E Diel, 1 Nëntor 2026

Grekët u sugjerojnë emigrantëve shfrytëzimin e doganave të tjera

Kakavijë

Fluksi i madh i emigrantëve shqiptarë që hyjnë në atdhe për të kaluar pushimet, ka çuar në një takim dypalësh përfaqësuesit e dy policive kufitare. Ndërkohë, pala greke ka sugjeruar që emigrantët që kthehen në Shqipëri të shikojnë edhe variantin e kalimit nga pikat e tjera doganore dhe jo vetëm atë të Kakavijës me qëllim shmangen e radhëve të gjata në kufi. Takimi i punës mes përfaqësuesve të Drejtorisë së Policisë së Epirit dhe Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit në Gjirokastër është mbajtur dy ditë më parë, ndërkohë që nga të dhënat e policisë sonë mësohet se efektivat shqiptarë kanë kërkuar rritjen e masave nga pala greke me qëllim shmangien e radhëve të gjata, problematike në anën tjetër të kufirit. Ndërkohë, sipas burimeve nga pala greke, është kërkuar që emigrantët të zgjedhin për t’u kthyer në vendlindje edhe pika të tjera doganore të qarkut, duke shmangur në këtë mënyrë problemet që vazhdojnë të hasen në këtë pikë. Në takim është diskutuar dhe forcimi i marrëdhënieve për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, të cilat mund të zhvillohen nëpërmjet kufirit të gjelbër të dy vendeve. Gjatë takimit, në anën tjetër të traut në pikën doganore të Kakavijës, janë vënë re sërish radhë të gjata makinash me emigrantë që donin të ktheheshin në atdhe për pushime.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›