E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat, shpërndarja nis të hënën

 

ADI SHKEMBI

Kartat e para të identitetit do të shpërndahen ditën e hënë. Qytetarët që i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së qeverisë dhe kanë aplikuar, që ditët e para pas nisjes së procesit, do të mund të pajisen me dokumentin e ri vetëm në fillim të javës së ardhshme. Megjithëse duhej të niste nga dita e djeshme shpërndarja e kartave, ajo është shtyrë nga autoritetet përgjegjëse. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, bëri të ditur se gjithçka do të jetë e gatshme, duke filluar nga data 2 shkurt. “Është gjithçka gati dhe ditën e hënë do të nisë pajisja e qytetarëve me kartat e identitetit. Kjo do të shoqërohet edhe me një ceremoni, ku do të marrë pjesë kryeministri”, u shpreh zv/ministri i Brendshëm. Në të njëjtën kohë, ai konfirmoi se nga dita e sotme do të nisë procesi i aplikimit për kartat e identitetit edhe në shumicën dërrmuese të qyteteve të tjera. Pone bëri të ditur se nga dita e sotme procesi do të nisë në Kamëz, ndërkohë që ditë pas dite do të ketë qytete të reja, ku qytetarët do të nisin aplikimin me dokumentin e ri biometrik. Pas daljes së vendimit të qeverisë për pajisjen me kartat e identitetit, në fillim të këtij muaji, opozita i kërkoi qeverisë t’u japë përparësi qytetarëve, që nuk kanë pasaportë për jashtë shtetit. Sipas Kodit të ri Zgjedhor, dy dokumentet e vetme që do të pranohen për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit janë pikërisht karta e identitetit dhe pasaporta. Pak ditë më parë Ministria e Brendshme bëri të ditur se qeveria ka vendosur të ndryshojë vendimin për pajisjen me karta, duke i dhënë përparësi qytetarëve, që nuk kanë pasaportë për jashtë shtetit. Kështu shtetasit, të cilët janë të detyruar të pajisen me letërnjoftim, sipas pikës 3 të këtij vendimi, që janë mbi moshën 18 vjeç në datën 28 qershor 2009 dhe nuk disponojnë pasaportë, duhet të pajisen me letërnjoftim deri më 15 prill 2009. Por nëse këta shtetas nuk aplikojnë deri në 10 shkurt nuk do të mund të marrin pasaportë për jashtë shtetit apo të pajisen me certifikatë pronësie. “Procedura e aplikimit për shtetasit e tjerë, sipas pikës 3 të këtij vendimi, fillon në datën 1 prill 2009. Bëjnë përjashtim nga ky rregull, shtetasit që kanë aplikuar përpara datës 31 janar 2009, për të cilët pajisja me letërnjoftim do të vazhdojë rregullisht”, thuhet më tej në vendim.

Vasili: Qeveria përgjegjëse për kartat
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili akuzoi qeverinë për zvarritjen e procesit të pajisjes me karta identiteti. “Ne kemi bërë publik një plan emergjent, i cili duhej ndërmarrë nga Berisha për zgjidhjen e situatës, por Berisha ka zgjedhur me kohë që të bëjë veshin e shurdhër, ose t’i marrë në konsideratë këto dhe t’i shesë sikur janë zgjidhje të tijat. Ne nuk jemi në merak të madh për autorësinë e zgjidhjeve, sepse ndërkohë jemi të bindur që qoftë në Partinë Demokratike, qoftë në Partinë Socialiste, mania e plagjiatorëve, e atyre që kopjojnë ide sepse nuk kanë ide të tyret, është e vjetër”, tha Vasili. Sipas tij, LSI kërkon zgjedhje brenda standardeve.

PS: Vonesa me kartat, ogur i keq për zgjedhjet
Nënsekretari për Çështjet Ligjore në PS, Damjan Gjiknuri shprehu dje shqetësimin, në lidhje me procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. “Kanë kaluar mbi dy javë që nga fillimi i aplikimit për karta dhe asnjë shtetas nuk është pajisur me një të tillë. Përtej deklarimit zyrtar se karta merret pas dy javësh pas aplikimit, asnjë evidencë në terren nuk e mbështet një deklarim të tillë. Për më tepër aplikantëve tashmë nuk po u jepet më datë për to,  e kështu duke e kthyer këtë proces më shumë në një demagogji elektorale apo pse jo, një gënjeshtër publike”, tha Gjiknuri. Duke folur për mungesën e informacionit se ku ndodhet ky proces, Gjiknuri e sheh situatën tejet kaotike. “Asnjë zyrtar nuk mund të thotë me saktësi, se kur do të fillojë nga puna qendra e përpunimit dhe prodhimit të kartave. Kaosi dhe misteret që rrethojnë të gjithë këtë proces, hedhin dritë mbi dyshimet tona të hershme, se mënyra e kontraktimit dhe procedura e përzgjedhur nga qeveria shqiptare për prodhimin e kartave, fsheh abuzim që si pasojë sjell çorganizim dhe mungesë llogarie. Akoma deri më sot asnjë zyrtar i lartë shqiptar nuk di të thotë me siguri se kur do të fillojë ky proces në të gjithë Shqipërinë, ndërkohë që sot po na thonë se procesi do të fillojë vetëm në qytetet e tjera të vendit, duke harruar si pa dashje, me qindra komuna ku jeton gati 50 % e popullsisë”, tha Gjiknuri. Sipas përfaqësuesit të PS-së “çdo dështim në këtë proces dhe si rrjedhim çdo implikim në lidhje me zgjedhjet, janë dhe do të mbeten një përgjegjësi vetëm e qeverisë shqiptare të kryesuar nga Sali Berisha”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›