Liberalizimi i vizave, aplikantët shqiptarë në mbikëqyrje
Një raport special do të detajojë natyrën dhe problemet e të gjitha rasteve të refuzimit të vizave të shqiptarëve në ambasada dhe konsullata. Për këtë fillimisht do të realizohet kryerja e një sondazhi në konsullatat e shteteve të Shengenit në Tiranë. Kjo do të realizohet përmes një grupi intervistuesish dhe plotësimit të një formulari të detajuar standard nga aplikantët shqiptarë në Konsullatat e Gjermanisë, Italisë, Greqisë, Francës dhe Austrisë. Zgjedhja e konsullatave është bërë bazuar mbi faktin se këto konsullata paraqiten me shkallën më të lartë të refuzimit të vizave (Greqia 37%, Gjermania 24%, Franca 22%, Austria 22%, Italia 11%). Për të analizuar të dhënat që dalin nga linja e komunikimit dhe sondazhit do të publikohet në kryeqytetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në Bruksel një raport final, i cili do t'u paraqitet vendimmarrësve. Ky projekt është iniciuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri, e drejtuar nga Ditmir Bushati, në bashkëpunim me organizata të tjera jo-qeveritare nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe European Citizen Action Service me qendër në Bruksel, në kuadër të monitorimit të Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave mes Shqipërisë dhe vendeve të Shengenit. Që prej ditës së djeshme do të jetë gjithashtu funksionale edhe një linjë komunikimi ku aplikantët e vizave “Shengen” mund të konsultohen. Linja telefonike (04-2253184) dhe adresa e e-mail-it (info@em-al.org) do t’u shërbejë jo vetëm individëve, studentëve apo akademikëve, por edhe organizatave të tilla si agjenci udhëtimi, klube sportive, shoqata artistike apo komunitetit të biznesit. Kategoritë që nuk përfitojnë nga Marrëveshja e Lehtësimit të Vizave janë të lutur gjithashtu që ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Linja e komunikimit ka për synim të mbledhë fakte dhe t'i përdorë ato në funksion të nxitjes së mëtejshme të procesit të liberalizimit të vizave. Rezultatet nga linja e komunikimit do të jenë kryesisht në trajtën e "historive të jetuara", që të tërheqin vëmendjen e vendim marrësve në nivel kombëtar dhe europian. Projekti "Është vërtet e rëndësishme? Lehtësimi i Vizave në Ballkanin Perëndimor" lançohet në një periudhë kur zhvillimet në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave rrethohen nga një klimë paqartësie. Qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që prej datës 1 Janar 2008, duhet ta kenë më të lehtë udhëtimin për në hapësirën “Shengen”, si pasojë e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave. Megjithëse ekziston një panoramë optimiste, kryesisht qeveritare, sipas së cilës Marrëveshja e Lehtësimit të Vizave po funksion, sërish Shqipëria mbetet një nga vendet e rajonit me shkallën më të lartë të refuzimit të vizave, me një mesatare rreth 23% të totalit të aplikimeve, ndërkohë që mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është rreth 17%.
11 Qershor 2008