Kartat, sanksionet pas 15 prillit
adi shkembi
Qytetarët që nuk janë pajisur me karta identiteti deri në 15 prill do të përballen me sanksione që shkojnë deri në ndalimin e rrogës dhe pensionit. Ministria e Brendshme u bëri sërish thirrje personave që nuk kanë pasaportë, të aplikojnë pranë zyrave të ngritura enkas në gjendjet civile, për pajisjen me dokumentin që përveç të tjerash do t’i bëjë të mundur edhe pjesëmarrjen në zgjedhjet e 28 qershorit. Zëdhënësi i këtij dikasteri, Fatmir Konja, tha në një konferencë për shtyp që të gjithë qytetarët, të cilët nuk janë të pajisur me dokumentin për jashtë shtetit, të paraqiten për të aplikuar për letërnjoftimin. “Nëse një qytetar nuk disponon as pasaportën për udhëtim jashtë vendit dhe as letërnjoftimin elektronik, atëherë ai nuk do të mundet të votojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Të gjithë ata persona që nuk kanë pasaportë dhe nuk do të kenë marrë letërnjoftimin elektronik deri më datën 15 Prill 2009, do të kenë të gjitha sanksionet e parashikuara në VKM dhe nuk do të marrin asnjë shërbim publik nga institucionet shtetërore”, theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme. Ndërkohë ky dikaster ka marrë një tjetër nismë për përshpejtimin e procesit, pasi nxori pak kohë më parë vendimin që iu jepte përparësi për t’u pajisur me kartë identiteti qytetarëve, që nuk kishin pasaportë për jashtë shtetit. Kështu kryetarët e bashkive dhe komunave, së bashku me policët në komunitet janë urdhëruar të kontaktojnë me qytetarët që nuk kanë aplikuar për të kryer këtë proces. “Ministria e Brendshme u ka kërkuar kryetarëve të bashkive dhe komunave në vend dhe punonjësve të policisë në komunitet të kontaktojnë dhe lajmërojnë të gjithë ata qytetarë që nuk kanë pasaporta, për t’u paraqitur në zyrat e aplikimit, të cilat janë në dispozicion të këtij grupi qytetarësh. Ministria e Brendshme beson në mirëkuptimin e qytetarëve dhe gatishmërinë e tyre për të realizuar së bashku këtë proces”, vijoi më tej Konja.
Sanksionet
Sipas vendimit të qeverisë që iu jep të përparësi personave, të cilët nuk janë të pajisur me pasaportë udhëtimi, deri më 15 prill nëse ata nuk aplikojnë përballen me sanksione që nga mosmarrja e rrogës, nëse punojnë në administratë dhe pensionet apo shpërblimet. Në të njëjtën kohë kjo kategori qytetarësh nuk do të mund të kryejë më shpërblimet në gjendjen civile apo edhe të pajisjet me certifikatë pronësie nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Një tjetër sanksion nëse qytetari nuk pajisjet me kartën e identitetit është edhe lëshimi ose rinovimi i lejeve, autorizimeve, licencave nga organet e pushtetit qendror/vendor ndaj personave fizikë dhe përfaqësuesve ligjorë të personave juridikë. Sipas Kodit të ri Zgjedhor të miratuar në fund të vitit të kaluar në parlament, dy dokumentet e vetme që do të përdoren për të votuar në 28 qershor janë pasaporta për jashtë shtetit dhe karta e identitetit.
Sanksionet pas 15 prillit
Qytetarët s’mund të përfitojnë:
a) Pagesën ose shpërblimet për të gjithë personat fizikë, të punësuar në administratën dhe institucionet publike, si dhe për personat e punësuar në shoqëri, agjenci a ente shtetërore, qendrore apo vendore;
b) Pagesën apo shpërblimet për pensionistët;
c) Pagesën për ndihmë, përkrahje sociale apo çdo lloj ndihme tjetër, ofruar nga institucionet publike, qendrore dhe vendore;
ç) Pranimin në provimet e fundvitit dhe regjistrimin në vitin shkollor/akademik pasardhës për të gjithë ata që ndjekin studimet në shkollat e mesme dhe të larta, për pjesëmarrësit në konkurse apo gara të ndryshme, të organizuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës;
d) Pajisjen me pasaportë për jashtë shtetit;
dh) Shërbimin në zyrat e gjendjes civile, me përjashtim të regjistrimit të akteve të lindjes dhe të vdekjes, si dhe pajisjes me certifikatë me fotografi për qëllim aplikimin për letërnjoftim sipas këtij vendimi;
e) Lëshimin ose rinovimin e lejeve, autorizimeve, licencave nga organet e pushtetit qendror/vendor ndaj personave fizikë dhe përfaqësuesve ligjorë të personave juridikë;
ë) Aplikimin dhe pajisjen me certifikatë pronësie nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
f) Aplikimin dhe lëshimin e dokumentit/Leje drejtimi automjeti dhe kolaudimin e tyre;
g) Lëshimin e vërtetimeve dhe të dokumenteve të tjera, të ngjashme me to, nga administrata gjyqësore;
gj) Shërbimet noteriale;
h) Shpërndarjen e karburantit pa akcizë për fermerët;
i) Shërbimin nga zyrat e Alba-Postës