E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kartat falas ulën aplikimet”

 

ADI SHKEMBI

Propozimi i PS-së për shpërndarjen falas të kartave të identitetit për qytetarët, ka ulur në maksimum numrin e aplikuesve. Qeveria akuzoi dje kreun e PS-së, Edi Rama, pasi sipas saj, që pas deklaratave të opozitës për karta falas, qytetarët janë dekurajuar për të vazhduar këtë proces.  Zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, duke iu referuar ditëve kur opozita artikuloi në media propozimin e ri, tha se numri i aplikuesve që u janë drejtuar stacioneve të aplikimit ka rënë me më shumë se 50 për qind. “Kam përshtypjen se deklarata e parë e zotit Rama është bërë ditën e enjte të javës kur ishin në Shqipëri edhe monitoruesit e ODIHR-it dhe të BE. Ditën e premte, kur ne përgjithësisht aplikojmë 13 mijë- 14 mijë në ditë, kishte vetëm 7 mijë, ditën e shtunë 3 mijë në gjithë Shqipërinë, ditën e hënë 2 mijë në gjithë Shqipërinë, dhe vetëm ditën e martë ne shkuam sërish 13 mijë aplikime”, theksoi Poni. Sipas tij “letërnjoftimi është me çmim të ulët dhe është i subvencionuar për pjesë shumë të mëdha të tyre, por një çmim simbolik që qytetari të kujdeset për atë që ka paguar. Qytetari ta dijë që ne po i japim një vlerë shumë më të madhe dhe ai vetë përfiton një vlerë shumë më të madhe duke pasur këto dokumente dhe së treti nëse ai do të ushtrojë të drejtat e tij siç është e drejta e zgjedhjes, duhet të nxitojë për ta ushtruar këtë të drejtë”.
Aplikimi
Duke iu referuar shifrave të aplikuesve për dokumentin e ri, Poni tha se deri tani kanë aplikuar më shumë se 350 mijë qytetarë dhe shtoi se stacionet e aplikimit mbulojnë mbi 90 për qind të popullsisë. “Sot, duke përfshirë edhe pak ditën e djeshme, jemi pak më shumë se 350 mijë aplikime në të gjithë vendin, punohet në 370 stacione aplikimi në gati 220-230 njësi të qeverisjes vendore që përfshijnë mbi 90% të popullsisë së vendit dhe ritmet e aplikimit, edhe pse koha ka qenë jashtëzakonisht e keqe në një pjesë të komunave dhe bashkive të vendit, janë afër 14 mijë aplikime në ditë” tha Poni. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, zv.ministri i Brendshëm theksoi se përveç të tjerash edhe procesi i pajisjes me kartë identitetit të qytetarëve pa pasaportë po ecën me ritme të kënaqshme. Kështu sipas tij në qytetin e Tiranës kanë aplikuar për marrjen e kartës 50 mijë qytetarë (nga 80 mijë në të gjithë qytetin e Tiranës), të cilët nuk kanë pasaportë, ndërkohë që deri tani kanë marrë dokumentin e ri më shumë se 54 mijë qytetarë. Poni bëri të ditur gjithashtu se deri në këto momente kompania koncensionare ka prodhuar gati 230 mijë karta, të cilat janë gati për t’u shpërndarë te qytetarët.
Kartat në rrethe
Sipas zv.ministrit Poni, nga java e ardhshme do të nisë edhe pajisja me kartë e qytetarëve në të gjitha qytetet e tjera. “Duke filluar nga e hëna e kësaj jave, të gjithë qytetarët që kanë aplikuar për kartë në Durrës, Vlorë, Elbasan dhe qytetet e tjera të mëdha të vendit duhet të paraqiten pranë sporteleve të ngritura për të marrë dokumentin”, tha Poni për gazetën. Por megjithë shifrat që ka bërë publike qeveria për procesin e pajisjes së qytetarëve me kartat e reja, opozita e ka kontestuar këtë proces, duke theksuar se nuk është e mundur që qytetarët të marrin dokumentin për të votuar. Në këtë kontekst ajo propozoi që deri më 28 qershor, të gjithë qytetarët që nuk kanë pasaportë të marrin falas kartën e identitetit.

Pajisja e qytetarëve me karta

13 mijë aplikime në ditë normale

7 mijë aplikime më 20 mars, pas kërkesës së PS për karta falas

3 mijë aplikime më 21 mars

2 mijë aplikime më 23 mars

13 mijë aplikime më 24 mars

350 mijë aplikime në të gjithë vendin

370 stacione të ngritura në gjithë vendin

50 mijë qytetarë pa pasaportë kanë aplikuar në Tiranë

54 mijë karta të shpërndara deri tani

230 mijë karta të prodhuara nga kompania koncensionare

“Procesi i kartave të mbyllet para zgjedhjeve”

Procesi i pajisjes me kartat e identitetit duhet të përfundojnë përpara zgjedhjeve parlamentare, brenda qershorit. Këtë apel e bëri dje ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borshhard, i cili shprehet se nëse kjo nuk realizohet, Shqipëria rrezikon shumë. “Këtu në Shqipëri, përgatitja e zgjedhjeve përbën një sfidë shumë të madhe. Ne shpresojmë që deri në qershor që do të zhvillohen zgjedhjet, procesi i ndarjes së kartave të identitetit do të funksionojë siç duhet, pasi do të ishte një gjë shumë e keqe për Shqipërinë, por edhe për ne si anëtarë të NATO-s, nëse ky proces nuk shkon siç duhet edhe ka probleme” - deklaroi Borshhard. Diplomati gjerman mbështeti qëndrimin e komisionerit Evropian për Zgjerimin Olli Rehn, se Shqipëria nuk duhet të aplikojë si vend kandidatë në Bashkimin Evropian përpara zgjedhjeve të 28 qershorit. Qeveria shqiptare është këshilluar që të mos e hedhë një hap të tillë brenda presidencës ceke, e cila ka mandatin deri në qershor të këtij viti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›