Kartat e identitetit, nënshkruhet kontrata me “Sagem”
Ministri Nishani: Kartat dhe pasaportat e shqiptarëve do të jenë të standardeve më të larta të BE-së
Lidhja e kontratës për këtë projekt madhor sjell një evolucion të vërtetë në shoqërinë shqiptare. Në këtë mënyrë e ka përkufizuar një ditë më parë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, nënshkrimin e kontratës për prodhimin e kartave të identitetit me firmën fituese “Sagem Security”, në bashkëpunim edhe me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve. Të mbledhur gjatë pasdites në ambientet e hotel “Sheraton” në kryeqytet, në prani të përfaqësuesve të huaj të firmës, si dhe të ambasadores franceze në Tiranë, Maryse Daviet, ministri Nishani ka nënshkruar në këtë mënyrë në emër të qeverisë shqiptare me përfaqësuesit e “Sagem Security” dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, kontratën për dhënien me koncesion të prodhimit të letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike.
Ndërkohë, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e nënshkrimit ministri Nishani u shpreh se lidhja e kontratës për këtë projekt madhor sjell një evolucion të vërtetë në shoqërinë shqiptare, pasi nëpërmjet tij qytetarët shqiptarë do të pajisen me letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike të standardeve nga më të lartat që aplikohen dhe përdoren sot në hapësirën e Bashkimit Evropian.
“Ne vlerësojmë ofertën e paraqitur nga “Sagem Security” dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve, si një ofertë që jo vetëm plotëson standardet teknike të këtij projekti, por njëkohësisht ofron një kosto të përballueshme nga qytetarët shqiptarë dhe një kohë të implementimit të parashikuar në ambiciet tona për të pajisur qytetarët shqiptarë me letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike brenda vitit 2009”, - ka deklaruar Nishani. Sipas tij, ky projekt bashkëlidhet me projektin për regjistrin elektronik të shtetasve, theksoi se qeveria shqiptare po bën realitet jo vetëm një premtim të saj, por një domosdoshmëri reale për çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë.
Sakaq, drejtori i Përgjithshëm i “Sagem Security”, Jean-Paul Jainsky, është shprehur se “ne jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e këtij procesi që bëhet në kuadrin e reformave që zhvillohen në Shqipëri dhe konsorciumi ynë është shumë i lumtur që merr pjesë në reformat e qeverisë shqiptare”. “Kjo kontratë përbën për “Sagem Security” një referencë parësore dhe hap perspektiva të reja. Jemi të pranishëm në 70 vende dhe jemi krenarë për besimin që qeveria shqiptare, shteti shqiptar na tregon sot”, - ka pohuar Jainsky. Ndërkaq, përfaqësuesi i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, Martin Mata, nga ana e tij shprehu besimin e plotë që ky projekt do të jetë një sukses dhe do të ndikojë dukshëm në cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë.
Çmimet e ofruara nga katër kompanitë e klasifikuara
“Sagem Security” - Letërnjoftimi 1.167 lekë, Pasaporta 5.000 lekë
“Zetes Industries” - Letërnjoftimi 2.950 lekë, Pasaporta 6.800 lekë
“Indra Sistemas” - Letërnjoftimi 3.216 lekë, Pasaporta 9.535.7 lekë
“Bundesdruckerei” - Letërnjoftimi 1.869.8 lekë, Pasaporta 11.343.2 lekë
Vlerësimi i firmave
“Sagem Securite” dhe FSHAN, me 93.15 pikë
“Zetes Industries” dhe “Gemalto”, me 76.54 pikë
“Indra Sistemas S.A.”, me 76.41 pikë
“Bundesdruckerei”, me 74.32 pikë
Skualifikuar për mungesë dokumentacioni
“Consorzio R.I.E”
NADRA
“Oberthur dhe AKD”
Shtatë firmat konkurruese
“Bundesdruckerei” nga Gjermania, në bashkëpunim me S&T austriake dhe MOTOROLA nga SHBA
INDRA e Spanjës, në bashkëpunim me DATA CARD nga SHBA, SUN MICROSYSTEM dhe IBM
OBERTHUR e Francës, e në bashkëpunim me AKD të Kroacisë
SAGEM e Francës, në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan për Ndërmarrjet
“Consorzio R.I.E”, në bashkëpunim me IDOM 2000, “CSI Piemonte” dhe SELEX
ZETES, belge, në bashkëpunim me GEMALTO nga Holanda
NADRA, kompania shtetërore nga Pakistani