E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librazhd, shembja e tokës hap varret

Fatkeqësitë u bien të gjallëve, por në një fshat të Rrethit të Librazhdit ndodh e kundërta. Ata që jetojnë me këmbët mbi tokë sakrifikojnë për të vdekurit që konsiderohen "në rrezik". Fshati Qafë-Dardhë, i rrezikuar i tëri nga rrëshqitjet e tokës, dje është përfshirë nga një tjetër hall. Rrëshqitjet e fundit kanë prekur varrezat e fshatit, duke hapur varre e krijuar një situatë të jashtëzakonshme.

Rreth 500 kryefamiljarët e këtij fshati, të cilët po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për strehim, dje janë angazhuar në shpëtimin e atyre që nuk jetojnë më, të cilët njësoj si të gjallët rrezikojnë të mbeten nën qiell të hapur, pasi "banesa e fundit" nuk u garanton më qetësi.

Burrat e fshatit janë hedhur në "aksion" për shpëtimin e varrezave. "Nëse ne zhvendosemi nga ky fshat, apo detyrohemi të jetojmë në çadra plastmasi, nuk duam që të afërmit, të cilët i kemi përcjellë me të gjitha nderimet që u bëhen të vdekurve, të vuajnë mungesën e një varri për shkak të rrëshqitjeve të dherave", tha Nezir Muzhaqi, kryeplak i fshatit Qafë-Dardhë.

Për të vdekurit, gjatë ditës së djeshme nuk është kërkuar asnjë ndihmë nga instancat vendore. Banorët e fshatit, që për shkak të rrëshqitjeve të dheut mund të zhduken, kanë menduar për zhvendosjen e mbi 100 varreve që prej disa ditësh kanë lëvizur vendit, duke u postuar disa metra.

Kësisoj kanë gërmuar varre mes eshtrave dhe trupave të patretur. Jo pak familje, ato plastmase që kishin blerë për të mbrojtur fëmijët nga shiu dhe dëbora, i kanë përdorur dje për të mbuluar skeletet e të afërmve të vdekur. Deri në orën 17:00 të ditës së djeshme, vendasit kanë mundur të zhvarrosin e të rivarrosin rreth 45 varre, por "aksioni" i tyre do të vazhdojë edhe në ditën e sotme. Deri sa të mbarojë ky "amanet", të gjallët mbi tokë nuk ndjehen të qetë, po nuk sistemuan ata nën tokë. Vetëm pas kësaj do të mendojnë për të gjitha hallet mbitokësore, që sipas kreut të komunës, Veli Tereziu, mbeten pa zgjidhje. Banorët e Qafë-Dardhës kanë refuzuar këto ditë ndihmat e Kryqit të Kuq, duke kërkuar një zgjidhje serioze për strehim dhe jo lëmoshë në ushqime. Sipas kreut të komunës, banorët e këtij fshati nuk kanë nevojë për vaj e kripë, por për akomodim përfundimtar në një zonë tjetër të Rrethit të Librazhdit apo brenda Qarkut të Elbasanit, që të jetojnë dhe të punojnë pa frikën e shembjes së shtëpive të tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›