E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtësia, Presidenti takon Kondin e Ramën

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka zhvilluar ditën e djeshme dy takime të rëndësishme me dy nga drejtuesit më të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë në vend. Ndërkohë që biseda me kreun në largim të Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi, ka qenë më shumë ceremoniale, takimi me Prokuroren e Përgjithshme, ka qenë më shumë se një konsultë. Kreu i shtetit dhe kryeprokurorja Ina Rama kanë zhvilluar një takim kokë më kokë për gati një orë dje në ambientet e Presidencës. Për takimin me kryeprokuroren, zyra e shtypit e Presidencës nuk bëri publik asnjë detaj duke u mjaftuar vetëm me një rresht: "ishte takim pune". Ndërkohë që i njëjti qëndrim hermetik, është mbajtur edhe nga Prokuroria e Përgjithshme. Megjithatë, burime në organin e akuzës bëjnë të ditur se takimi mes kreut të shtetit dhe Prokurores së Përgjithshme, ka pasur si objekt mbledhjen e këshillit të prokurorisë, e cila do të zhvillohet më 17 qershor, ku priten të përzgjidhen tre anëtarët e rinj dhe ku Presidenti i Republikës do të jetë i ftuar në këtë takim. Ndërkaq, vetëm pak kohë pas këtij takimi Presidenti i Republikës, ka firmosur një dekret, ku njoftohej transferimi i dhjetë prokurorëve nga një qark në tjetrin. Pas takimit me kryeprokuroren Ina Rama, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka pritur në zyrën e tij edhe kryetarin e Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi, të cilit tashmë i ka përfunduar mandati i tij. Për këtë takim, zyra e shtypit e Presidencës njofton, se "Presidenti Topi ka vlerësuar punën disavjeçare të kryetarit Kondi në krye të Gjykatës së Lartë, por edhe eksperiencën e tij si profesionist i fushës. Nisur nga kjo eksperiencë e gjatë profesionale, Presidenti i Republikës ka shprehur besimin se bashkëpunimi me Thimio Kondin do të vijojë edhe në të ardhmen". Ndërsa nga ana e tij ish-kryetari i Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi, e ka falënderuar Presidentin Topi për pritjen e mbështetjen dhe e ka siguruar për gatishmërinë e tij për të vazhduar bashkëpunimin me kreun e shtetit. Së shpejti, Presidenti Topi duhet të dekretojë emrin e ri të kryetarit të Gjykatës së Lartë. Dekret i cili, sipas Kushtetutës, duhet të kalojë për votim në Kuvend dhe më pas të hyjë në fuqi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›