E Diel, 1 Nëntor 2026

Fryhet lumi Devoll, përmbyten mbi 100 hektarë tokë në Sovjan

Fryrja e lumit Devoll me një metër më shumë lartësi sesa kuotat normale ka çuar në përmbytjen e një sipërfaqeje prej 100 hektarësh në fushën e Devollit dhe në zonën e Sovjanit. Reshjet e ditëve të fundit dhe shkrirja e dëborës kanë çuar në fryrjen e lumit dhe daljen e tij nga shtrati, duke shkaktuar edhe përmbytjen e sipërfaqeve të tokës në të dyja anët. Sipërfaqe të tëra kanë mbetur nën ujë jo vetëm në pjesën e Sovjanit me nivel më të ulët se ujërat nëntokësore, të cilat mbeten të përmbytura në kohë reshjesh, por edhe në sipërfaqet e fushës së Devollit. Sipas drejtorit të Bordit të Kullimit, Gentian Pere, problemet kryesore kanë qenë për shkak të daljes së lumit nga shtrati dhe nivelit maksimal të ujërave. "Ka vite që nuk ndodh një përmbytje e këtyre përmasave, pasi niveli dhe kuotat e lumit Devoll kanë qenë normale. Por edhe pse këtë vit janë kryer ndërhyrjet me thellimin e shtratit, niveli i ujërave ka qenë maksimal me mbi një metër lartësi dhe ka çuar në daljen e lumit nga shtrati. Me mjetet e Bordit të Kullimit dhe të emergjencave civile është bërë edhe ndërhyrja për të kryer gërryerjen dhe thellimin e mëtejshëm të shtratit të lumit. Këto janë sipërfaqe në afërsi të të cilave nuk ka banesa dhe janë kryesisht të zonës torfike që ndodhet nën nivelin e ujërave dhe përmbyten më lehtë nga dalja e lumit. Një pjesë e sipërfaqeve janë bujqësore, të shfrytëzueshme nga banorët e zonës. "Nga ana jonë dhe nga shtabi i emergjencave civile në Prefekturën e Korçës është punuar gjatë gjithë natës, megjithatë ka ende probleme. Kjo rritje e nivelit maksimal është shkaktuar nga reshjet e shiut, bashkimi me një pjesë të përroit të Oshticës dhe shkrirja e dëborës në male, që ka çuar në shtimin e prurjeve të lumit", tha Gentian Pere. Ndërhyrjet kryesore, sipas të dhënave të Bordit të Kullimit, janë përqendruar në këtë lumë dhe në kolektorin e Sovjanit. Nga të dhënat ende nuk ka një përllogaritje të dëmeve për sektorin e bujqësisë dhe këto do të vlerësohen nga kontaktet me fermerët për sipërfaqet të cilat janë të shfrytëzueshme, si toka bujqësore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›