E Diel, 1 Nëntor 2026

Poda, Traja, emrat per Gjykaten e Larte qe hapen “luften” Topi-Berisha

PD-ja vendos të votojë në seancë procedurat e dekretimit. Opozita kërkon votimin nominal të emrave të gjyqtarëve

Zamir Poda dhe Kristaq Traja mësohet se janë dy emrat e dekretuar nga presidenti Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë, që kundërshtohen nga kupola më e lartë drejtuese e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Burime brenda Grupit Parlamentar të PD-së kanë bërë të ditur faktin se nuk do të pranohen këto dy kandidatura. Por, për të mos krijuar probleme sa i përket nominimit të emrave në votim, krerët më të lartë të PD-së kanë zgjedhur strategjinë e kundërshtimit të procedurës së dekretimit të të gjithë anëtarëve të Gjykatës së Lartë nga presidenti me arsyetimin se kreu i shtetit nuk është konsultuar më parë me Kuvendin. Këtë strategji e qartësoi dukshëm dje gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Fatos Beja. Ai tha se do të jetë seanca që do të vendosë nëse do të shqyrtohen apo jo nominalisht dekretet e Topit. Ndërkohë që gjatë mbledhjes së komisionit shumica e djathtë kundërshtoi procedurën e ndjekur nga presidenti për dekretimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe nuk mori në shqyrtim asnjë nga dekretet e presidentit. Zgjedhja nga PD-ja e strategjisë së kundërshtimit të procedurës së ndjekur nga presidenti për emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë synon jo vetëm që të sfidojë haptazi kreun e shtetit, por, nga ana tjetër, synon që të mos lejojë votimin nominal të kandidaturave në Kuvend. Votimi mund të çonte në miratimin e dekreteve. Kjo do të ishte një goditje për kryeministrin Berisha, i cili është vënë në qendër të kundërshtimeve të dekreteve të presidentit Topi.
Kontestimi
Burimet kanë bërë të ditur se PD-ja kundërshton dy emrat e dekretuar nga presidenti Topi jo për shkak të krediteve profesionale, por për shkak të prejardhjes familjare. Sipas informacioneve nga Grupi Parlamentar i PD-së, Zamir Poda kundërshtohet për shkak se është i biri i një gjykatësi “famëkeq” të regjimit komunist. “Njolla në biografi” duket se vijon të jetë kriter për vlerësimin e njerëzve edhe për krerët më të lartë të PD-së. Nga ana tjetër ende nuk janë të qarta arsyet e kontestimit të kandidatit tjetër, Kristaq Traja. Por, sipas burimeve, supozohet se Traja ka bindje të majta politike, ndërkohë që në vitet ‘90 ai ka mbajtur postin e zëvendësministrit të qeverisë së PD-së. Për shkak të këtyre rezervave PD-ja do të ndjekë një taktikë votimi në Kuvend, duke futur në rendin e ditës votimin vetëm për procedurën e dekretimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe jo votimin në mënyrë nominale të dekreteve të presidentit. Sipas burimeve, bëhet e ditur se kjo taktikë që do të ndiqet nga PD-ja do të bëhet për të shmangur rrjedhjen e votave nga maxhoranca. Aleatët e PD-së, si Grupi Parlamentar i PDK-së, i PDR-së dhe i PBDNJ-së janë shprehur se do të votojnë pro dekreteve të Topit. Nga ana tjetër, edhe deputetë të PD-së janë pro kandidaturave të përzgjedhura nga presidenti. Pikërisht arsyeja se dekretet e presidentit mund të votohen në seancë është shkaku se PD-ja kërkon në radhë të parë votimin e procedurës se dekretimit.
Komisioni
Për gati tri orë anëtarët e Komisionit Parlamentar të Ligjve kanë diskutuar dje rreth dekreteve të presidentit Topi. Deputetët e maxhorancës e cilësuan shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të ligjit organik për Gjykatën e Lartë dekretimin e anëtarëve të kësaj gjykate nga presidenti Topi duke mos u konsultuar më parë me Kuvendin. “Deklaroj votën kundër dekreteve të presidentit jo për shkak të emrave, por për shkak të procedurës së ndjekur, duke shmangur konsultimin e presidentit me Kuvendin”, - është shprehur deputeti i PD-së, Ramiz Çobaj. Ndërsa deputeti Eris Hoxha u shpreh se Kuvendi duhet të saktësojë në rregullore mënyrën e shqyrtimit të dekreteve të presidentit, pasi ekziston një vakuum ligjor në këtë kuadër. “Kuvendi duhet të saktësojë procedurat sesi duhen shqyrtuar në themel kandidaturat për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Nuk mund t’i kalojmë në votim këto dekrete në seancë”, - është shprehur deputeti i PD-së, Hoxha. Ndërsa deputetët e opozitës e cilësuan qëndrimin e PD-së një presion që i bëhet Presidentit të Republikës dhe një përpjekje për të vendosur nën kontroll institucionet kushtetuese. “I gjithë debati është një përpjekje që maxhoranca dhe kryeministri i vendit kërkojnë të vendosin nën kontroll Gjykatën e Lartë. Ajo që po ndodh aktualisht në Gjykatën e Lartë është e pafalshme. Gjykata e Lartë është e bllokuar për shkak se mungojnë anëtarët. Qytetarët nuk mund t’i drejtohen kësaj gjykate. I gjithë qëndrimi i PD-së është kundërshtimi i presidentit, i cili ka guxuar të dalë jashtë gardhit të PD-së dhe ka sjellë për miratim anëtarë që nuk janë militantë të PD-së. Dhe kjo është quhet herezi nga ana e PD-së”, - është shprehur deputeti i PS-së, Fatmir Xhafa. Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit presidenti duhet të konsultohet me Parlamentin për dekretimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi, arsyetoi se pavarësisht këtij vendimi, Parlamenti nuk duhet t’i bllokojë dekretet, por duhet t’i kalojë ato për shqyrtim në seancë dhe është seanca që nëpërmjet votimit vendos miratimin ose jo të dekreteve. Edhe deputeti i LSI-së, Spartak Braho, u shpreh se Komisioni i Ligjeve nuk mund të kërkojë në seancë miratimin për procedurat e dekretimit, por duhet të hedhë për miratim dekretet e presidentit, pasi ato nuk mund të kthehen mbrapsht pa u votuar nominalisht. Mbledhja e komisionit u mbyll pa marrë një vendim, pasi deputetët e PD-së u larguan nga salla. Kryetari i komisionit, Beja, tha për mediat se do t’i paraqesë seancës një raport me dy mendime, atë të shumicës dhe atë të pakicës. Sipas tij, do të jetë seanca që do të vendosë kalimin për miratim ose jo të dekreteve të presidentit.

11 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›