Shkodër, bashkia përdor dhunën për të shembur një shtëpi
Prishja e një shtëpie, e ndërtuar prej 70 vitesh, nga policia ndërtimore, për t‘i hapur rrugën një investimi që ka të bëjë me ndërtimin e një rruge në periferi të qytetit, është bërë shkak i një përleshjeje fizike mes pronarëve të shtëpisë dhe policisë. Familjarët janë revoltuar së tepërmi, pasi Bashkia e Shkodrës e ka vlerësuar banesën e tyre vetëm 8 milionë lekë të vjetra, ndërsa tokën 3 milionë lekë të vjetra. Në kushtet kur një banesë 1+1 në Shkodër kushton të paktën 25 milionë lekë të vjetra, familja nuk ka pranuar të dalë nga shtëpia për të penguar shembjen e saj. Inspektorati ndërtimor ka kërkuar ndihmën e policisë së rendit, që ka përdorur forcën për të nxjerrë banorët jashtë shtëpisë. Në fillim është shoqëruar në polici pronari i banesës, Ylli Curri, dhe më pas policia ka nxjerrë me forcë pjesëtarët e tjerë të familjes. Pas rreth 30 minutash, policia e rendit ka bërë të mundur zbrazjen e gjithë banesës dhe fadroma e ndërtimorëve ka nisur shkatërrimin. Duke folur për mediat, familjarët shprehen të alarmuar nga veprimi i bashkisë dhe policisë së rendit, të cilët, pa asnjë bazë ligjore, shembin një shtëpi me të gjithë dokumentacionin e rregullt. Ata thanë se nuk janë kundër ndërtimit të rrugës, por duan kompensim real, pasi me 11 milionë lekë të vjetra nuk mund të blejnë shtëpi. Pronari i shtëpisë, Ylli Curri, tha se çështja është në gjykatë, madje dje Gjykata e Shkodrës është shprehur se përpara se të ndërhyhet nga ndërtimorët, duhet të pritet vendimi i qeverisë për shpronësimet. "Nuk di ku të drejtohem për drejtësi, kur të gjitha strukturat shtetërore po më dhunojnë, si në kohën e diktaturës", tha Ylli Curri.