E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Nexhmijen e arrestoi Ramizi që të lehtësohej

 

Kryeministri Berisha përfshihet sërish në debatin publik me të venë e diktatorit Enver Hoxha, për vitet e regjimit të tij. Në një intervistë në emisionin “Log” të gazetarit Artur Kopani në TVSH, kreu i qeverisë tha se ish-presidenti Ramiz Alia ishte ai që arrestoi Nexhmije Hoxhën.  Ndërsa për ish-presidentin, Berisha u shpreh se pas zgjedhjeve të vitit 1992 tentoi të merrte sërish PS-në.
PS kërkon që kartat të shpërndahen falas, pse nuk pranoni? Qeveria ka vlerësuar seriozisht çdo propozim që vjen në funksion të zgjedhjeve. Kemi bërë një zbritje të ndjeshme. E gjithë administrata i merr me 10$ nga 12 që është kostoja, pensionistët i marrin me 8$, studentët dhe ndihma ekonomike i marrin me 5$, me dy kafe pak a shumë. Rama shtron kërkesën të jepen falas. Në këtë kërkesë ka një tendencë të zhvlerësimit të tyre.
E keni dëgjuar publikisht apo ju ka ardhur nga përfaqësues të pozitës në tavolinë?
Absolutisht fillimisht publike dhe pastaj ka ardhur si propozim. A ju kujtohen kartat e vitit 1998? Ato janë me çmimin më të ulët që mund të bëhet. Ata që i marrin 10$ dakord, por rroga e tyre është 420$. Pse Rama nuk u ka bërë asnjëherë thirrje qytetarëve të marrin kartat? Rama nxjerr përditë njerëzit për të nxirë këtë proces. Si mund të pranoj unë të jap falas kartën? S’mund të pranoj. Jo vetëm se janë 35 milionë euro së paku fatura, ku do t’i gjej 35 milionë euro? Janë taksa ato, qeveria nuk ka asnjë qindarkë tjetër veç taksave.
Marrëveshja juaj politike me zotin Mediu ka gjasa të mos jetë një marrëveshje politike për zgjedhje, por për ta ricikluar atë në një moment kur aksionet e tij kishin shkuar më keq se aksionet e Wall Street në pikun e krizës. A keni marrë përsipër të paguani një kosto politike dhe morale, duke u futur në lojë me zotin Mediu, i cili ka një karton të kuq dhe shumë shpejt do të dalë jashtë loje?
Një i pandehur është i pafajshëm. Për sa i përket anës morale, Mediu dha dorëheqjen dhe bëri zgjidhjen më të duhur. Mos kërkoni ju që unë ta paragjykoj. Ai ishte një aksident tragjik. Nëse sot ne shkojmë në NATO, në të gjithë administratën shqiptare tre vjet më parë, njeriu që ka besuar me vendosmërinë më të madhe se kjo do ndodhë ka qenë Fatmir Mediu. Unë nuk i lexoj gjërat bardhë e zi. Ai dha një kontribut shumë të rëndësishëm për kohën që drejtoi Ministrinë e Mbrojtjes. Sapo nisëm ciklin e 8 të planit të veprimit, ai bëri përpjekjet më të mëdha në këtë proces dhe unë nuk mund ta injoroj, sepse do ishte shumë e rëndë për mua, çfarëdo që ai të pësonte. Tani është në një proces, u nis procesi se ka shmangur, unë s’mund ta pranoj se ai nuk ka shmangur. Unë s’mund të them që nuk janë 32 dokumente, s’mund të them që nuk janë hedhur nga 4 firma. Unë nuk e bej këtë, atë e bëjnë ata.
Do ketë kosto për ju, kur Mediu të shkojë në gjykatë?
Ai do të shkojë në gjykatë sa herë ta thërrasë gjykata. Kosto? I ka dhënë përgjigje Kashari. E nxori të katërtin zotërinë e tij. Jo vetëm PD, LSI por edhe Rustem Murati e nxori të katërtin.
Do aplikojmë para 28 qershorit, nisur edhe nga rrethanat e reja me një qeveri çeke të rrëzuar?
Gjërat e papritura janë gjëra të papritura. Do t’i studiosh rrethanat dhe të marrësh vendimin, sepse ishte i papritur mocioni ndaj Kryeministrit Topolanek. Por BE e ka kryetarin e radhës. Por në princim po. Unë e marr si një proces. Procesin e integrimit evropian në çdo etapë e kam pranuar dhe e pranoj vetëm si një proces. Prita me shumë durim dhe pa ngutje të ratifikohet nga të gjitha vendet procesi. Mali i Zi e bëri para se të ratifikohet, unë nuk e bëra me vrap. Është një tërësi problemesh që duhet zgjidhur.
Është në interes të gazetarëve të huaj për të dëgjuar pjesën tuaj të para ’90, ku keni qenë mjek në udhëheqje. Folët për Enver Hoxhën, për 15 vitet e tij pa memorie dhe për Nexhmije Hoxhën, që drejtonte vendin. Kemi pasur një përgjigje të zonjës Hoxha. Do të doja të dija nga ju, a keni pasur raporte direkte me këtë zonjë gjatë kohës që ju thoni se drejtonte shtetin?
Asnjë raport. Unë nuk e kam ndjekur kurrë Enver Hoxhën, për faktin e thjeshtë se s’ma ka kërkuar kurrë. Po të ma kërkonte do ta mjekoja, siç kanë bërë kolegët e mi, por po ata dhe unë jemi kujdesur për qytetarë të të gjitha kategorive. Mjeku është mjek, ka një kod të cilit duhet t’i përmbahet. Kur në vitin ‘90 filluan të thonë mediat që kam qenë mjek i Enverit nuk u mora me to, për faktin e thjeshtë se nuk kam qenë, se nuk ma kërkuan. Mos të mendojë kush se unë mund të refuzoja me bluzën e bardhë ndonjë qenie njerëzore mbi tokë.
Nuk keni marrë mesazhe me të dhe Ramizin pas ‘90?
Në mënyrën më absolute jo. Kur u arrestua Nexhmija, për hir të së vërtetës e ka arrestuar Ramizi, e thotë vetë ajo. Unë kam qenë në opozitë atëherë. Kurthet e pallateve të kuqe janë më binzantinët, duke filluar nga vrasja e Mehmet Shehut. Ata ishin një specie shumë e veçantë. E arrestoi Ramizi Alia sepse shembja e Caushekskut u futi frikën deri në palcë dhe mendonte se duke arrestuar Nexhmien vetë do lehtësohej. Kurse unë asnjëherë në jetën time nuk kam komunikuar me të. Me Ramizin kemi pasur takime publike. Ai ishte President. Ramizi pas zgjedhjeve të ‘92, donte të rrëzonte Fatos Nanon dhe filloi të mobilizojë ish-kryetarë kooperativish dhe instruktorë për ta marrë partinë, por nuk e mori dot se Fatosi, nuk i tregojnë ata këto, Fatosi u sëmur 3-4 muaj dhe thoshte vuaj nga tensioni, por desh t’ia merrte ai dhe të kthehej prapë Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›