Berisha inauguron rrugën në Fushë Krujë
Kryeministri Berisha inauguroi dje përfundimin e sistemimit dhe asfaltimit të të gjitha rrugëve lidhëse të fshatit Luz i Poshtëm, gjatë vizitës së tij në Fushë Krujë. Kryeministri tha se këto katër vite janë realizuar programe edhe jashtë parashikimit. “Kemi asfaltuar mijëra e mijëra metra rrugë në zonat rurale. Vërtetë mediat, me shumë të drejtë, ndalen në akset kombëtare rrugore, por unë ju garantoj se, e vlerësuar me kilometra, shumë më të shumta janë kilometrat që ne kemi investuar në rrugët rurale, në infrastrukturën e fshatrave”, vijoi Berisha. Në të njëjtën kohë, deputeti i zonës, Ndriçim Babasi theksoi se ky investim në Fushë Krujë është një tjetër premtim i mbajtur i kësaj qeverie.