E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një ide që i ka ardhur koha

Skënder Minxhozi 

Edhe një herë, ashtu siç ka ndodhur në vitin 2001 dhe pjesërisht edhe në 2005, e djathta alternative, ajo nebulozë partish dhe formacionesh, që nuk e gjen veten në tryezën qeveritare të PD, ka vendosur të hedhë zaret dhe të provojë fatin. Poli i Lirisë, i themeluar nga “Ligj dhe Drejtësi”, Partia Demokristiane dhe LZHK, po kërkon të sfidojnë sërish fatin dhe historinë e 20 viteve të fundit, duke kërkuar vota jashtë skemës së vjetër të Berishës, Mediut dhe Pollos. Ky grupim, i galvanizuar më shumë se kurrë nga devijimi praktikisht i pakthyeshëm i qeverisë së PD, nga premtimet me sfond të djathtë që u hodhën pa doganë në verën e vitit 2005, po pretendon t’i japë fund devizës se Berisha është pronari i vetëm i votave të së djathtës në Shqipëri. Disa ditë pas daljes publike, kjo aleancë ka bërë të njohur se çfarë synon të arrijë në këto zgjedhje. Pra, të thyejë dominimin elektoral të PD, duke u faktorizuar dhe duke marrë një pjesë të votave që Ngjela, Ndoka e Shehi i konsiderojnë si të tradhtuara nga katër vjet qeverisje e Partisë Demokratike.
Në një logjikë të thatë pluraliste, nuk mund të shihet veçse si pozitive kjo dalje publike e këtij formacioni të ri të djathtë. Kjo sepse ndërkohë që e majta ka vite që jeton një praktikë të gjallë, disa herë të zhurmshme e konfliktuale debati të brendshëm, e djathta i ka ngjarë një moçali të fjetur, ku asgjë s’ndodhte jashtë vullnetit dhe axhendës ditore të zotit Berisha. Të dëshirosh të kundërthuash dhe të ndryshosh këtë realitet politik asfiksues, është sa e vështirë, aq edhe fisnike.
Megjithatë kjo aleancë e re elektorale, ndodhet përballë një rreziku jo të vogël taktik. Që është ai i ndërtimit të një strategjie të qartë politike dhe elektorale, që nis me vendosjen e saktë të këtij grupimi në raport me votuesin e tij dhe që mbaron me mënyrën, apo më mirë mënyrat konkrete, me anë të të cilave ai do të dijë të bëhet tërheqës për mijërat e shqiptarëve, të cilët ditën e zgjedhjeve nuk duan të votojnë Berishën, por që s’duan të votojnë as edhe Ramën apo Gjinushin ose Metën.
Nga deklarimet e para publike, vihet re edhe një herë tundimi i vjetër i Polit të Lirisë, për të deklamuar sërish me forcë listën e tezave tradicionale të pronës, ish-të përndjekurve dhe të gjithë atyre që vijojnë të besojnë te një Shqipëri që përgjithësisht gjendet vetëm te fotot bardh e zi të Marubit. Kriticizmi ndaj qeverisë, me përjashtim ndoshta të deklaratave të Ngjelës për shkeljet flagrante të maxhorancës ndaj ligjit dhe Kushtetutës, përmblidhen edhe një herë te problematika e njohur që prek disa shtresa të caktuara të shoqërisë, por jo të gjithë shoqërinë. Natyrisht që kjo është një premisë negative dhe jo një fenomen i konsoliduar brenda Polit të Lirisë, por që duhet marrë shumë seriozisht parasysh, nëse lidershipi i këtij grupimi nuk dëshiron që kauza e tij madhore, të tkurret e mpaket nga kauza të tjera, gjithsesi më të vogla. Nëse është e vërtetë që një formacion i djathtë politik ka një sy preferencial për çështje të tilla si prona, tregu dhe liritë, është gjithaq e vërtetë që Shqipëria e sotme ka një listë kaq të koklavitur problemesh dhe prioritetesh, saqë çdo axhendë klasike dhe e rreshtuar e një krahu të caktuar, s’do mund të quhej konkurruese dhe e plotë,  nëse nuk do të merrte parasysh të gjithë gamën e problemeve, e jo vetëm një pjesë të tyre.
E djathta shqiptare është prej rreth njëzet vjetësh viktimë e një incidenti historik. Në krye të saj, domethënë në krye të formacionit kryesor të saj, ndodhet një person që ka pasur gjatë jetës së tij një trajektore sociale, kulturore dhe politike krejtësisht të ndryshme nga ajo e antikomunistit që ka vuajtur persekutimin e regjimit të dikurshëm apo ekzilin në ndonjë vend perëndimor. Shumëkush brenda këtij krahu e ka ndjerë ndër vite këtë frustrim, por s’ka qenë në gjendje të ngrihet mbi tabunë e madhe që përbënte dhe përbën hedhja e poshtë e Sali Berishës, si figura qendrore e spektrit dhe si katalizatori tradicional i votave. Poli i Lirisë duket se ka ndërmend t’i hyjë edhe një herë nga e para kësaj sfide, ku të gjithë paraardhësit, përfshirë edhe vetë figurat qendrore të Polit, kanë dështuar në të shkuarën.
E djathta, në të gjithë komponentët e saj në qeveri apo jashtë saj, ndodhet në një udhëkryq delikat, i cili kulmon me zgjedhjet e qershorit. A do të ndjekë ky krah rrugën e afirmimit për të disatën herë të së njëjtës ofertë historike që e kemi parë dhe jetuar në lëkurën tonë, apo do të hapet një proces rinovimi emrash dhe mentalitetesh? Dhe ndoshta më e rëndësishmja, a është e saktë sot të thuhet se e gjitha kjo ngrehinë shpresash dhe pikëpyetjesh lidhet kryekëput me ikjen e Berishës, apo kërkon një shndërrim shumë më të thellë strategjish dhe tezash bazë, për një filozofi të re të së djathtës, larg qerthullit izolacionist të së shkuarës dhe dështimeve të së tashmes?!
Këto dilema janë në fakt mëdyshje të mëdha ekzistenciale që e shoqërojnë të djathtën shqiptare dhe që ngërthejnë shumë më tepër sesa pretendimi banal se “s’mund të ketë të djathtë pa Berishën”. Hygoi thotë se “nuk ka gjë më të fuqishme në botë, sesa një ide të cilës i ka ardhur koha”. A është e tillë edhe e djathta e saposhfaqur e Spartak Ngjelës, Nard Ndokës e Dashamir Shehit?! Për katër muaj do ta marrim vesh...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›