E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Butrinti”, arrestohen organizatorët e kalimit klandestin



Në pranga janë vënë pesë persona

Të arrestuarit kërkonin nga 3000 euro

Tiranë – Elbasan – Korçë, Tiranë – Fier – Gjirokastër apo Tiranë – Fier – Vlorë – Sarandë. Këto kanë qenë rrugët që përshkonin pjesëtarët e një grupi të organizuar të kalimit klandestin për të kaluar të interesuarit në Greqi e më pas në vendet e ndryshme të Evropës. Ndërkohë që për një gjë të tillë, shoqëruesit kërkonin plot 3000 euro. Gjithçka mësohet të jetë zbuluar nga denoncimi i një klandestini në polici, ku më pas hetimet që kanë zgjatur përreth 6 muaj kanë zbuluar pjesëtarët e grupit.

Në pranga janë vënë Resul Çela, 42 vjeç, nga Lushnja, Bardhi Proda, 38 vjeç, nga Saranda, Pëllumb Guri, 35 vjeç, nga Lushnja, Irfan Dalipaj, 47 vjeç, nga Tirana, dhe Nino Tushe, 38 vjeç, nga Gjirokastra, të cilët akuzohen për “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, për qëllime fitimi” në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.

Lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga të dhëna zyrtare të Policisë së Shtetit, sipas të cilave, Drejtoria e Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier finalizuan me sukses ditën e djeshme operacionin e koduar “Butrinti” për kapjen dhe ndalimin e pesë pjesëtarëve të grupit të strukturuar që kalonte ilegalisht persona jashtë kufirit shqiptar.

Policia tha se ndalimi i tyre u bë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda kishte caktuar dy ditë më parë masën e sigurimit “arrest me burg”, ndërkohë që për Pëllumb Gurin, gjykata ka vendosur masën e sigurimit “arrest shtëpie” për arsye shëndetësore.

Nga të dhënat policore mësohet se operacioni “Butrinti” ka synuar të godasë një grup të strukturuar kriminal me aktivitet organizimin e kalimit të paligjshëm të njerëzve nga Shqipëria në Greqi dhe më pas në vende të ndryshme të Evropës. Ndërsa mësohet se operacioni është shtrirë në disa qytete, dhe konkretisht në Tiranë, Fier, Gjirokastër, Sarandë, Korçë pasi ky grup përshkonte tri linja, Tiranë – Elbasan – Korçë, Tiranë – Fier – Gjirokastër, dhe Tiranë – Fier – Vlorë – Sarandë.

Për këtë, hetimet e policisë kanë nxjerrë në pah se kontrabandimi i personave të ndryshëm realizohej si në kufirin e gjelbër, ashtu edhe atë detar, nga Saranda për në Greqi. Personat që ndihmoheshin nga ky grup për të kaluar kufirin shtetëror, detyroheshin të paguanin deri në 3 mijë euro. Në momentin e arrestimit janë sekuestruar 3 automjete, me të cilat bëhej transporti i klandestinëve si dhe është sekuestruar një shumë e konsiderueshme eurosh. Aktualisht, grupi hetimor po punon për të identifikuar personat e tjerë të implikuar në këtë trafik.

Të arrestuar

Resul Çela, 42 vjeç, nga Lushnja

Bardhi Proda, 38 vjeç, nga Saranda

Pëllumb Guri, 35 vjeç, nga Lushnja

Irfan Dalipaj, 47 vjeç, nga Tirana

Nino Tushe, 38 vjeç, nga Gjirokastra

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›