E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kartat”, mungesa e energjisë le në radhë emigrantët

Vazhdojnë problemet në aplikimet për letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike në vend. Në Dropullin e poshtëm problemet kanë ardhur për shkak të mungesës së energjisë elektrike, ç’ka ka lënë në radhë aplikuesit. 

GJIROKASTËR- Probleme në aplikimin për letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike në Dropullin e poshtëm. Mësohet se ka patur probleme në aplikim për shkak të mungesës së herë pas hershme të energjisë elektrike ku për disa ditë me radhë ndërprerjet kanë krijuar anomali të procesit për të gjithë aplikuesit. Veçanërisht emigrantët shqiptar të cilët dynden në radhë të gjata për tu pajisur me mjetin e identifikimit.

Sipas të dhënave nga zyra e aplikimit, mësohet se kërkesat gjatë ditës janë të shumta dhe arrijnë deri në 80, ndërsa fluksi i emigrantëve dhe koha e shkurtër që kanë në dispozicion ata për të qëndruar në Shqipëri duket se ka shtuar shqetësimin e tyre në procesin e aplikimit.

Gjatë ditës së djeshme, puna në komunën e Dropullit të poshtëm u ndërpre për shkak të mungesës së energjisë elektrike, ndërsa në pritje kanë qenë me dhjetra qytetarë pjesa më e madhe e të cilëve janë emigrantë. Këtij shqetësimi të qytetarëve u shtohet dhe vështirësia në përballimin e këtij fluksi për shkak të vënies në funksion vetëm të një kompjuteri, ç’ka e kthen në një mankth të vërtet procesin veçanërisht për emigrantët. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›