Sherr me armë, plagosen tre udhëtarë
DURRES / OERD ULQINI
Një breshëri e gjatë kallashnikovi ka terrorizuar 20 pasagjerët e autobusit të linjës Durrës-Sektor “Rinia”, duke shkaktuar mes tyre një bilanc tragjik. Bashkim Zhupi, i ulur në sediljen pranë shoferit ka qenë më fatkeqi. Një plumb kalibër 7.62 mm i ka shpuar qafën. Ai është dërguar me urgjencë në sallën e operacionit në Spitalin Rajonal të Durrësit, por përpjekjet e bluzave të bardha duken të dëshpëruara. Pasagjeri ka rënë në gjendje kome, që nga momenti kur plumbi e ka goditur në qafë. Të plagosurit e tjerë të autobusit janë Silvana Hasani, 19 vjeçe, e cila është dëmtuar në nofull nga një plumb rikoshet dhe Elvana Ndoci, 23 vjeçe, e lënduar nga disa copa xhami në fytyrë dhe krah. Që të dyja këto shtetase janë banuese në fshatin “Rinia”, afro 12 km larg Durrësit.
Plumbat në autobus
Mësohet se autobusi i tragjedisë me targë DR 8248 E me pronar shtetasin Vath Mëhilli, ishte nisur nga Durrësi në drejtim të fshatit bregdetar në orën 15:15. Udhëtimi dukej i qetë, të paktën deri në kilometrin e shtatë të rrugës, kur befas nga ana lindore e getos së “Nish-Tullave” bie mbi xhama një “shi” plumbash. Deri në ato çaste autobusi po ecte me marshe të ulëta, për shkak se po udhëtonte në një zonë të banuar. I gjendur nën breshërinë e plumbave dhe nën klithmat e pasagjerëve, shoferi ndalon menjëherë. Askush nga pasagjerët nuk e dinte se vetëm 25 metra larg, dy familjet Meta dhe Kalemi në hasmëri prej një viti, po konsumonin një sherr të radhës. Fillimisht në konflikt përfshihen gratë e dy familjeve dhe kur u vjen radha burrave gjakrat janë ndezur në atë farë mase sa nisin të përdoren armët e zjarrit. Kryefamiljari rom R.Kalemi dhe pjesëtari i palës tjetër, Kujtim Meta, rrëmbejnë kallashnikovët dhe nisin breshëritë kundrejt njëri-tjetrit. Nga ky shkëmbim zjarri Dilaver Meta merr një plumb në kofshë, ndërsa pak minuta më parë Suela Kalemi ishte goditur me një copë dru në kokë. Mësohet se Dilaveri me të marrë mjekim në urgjencë është shoqëruar në polici, në cilësinë e dëshmitarit dhe të personit të përfshirë në sherr. Policia e mbërritur me urgjencë në vendngjarje ka arrestuar njërin prej autorëve që shkëmbeu zjarr. Kujtim Meta, 30 vjeç, u prangos brenda pak minutash. Policia arriti të sekuestrojë edhe armën automatike model 56 që ai e mbante pa leje. Në mbrëmje u arrestua edhe Nazim Kalemi, 49 vjeç, të cilit iu gjet edhe një armë automatike.
Zanafilla e sherrit
Ngjarja ka ndodhur në orën 15:30. Anëtarë të dy familjeve Meta dhe Kalemi rinisin sërish një sherr të vjetër që e kishte zanafillën më 16 janar të vitit 2008. Në atë kohë një plumb i devijuar ka plagosur gjyshen dhe mbesën që po kalonin trotuarin dhjetëra metra më tutje. Ato ishin Dile Meta, 60 vjeçe dhe mbesa e saj Ornela Meta, 16 vjeçe. Për këtë ngjarje gjykata e Durrësit ka gjetur fajtor djalin e madh të familjes Kalemi, Saimiri, 24 vjeç, i cili për këtë vepër penale do të qëndrojë 10 vjet pas hekurave. Ndërkohë është shpallur në kërkim kryefamiljari R.Kalemi dhe një djalë i tij, të cilët janë “zhdukur” si me magji përpara se zona të rrethohej nga forcat e policisë. Burimet saktësuan se edhe zanafilla e sherrit, më shumë se 15 muaj më parë ka pasur motive ordinere. Atëherë gratë e dy familjeve fqinje u përfshinë në një zënkë, e cila përfundoi me të shtëna automatike. Që nga ai moment familja rome u fut në hasmëri me fqinjët, të cilëve u ishte plagosur gjyshja dhe mbesa. Për t’iu larguar sherrit romët banuan disa muaj në Kombinat të Tiranës, por ata u rikthyen sërish në banesën e tyre në “Nish-Tulla”. Ky rikthim e hapi sërish plagën e hakmarrjes mes dy familjeve, por kësaj here për fat të keq e paguan shtrenjtë edhe pasagjerët e pafajshëm.
Të plagosurit
Bashkim Zhupi, 49 vjeç
Silvana Hasani, 19 vjeçe
Elvana Ndoci, 33 vjeçe
Dilaver Meta, 24 vjeç
Suela Kalemi