E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Kartat e Identitetit, gati në fillimin e vitit 2009

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, deklaroi dje në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, se brenda muajit qershor do të përfundojë sistemi i ri elektronik i shtetasve. Gjatë një raportimi para anëtarëve të këtij komisioni, ku ishin të pranishëm përfaqësues të misioneve ndërkombëtare në Tiranë dhe të OJF-ve, ministri Nishani bëri të ditur mbi ecurinë e dy projekteve të rëndësishme të qeverisë, ai i krijimit të një regjistri të saktë të gjendjes civile dhe projekti i pajisjes së qytetarëve me dokumente identifikimi të sigurisë së lartë, përkatësisht letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike. "Besoj plotësisht se sistemi i ri elektronik përbën sigurinë më të lartë për lista zgjedhore të sakta e korrekte, duke korrigjuar dhe fshirë përsëritjet", tha ministri. Ai sqaroi se "deri tani ka përfunduar hedhja e gjeneraliteteve për 3.2 milionë shtetas shqiptarë. Për këtë projekt po bashkëpunohet ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile të Austrisë, modeli i së cilës do të adaptohet edhe nga ne", u shpreh Nishani. Për sa u takon dokumenteve të identifikimit, pasaportave biometrike dhe letërnjoftimeve elektronike, prodhimi i tyre do të bazohet në të dhënat e regjistrit elektronik të shtetasve. Duke folur për koston e blerjes të këtyre dokumenteve nga qytetarët, ministri i Brendshëm tha, se "për pasaportën biometrike parashikohet një çmim prej 5000 lekësh, ndërsa për letërnjoftimin elektronik do të aplikohet çmimi prej 1100 lekësh. Ky i fundit do të jetë i vetmi dokument me të cilin qytetarët do të plotësojnë nevojat e tyre". Ministri Nishani, në raportimin e tij të sotëm para deputetëve theksoi, se "për realizimin me sukses të këtij projekti nevojitet mbështetja e të gjithë faktorëve, si nga politika, ashtu dhe nga shoqëria civile, pasi ky projekt i madh kombëtar i shërben konsolidimit të institucioneve në vend". Pak kohë më parë, qeveria miratoi vendimin për hapjen e tenderit ndërkombëtar për projektin koncesionar të kartave të identitetit. Këshilli i Ministrave vendosi që ky proces do t‘i jepet me koncesion kompanisë që do të ofrojë kushtet dhe kriteret më të leverdishme se të tjerat. Pajisja me karta identiteti ndihmon shumë në përmirësimin e procesit të regjistrimit të shtetasve shqiptarë. Karta do të përdoret nga qytetarët për të identifikuar vetveten kur bashkëveprojnë me agjencitë qeveritare, organizatat tregtare dhe institucione të tjera. Dokumenti i identitetit do të jetë një sistem i sigurt dhe modern për identifikimin e qytetarëve shqiptarë. Kartat e identitetit merren me shkrim nga policia lokale, e cila lëshon karta identiteti elektronike, karta identiteti, karta identiteti për të miturit dhe karta identiteti të përkohshme. Aplikimi për karta identiteti mund të bëhet në çdo pikë shërbimi policor.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›