LSI: Sondazhi “Zogby”, si fallxhorja Sharlotë
Lëvizja Socialiste për Integrim ka hedhur poshtë sondazhin e publikuar nga kompania ‘Zogby”, e cila shpallte si fituese të zgjedhjeve të ardhshme, PS me 39% të votave. I pyetur në lidhje me shifrat e publikuara nga kompania amerikane, sekretari i përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili u shpreh dje se këto publikime janë ndjekur me humor nga ana e partisë së tij, duke theksuar se kompania “Zogby” nuk shquhet për seriozitet në sondazhe. Vasili u shpreh se sondazhe të tilla do të qëndronin më mirë në ndonjë emision humoristik. “Zogby international” publikoi dy ditë më parë sondazhin e muajit shkurt, sipas të cilit diferenca mes PD dhe PS ishte ulur, ndërsa LSI qëndronte konstante parti e tretë me 5 për qind. Gjithashtu, G99 merrte 2 për qind nga zgjedhësit, por dhe disa nga partitë e vogla me nga 1 për qind.