E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Jo zgjedhje të ndershme pa karta

 

Partia Socialiste ka reaguar një ditë pas publikimit të raportit vjetor të Ministrisë së Jashtme britanike mbi situatën e të drejtave të njeriut ne Shqipëri dhe problematikën e funksionimit të shtetit ligjor. Deputeti Taulant Balla tha në një konferencë për shtyp se “Raporti i Ministrisë së Jashtme britanike vlerëson miratimin konsensual të Kodit Elektoral, por thekson nevojën e hapave të mëtejshëm që do të garantonin lirinë dhe barazinë në zgjedhje”. Në këtë kuadër sipas PS, “Nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme pa karta identiteti për çdo qytetar shqiptar pa pasaportë”. “Kuptohet qartë se të flasësh për barazi në zgjedhje do të thotë garantim të së drejtës së votës për çdo qytetar, qoftë ky i papunë, invalid, student apo pensionist. Nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme pa karta identiteti për çdo qytetar shqiptar pa pasaportë”, tha Balla. Sipas tij, dokumenti i “Foreign Office” flet me shqetësim edhe për prirjen e qeverisë për të ushtruar presion dhe për të censuruar lirinë e Mediave në Shqipëri. Ccështja e korrupsionit që evidentohet në këtë raport sipas PS tregon qartë dështimin e plotë të kësaj qeverie. “Ky konstatim tregon qartë dështimin e plotë të kësaj qeverie në përballjen me korrupsionin, ndërsa ky fenomen i rrezikshëm për shoqërinë shqiptare e ka shndërruar qeverinë në një instrument pasurimi për “berishët” dhe oborrtarët e tij”. Balla theksoi se krimi shtetëror i Gërdecit, ku mbetën të vdekur 26 njerëz të pafajshëm, adresohet në raport si një “përgjegjësi direkte e autoriteteve shtetërore për të garantuar të drejtën e jetës”. “Incidenti i Gërdecit ngriti gjithashtu edhe çështje të tjera që lidhen me punën e fëmijëve, legjislacionin e punës dhe të standardeve të sigurisë e shëndetit”, tha Balla. Sipas PS raporti i Ministrisë së Jashtme Britanike, nuk është as i pari as i fundit që kanë evidentuar probleme të rëndësishme në ecurinë e proceseve integruese të Shqipërisë. “Ndërsa kësaj Qeverie i mungon çdo sens reflektimi dhe marrje përgjegjësie”, tha Balla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›