Shkodër, diplomati amerikan interesohet për kartat
SHKODER – Zv.ambasadori amerikan në Tiranë, Stephen Cristina, gjatë një vizite pune në qytetin e Shkodrës ka bërë edhe një ndalesë në vendin e aplikimit dhe të marrjes së kartave të identitetit. Fillimisht, Cristina ishte i ftuar për të marrë pjesë në një vizitë në shkollën profesionale “Peter Mahringer”, e para e këtij lloji në vendin tonë nga shteti austriak. Më pas, diplomati amerikan, i shoqëruar dhe nga kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, i është drejtuar sporteleve të aplikimit dhe të tërheqjes së kartave pranë kësaj bashkie, për të parë nga afër ecurinë e këtij procesi në qytetin e Shkodrës. Gjatë kësaj vizite, Cristina me shqipen e tij të ngadaltë, por të pastër, ka pyetur qytetarët që po aplikonin nëse kishin kohë që prisnin dhe nëse kishin pasur probleme. Gjithashtu ka pyetur edhe operatorët e kompanisë SAGEM për ecurinë e këtij procesi. Vizita e tij ka vazhduar në një takim pa praninë e mediave me kryebashkiakun Luka. Mësohet se ky takim ka pasur në qendër pikërisht procesin e kartave në qytetin e Shkodrës. Sipas informacioneve të Bashkisë së Shkodrës mësohet se që nga fillimi i procesit të aplikimit për karta deri më 1 maj kanë aplikuar 34.898 shtetas. r.d