Rama: Nuk jam në garë për t’u ngjitur me çdo kusht në qeveri
“Unë nuk jam në këtë garë për t’u ngjitur me çdo kusht në qeveri bashkë me disa ministra të tjerë, por për të transformuar bashkë me ju një vend në mes të Evropës, që është vendi ynë”. Me këto fjalë e ka nisur takimin e tij Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në Përmet në vijim të turit me “Vullnetarët për Ndryshim” në jug të Shqipërisë. Në qendër të fjalës së tij, Rama ka folur për ndryshimin që i duhet vendit dhe që duhet të vijë me zgjedhjet e 28 qershorit, që sipas Ramës janë historike për fatet e gjithë shqiptareve dhe shqiptarëve. Për Edi Ramën, vendi ka nevojë për një ndryshim të madh dhe këtë ndryshim të madh, mund ta realizojë vetëm Partia Socialiste, me bashkimin e ri opozitar të së gjithë qytetarëve. “Unë nuk dua ta fitoj këtë garë për të vazhduar shfaqjen që shohim prej 18 vjetësh në politikën e qeverisjen e vendit, por për të bërë të mundur që të shfaqim së bashku më të mirën, që kemi brenda nesh dhe ta bëjmë Shqipërinë ashtu siç përshkruhet në amanetin e të parëve tanë. Unë do ta fitoj këtë garë bashkë me ju, sepse besoj tek Shqipëria, besoj tek talenti dhe forca e njerëzve të thjeshtë të këtij vendi, besoj tek një atdhe, të cilit Zoti i ka dhënë gjithçka që i duhet, për të qenë i begatë dhe besoj se asgjë nuk është e pamundur nëse jemi bashkë”, tha Rama. Sipas kreu socialist, “ndryshimi që i duhet Shqipërisë dhe që duan të gjithë njerëzit si ju, nuk mund të vijë duke parë lartë se çdo të bëjnë ata që prej 18 vjetësh bëjnë të njëjtën gjë, por duke parë njëri-tjetrin si njerëz që duam të njëjtat gjëra dhe duke u bashkuar me njëri- tjetrin për një politikë të re, që mendon e punon për zgjedhësit, e jo për të zgjedhurit”.