Çfarë do të ndodhë me testet nga dita e sotme deri te rezultatet
Sipas rregullores, shpallja e rezultateve jo më shumë se 15 ditë pas çdo provimi. Më 12 qershor 155 korrigjues do të nisin punën në katër qendrat e vlerësimit
Jonida Tashi
Ankthi për të mësuar se cilave pyetje u janë përgjigjur mirë dhe cilave gabim ka pushtuar secilin prej tyre. Dje, 33 400 maturantë në të gjithë vendin i janë nënshtruar provimit të parë të detyruar të Maturës Shtetërore, Letërsisë. Ndërkohë që ditën e enjte të kësaj jave, rreth 155 korrigjues të testeve do të fillojnë punën për vlerësimin e testeve në katër qendrat e përcaktuara të vlerësimit. Ndërsa shpallja e rezultateve sipas Rregullores së Maturës do të bëhet jo më shumë se pesëmbëdhjetë ditë pas çdo provimi të Maturës. Vlerësimi i testeve të Maturës këtë vit nuk do të kryhet më vetëm në Tiranë, por në katër qendra rajonale në të gjithë vendin. Qendrat e vlerësimit të testeve do të jenë një në Tiranë, një në Elbasan, një në Shkodër dhe një në Fier. Testi i secilit maturant do të korrigjohet në bazë të një standardi të vetëm për gjithë Republikën. Gjithashtu, këtë vit në këtë proces do të angazhohen 30-40 vlerësues më shumë se vitet e mëparshme. Por ashtu si më parë, vlerësuesit do të jenë nga Tirana dhe nga rrethet e vendit. Mënyra se si do të përzgjidhen testet për t’u vlerësuar do të jetë e rastësishme, me short dhe do të vendoset nga AVA. Por asnjë nga këto qendra rajonale nuk do të korrigjojë testet e saj. Për shembull, testet e rrethit Fier nuk do të korrigjohen në qendrën e vlerësimit të Fierit. Godinat ku do të korrigjohen testet do të jenë 24 orë nën mbikëqyrjen e forcave policore, ose rojeve civile gjatë periudhës së korrigjimit të provimeve nga 10 qershori-25 korrik 2008. Për çdo provim të Maturës Shtetërore 2008, në secilën nga katër qendrat e vlerësimit do të funksionojë në mënyrë përkohshme një grup administratorësh të testeve, i përbërë nga një përfaqësues i AVA-s, një përfaqësues i MASH-it dhe një përfaqësues i DAR-it përkatëse.
Testimi
Maturantët kanë nisur të testojnë për dy orë e gjysmë dijet në lëndën e Letërsisë, një provim i detyruar i Maturës me tri shkallë vështirësie. Sipas Ministrisë së Arsimit, ky provim u zhvillua në kushte normale dhe pa probleme. Provimi filloi njëkohësisht në të gjithë vendin në orën 10:00 dhe zgjati 2 orë e gjysmë. Ashtu si edhe një vit më parë, maturantët u testuan, krahas njohurive për Letërsinë, edhe për Gjuhën shqipe në masën 33 për qind. Pyetjet u përkisnin dy pjesëve të shkëputura nga Letërsitë që ata kanë mësuar gjatë viteve, një ishte pjesë nga Jeronim de Rada dhe tjetra nga Kafka. Pas përfundimit të provimit pjesa më e madhe e maturantëve pohoi se provimi nuk ishte shumë i vështirë dhe se ata e kanë plotësuar testin lehtësisht. Në provimin e Letërsisë morën pjesë 33 400 maturantë, të vendosur në mjediset e përzgjedhura nga Drejtoritë Arsimore Rajonale. Rreth 2 000 administratorë të provimit u përfshinë në këtë proces. Për një mbarëvajtje korrekte të zhvillimit të provimit këta administratorë jo vetëm nuk ishin mësues të shkollës ku administruan, por për herë të parë administratorët u shkëmbyen midis rretheve të ndryshme. Për shembull, mësues nga Pogradeci administruan në Devoll dhe mësues nga Elbasani administruan në Gramsh.
