E Shtunë, 31 Tetor 2026

Numërimi me dy anëtarë, tërhiqet PS

 

BLEDAR HOTI

Partia Socialiste tërhiqet nga qëndrimi i saj për mos numërimin e votave nga dy anëtarë, duke ofruar një variant të sajin konsensual. Udhëzimi për procedurën e numërimit të votave nga ana e anëtarëve të GNV-ve, është miratuar pas tre mbledhjesh radhazi të zhvilluara me debate mes anëtarëve të KQZ-së, si dhe mes PS-së dhe PD-së. Socialistët pranuan që procesi i numërimit të votave mund të vazhdojë me dy anëtarë, veçse në prani të kamerave filmuese. Në rast se kamerat nuk regjistrojnë, atëherë procesi i numërimit duhet të ndërpritet. Socialistët kanë paraqitur një formulë për të shtuar një pikë 6 në nenin 3 të Udhëzimit. “Në rast se Grupi i Numërimit të Votave funksionon me 2 anëtarë sipas përcaktimit të nenit 95, pika 3 të e Kodit Zgjedhor, detyrimisht ky proces duhet të jetë i regjistruar nga kamerat e teknologjisë mbështetëse të instaluara në ambientet e VNV-së. Në rast se regjistrimi me kamera nuk funksionon për çfarëdo arsye dhe numërimi i kutisë nuk ka përfunduar, atëherë numëruesit përfundojnë numërimin e kësaj QV-ve dhe procesi ndërpritet deri në vënien në funksionim të teknologjisë mbështetëse (kamerave), ose plotësimin e grupit të numërimit të votave”, thuhet në pikën gjashtë të këtij neni. Gjithashtu përcaktohet se “kjo procedurë dhe ora e saktë e ndërprerjes dhe rifillimit të funksionimit të teknologjisë mbështetësve të grupeve të numërimit, shënohet në librin e protokollit”. Ndërsa përfaqësuesi i LSI-së në KQZ, Ilirjan Muho paraqiti një variant në të cilin përcaktohet se në rast se ndërpritet filmimi me kamera i procesit të numërimit, vëzhguesit e partive të koalicioneve afrohen në grupet e numërimit të votave. “Në këtë rast KZAZ lejon vëzhguesit e koalicioneve që nuk kanë anëtarë në GNV të afrohen pranë tavolinës së numërimit të votave. Kjo procedurë dhe ora e saktë e ndërprerjes dhe rifillimit të funksionimit të teknologjisë mbështetësve të grupeve të numërimit, shënohet në librin e protokollit”, është propozimi i LSI-së. Kjo pikë konsensuale në KQZ u miratua dhe u përfshi në paragrafin e fundit të pikës 5 së nenit 3. Përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti ka pasur kontestimet e tij në lidhje me shprehjen e vendosur se duhet pritur plotësimi i grupit. “Nëse ai ikën dhe vjen kjo nuk është plotësim i grupit, duhet të përcaktohet qartë”, ka deklaruar Kosovrasti. Pavarësisht kontestimeve që pati përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, kreu i KQZ-së, Arben Ristani i ka hedhur në votim për shkak se ka pasur një konsensus të gjerë. Udhëzimi u miratua me 6 vota pro nga ana e anëtarëve të pranishëm të KQZ-së. Kosovrasti kishte propozuar një variant të tijin për grupet e numërimit të votave, por që nuk u mor në konsideratë nga ana e KQZ-së, për shkak të konsensusit me PS-në. Në bazë të këtij udhëzimi, numëruesit duhet të paraqesin para kamerës fletën e votimit, nga para për 4 sekonda, ndërsa nga pjesa e pasme për tre sekonda. Fleta e votimit duhet të paraqitet në kamera vetëm një herë të vetme.

Fleta e Votimit bllokohet në Kolegj
Fleta e Votimit mund të bllokohet nga një vendim i Kolegjit Zgjedhor. Shkak është bërë ankimimi i bërë nga ana e Partisë Socialiste ndaj vendimit për miratimin e listës shumëemërore të deputetëve të PAA-së në kolegjin zgjedhor, për shkak të mos arritjes së 30 për qind të femrave. PS në ankimimin e saj kërkon që fillimisht të bllokohet prodhimi i fletës së votimit nga ana e KQZ-së, pasi nëse vendimi do të rrëzonte listën e PAA-së, i binte që fondet e përdorura të shkonin dëm dhe së dyti të shpallte të pavlefshëm vendimin e KQZ-së, pasi është marrë në kundërshtim me Kodin. Pritet që Kolegji në ditën e sotme të hedhë shortin se cili gjyqtar do ta marrë dhe në cilën datë do të shpallet vendimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›