëndësishme të qeverisë, ai i krijimit të një regjistri të saktë të gjendjes civile dhe projekti i pajisjes së qytetarëve me dokumente identifikimi të sigurisë së lartë, përkatësisht letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike. "Besoj plotësisht se sistemi i ri elektronik, përbën sigurinë më të lartë për lista zgjedhore të sakta e korrekte, duke korrigjuar dhe fshirë përsëritjet", - tha ministri. Ai sqaroi se deri tani ka përfunduar hedhja e gjeneraliteteve për 3.2 milionë shtetas shqiptarë. Por ndërsa ministri ka premtuar përfundimin e regjistrave elektronikë në fund të këtij muaji, pas kësaj faze (dhe bazuar mbi regjistrat) do të nisë grupimi dhe prodhimi i kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Kalimi në fazën e prodhimit kërkon një kohë të vetën dhe një infrastrukturë të caktuar, e cila do të duhet të krijojë dhe nënstrukturat e saj në çdo rreth të Shqipërisë. Zakonisht ky proces merr mbi tetë apo nëntë muaj kohë, pastaj fillon dhe faza e shpërndarjes.
Dritëhijet
Ndonëse ministri e ka përsëritur shpeshherë dje shprehjen “kam besim”, qëndrimi i tij në lidhje me kartat e identitetit ka pasur gjithnjë probleme koherence. Mjaft të përmendësh faktin se më 6 qershor të vitit të kaluar ministri Nishani doli para mediave dhe deklaroi me plot bindjen se jo vetëm prodhimi i kartave të identitetit, por edhe shpërndarja e plotë e tyre do të ishte ezauruar në shtator të këtij viti. “Shqiptarët do të kenë regjistrin elektronik të shtetasve, karta identiteti dhe pasaporta biometrike brenda shtatorit të vitit 2008”, - ka deklaruar fiks një vit më parë ministri. Por pas këtij premtimi, një vit më vonë ministri i Brendshëm deklaron se procesi do të përfundojë deri në fund të vitit 2009, ndërsa nga mesi i këtij viti shqiptarët do të përfshihen sërish nga zgjedhjet e përgjithshme.

Kartat e identitetit, një histori dështimesh

Problemet dhe peripecitë me kartat e identitetit shtrihen në një hark kohor gati 10-vjeçar. Disa vjet më parë, në vitin 2000, u prodhuan në Kanada karta identiteti për 20% të shqiptarëve. Të gjitha dolën skarco, edhe pse u harxhuan 6 milionë USD. Megjithëse kishin 12 elemente sigurie, ato mbetën nëpër kosha, për shkak se regjistrimi i popullsisë u bë me gabime shumë të mëdha. Këto karta sot ndodhen në bodrumet e ish-Pallatit të Kongreseve. Katër vite me vonë, në fillim të korrikut 2004, në ekranet televizive u shfaq ish-ministri i Pushtetit Vendor, Ben Blushi. Ai tha se qeveria socialiste do të prodhonte me 6,5 milionë euro kartën e identitetit. Ato do të zëvendësonin edhe letërnjoftimet e vjetra dhe do të përdoren për votime nga qytetarët. Për këtë qëllim do të organizohej një tender ndërkombëtar. Kjo ishte hera e dytë që bëhej përpjekja për prodhimin e kartave të identitetit. Ministria e Pushtetit Vendor organizoi tenderin në pranverën e vitit 2002. Fitues doli Qendra e Evidencës Kontabile. Kjo qendër nuk kishte përvojë. Nuk kishte më shumë se 3-4 kompjuterë. Nuk kishte në punë më shumë se 10-15 punonjës. Pasi fitoi tenderin me 6 milionë USD, Qendra e Evidencës bleu rreth 150 kompjuterë, por edhe kjo rezultoi një sipërmarrje e dështuar.

Përdorimi dhe funksionet e kartës së identitetit

• Votimi në zgjedhjet kombëtare dhe lokale
• Regjistrim pasurie
• Regjistrim në institucionet e edukimit (mosha 16 vjeç)
• Pjesëmarrje në sistemin taksor
• Përfitimet sociale
• Identifikimi përpara autoriteteve të zbatimit të ligjit
• Aplikimi për kredi ose bashkëveprime të tjera me organizata të shërbimeve
financiare

Çfarë është Smart Card-i?

Karta e identitetit është Smart Card dhe ka një çip mbështjellës. Çipi i kartës do të ruajë të gjithë informacionin e njëjtë që ekspozohet në sipërfaqen e kartës, informacionin shtesë në lidhje me identitetin e mbajtësit të kartës, si dhe informacionin e përdorur për sigurimin e kartës. Këtu përfshihet informacioni biometrik dhe kriptografik (që siguron fshehtësinë e të dhënat në Çip). Çip-i i kartës do të ketë një memorie prej 64 Kb, që do të sigurojë hapësirë për të futur të dhëna dhe aplikime shtesë përtej të dhënave të planifikuara (përveç kapacitetit ruajtës, mundësia për të shtuar aplikime i dedikohet sistemit të zgjedhur JAVA). Karta do të ketë ndërfaqe me kontakt dhe pa kontakt. Ndërfaqja me kontakt është e njëjtë me atë të përdorur në kartat e kreditit “çip dhe pin”. Ndërfaqja pa kontakt e lejon çip-in të lexohet nga një distancë e vogël, pa u futur në një lexues. Ndërfaqja pa kontakt përdoret në pasaportat elektronike për të siguruar që dokumentet të lexohen shpejt gjatë procesit të kontrollit të dokumentit në kufi. Përdorimi i të dyja ndërfaqeve do të sigurojë një bashkëkooperim dhe fleksibilitet të kartës së identitetit.

11 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›