Shpërndarja
Shpërndarja e testeve të provimit të parë të detyruar të Maturës nga Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve (AVA) në drejtim të Drejtorive Arsimore Rajonale (DAR) filloi në orën 22:00 të mbrëmjes së ditës së diel. Ajo u realizua sipas një grafiku të caktuar, ku zonat më të thella të vendit tërhoqën të parat testet e provimit. Shpërndarja filloi me Tropojën, për të përfunduar me Tiranën, në orën 6:00 të mëngjesit të ditës së djeshme. MASH sqaron se të gjitha makinat që kryen transportin drejt Drejtorive Arsimore Rajonale u shoqëruan nga Policia e Shtetit. Nga raportimet e vazhdueshme për shtabin e ngritur në MASH, gjatë 24 orëve të shpërndarjes dhe kryerjes së provimit, në 37 drejtori arsimore rajonale dhe zyra arsimore procesi eci normalisht. Testet e plotësuara me të njëjtat masa sigurie do të nisen në drejtim të shkollës “Sabaudin Gabrani” në Tiranë, ku do të shpërndahen për t’u korrigjuar në katër qendra vlerësimi në Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Fier.
Vlerësimi
Bazuar në Rregulloren e Maturës Shtetërore, vlerësimi i përgjigjeve të maturantëve në provimet e detyruara dhe me zgjedhje do të bëhet me pikë të cilat ekuivalentohen në notë. Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi/kandidati për kërkesën përkatëse mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga hartuesit e testeve. Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës/kandidat. Po ashtu, çdo përgjigje e plotë, e saktë ose e pjesshme, e dhënë nga maturantët në provime për çdo kërkesë, do të vlerësohet me pikë sipas skemës së vlerësimit. Sipas Rregullores së Maturës, maturantët do të vlerësohen me zero pikë nëse do të japin përgjigje të gabuar ose nuk japin asnjë përgjigje. Ndërkohë që pas përfundimit të çdo provimi të Maturës, AVA do të shpallë skemën e vlerësimit të testit.
Vlerësuesit e jashtëm
Testet e provimit të Maturës do të vlerësohen nga vlerësues të jashtëm. Vlerësues i jashtëm për provimet e Maturës është çdo mësues i shkollës së mesme, pedagog ose specialist me përvojë në mësimdhënie në lëndën që zhvillohet provimi. Për këtë drejtori i AVA-s emëron vlerësuesit e jashtëm dhe kryetarët e tyre. Zgjedhja e vlerësuesve të testeve kryhet çdo vit dhe numri i tyre është në varësi të numrit të testeve që vlerësojnë dhe kohës së shpalljes së rezultateve të vlerësimit. Çdo vlerësues duhet të firmos në çdo test që vlerëson. Para fillimit të procesit të vlerësimit të testeve grupi i hartimit të testeve të AVA-s trajnon vlerësuesit e testeve. Vlerësimi i testeve realizohet në mjediset që përzgjidhen nga AVA dhe miratohen nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës në kushte të përshtatshme dhe të sigurta.
Dy vlerësues
Çdo test i Maturës Shtetërore do të vlerësohet nga dy vlerësues. Në rast se midis dy vlerësuesve do të ketë ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës do të caktojë një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit do të jetë përfundimtar. Për këtë MASH-i do të ngrejë grupe monitoruesish të vlerësimit të testeve sipas lëndëve, të cilët në mënyrë të rastësishme do të monitorojnë testet e vlerësuara. Këto grupe gjithashtu do të shqyrtojnë rast për rast të gjitha testet që do të raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve. Po ashtu, për të evituar problemet në procesin e vlerësimit të provimeve, MASH ngre komisione të posaçme (KOPOTED), që shqyrtojnë rast për rast të gjitha testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve. Ndërkohë që për të gjitha parregullsitë që konstaton, secili KOPOTED informon MASH-in, i cili merr vendimin përkatës. Procesi i vlerësimit të testeve do të mbikëqyret nga përfaqësues të Komitetit të Maturës Shtetërore.
