Minat e guroreve plagosin njerëz, dëmtohen 450 shtëpi
URA VAJGURORE DILAVER XHELILI
Veprimtaria e guroreve në brendësi të lagjeve të banuara rrezikojnë jetën e 12 mijë banorëve të Urës Vajgurore. Prej 19 vitesh, 30 minierat e gurores po dëmtojnë jo vetëm shtëpitë e banuara, por edhe shëndetin e njerëzve. Mbi 450 shtëpi kanë pësuar çarje dhe dëmtime të tjera, si pasojë e shpërthimeve të lëndëve plasëse. Ndërsa 8 persona janë plagosur rëndë nga minat. Nga këta, tre janë fëmijë, të cilët në momentin e shpërthimit janë ndodhur duke luajtur në oborret e shtëpive të tyre. Situata paraqitet alarmante. Ambienti është tejet i ndotur, ndërsa kërkesës së herëpashershme të banorëve për të marrë masa për këtë fenomen, nuk i është përgjigjur askush. Edhe sot, këto subjekte vijojnë veprimtarinë e tyre, duke mos përmbushur asnjë nga kriteret ligjore për të minimizuar sadopak ndotjen. Banorët janë të detyruar të thithin bashkë me ajrin edhe pluhurin e gurores. Sipas tyre, minierat kanë shkaktuar dëme të mëdha te banesat e tyre. Disa janë gati në shembje nga tronditja e minave. Gjithashtu, shpërthimi i lëndëve plasëse ka dëmtuar tubacionet e ujit të pijshëm dhe ujërave të zeza. Pesë muaj më parë janë shtruar në spital 120 persona të sëmurë, për shkak të ndotjes së ujit të pijshëm. Nga përpunimi i gurit, këto miniera shkaktojnë shumë pluhur. Sipas mjekut të qendrës shëndetësore në Urën Vajgurore, Ibrahim Sade, janë rreth 100 të sëmurë me silikozë në këtë qytet. Kjo sëmundje sipas tij krijohet nga pluhuri. Me të prekur janë moshat e treta, por të rrezikuara janë edhe pjesa tjetër e qytetarëve. Shqetësimin e banorëve e konfirmon edhe kryetari i Bashkisë së Urës–Vajgurore, Syrja Ormeni. Sipas tij, bashkia do të marrë masa për të parandaluar këtë katastrofë të madhe që është krijuar në afërsi të këtij qyteti. “Bashkia ka ngritur një grup pune me specialistë të sferave të ndryshme për të inspektuar nga afër situatën në këto miniera”, u shpreh Ormeni. Ai pohoi se për këtë problematikë i është kërkuar ndihmë edhe Ministrisë së Mjedisit për të ndërhyrë. “Ne si bashki u kemi vendosur gjoba pronarëve, të cilët nuk kanë zbatuar rregullat e sigurimit teknik. Për pesë nga këto miniera u kemi bllokuar aktivitetin, pasi janë shumë afër lagjeve të banuara. Të gjithë pronarëve të minierave u është lënë një detyrë që brenda një kohe shumë të shkurtër të pajisen me hidrantë pastrimi, për të penguar daljen e pluhurit në hapësirë”, u shpreh më tej kryebashkiaku.