Katër qendrat e vlerësimit të testeve
Në Tiranë, në godinën e shkollës “Sabaudin Gabrani”.
Në Elbasan, në godinën e shkollës “Qemal Stafa”.
Në Shkodër, në godinën e shkollës “Jordan Misja”.
Në Fier, në godinën e Drejtorisë Arsimore.
Fier, 2018 maturantë iu nënshtruan provimit të Letërsisë
Rreth 2018 maturantë nga 26 shkollat e mesme publike e jopublike të rrethit të Fierit i janë nënshtruar dje provimit të Letërsisë. Drejtoria Rajonale Arsimore mori të gjitha masat që ky provim të kryhej nën masa të rrepta sigurie, duke respektuar të gjitha standardet e caktuara nga Ministria e Arsimit. Maturantët u vendosën në 15 mjedise, në të cilat u zhvillua provimi dhe mbarëvajtja e tij u kontrollua nga 181 administratorë.
Durrës, 1851 maturantë u testuan për provimin e Letërsisë
Rreth 1851 nxënës maturantë të 20 shkollave të mesme publike dhe jopublike të rrethit të Durrësit iu nënshtruan dje provimit të parë të Maturës Shtetërore në lëndën Letërsisë. Provimi u zhvillua në 10 mjedise të përqendruara, nga të cilat 8 janë përzgjedhur në palestrat apo sallat e mëdha të shkollave të qytetit, ndërsa dy të tjera përkatësisht në shkollat e Shijakut dhe Sukthit. Ai u mbikëqyr nga 191 administratorë.
Elbasan, 2500 maturantë përfundojnë provimin e Letërsisë
Rreth 2500 maturantë të 26 shkollave të mesme në të katër rrethet e qarkut të Elbasanit, Peqin, Gramsh, Librazhd, zhvilluan dje provimin e Letërsisë. Provimi është zhvilluar në 18 ambiente shkollore të qytetit të Elbasanit, ku është administruar nga 240 administratorë. Drejtori Rajonal i Arsimit, Kujtim Mema, u shpreh se maturantët nuk kanë pasur asnjë problem përsa i përket testit dhe provimi është zhvilluar normalisht.
Kukës, 562 maturantë i nënshtrohen provimit të Letërsisë
Rreth 562 maturantë nga 9 shkollat e mesme të rrethit të Kukësit i janë nënshtruar dje provimit të Letërsisë të Maturës Shtetërore. Drejtori rajonal i arsimit në Kukës, Ibsen Elezi, tha se për zhvillimin normal të provimit në lëndën e Letërsisë janë zbatuar të gjitha procedurat e parashikuara, ndërsa mbikëqyrësit për çdo klasë kanë qenë mësues nga rrethet e tjera të vendit. Vetëm 10 nxënës nga i gjithë rrethi i Kukësit nuk janë paraqitur në provim për arsye personale.
Lezhë, 1431 nxënës të qarkut kryen provimin e Letërsisë
Rreth 1431 maturantë të qarkut të Lezhës kanë zhvilluar dje provimin e detyruar të Letërsisë. Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit të gjithë maturantët e rrethit e kanë zhvilluar provimin në ambiente të ndryshme të shkollave në qytet. Sipas Drejtorit të Drejtorisë Rajonale Arsimore, Qazim Dushku, procesi i provimit nga ana teknike dhe organizative është realizuar mirë.
Shkodër, 2550 nxënës iu nënshtruan provimit të Letërsisë
Rreth 2550 nxënës maturantë të 27 shkollave të mesme të rrethit të Shkodrës, iu nënshtruan dje provimit të Letërsisë të Maturës Shtetërore. Të grupuar në 17 ambiente të qytetit të Shkodrës, maturantëve iu është hapur teza e provimit në orën 10:00. Drejtoresha Rajonale e Arsimit në prefekturën e qarkut të Shkodrës, Artrida Ferketi, pohoi se i gjithë procesi i provimit u zhvilluar në bazë të të gjitha kërkesave që përmban rregullorja e provimit shtetëror.
10 Qershor 2008