Shamku: Diplomat, copa revoltuese letre
Partia Socialiste denoncoi dje mungesën e kuadrit ligjor, për studentët që mbarojnë sistemin 3-vjeçar të arsimit të lartë. Duke dalë në mbrojtje të studentëve të Fakultetit të Gazetarisë dhe Shkencave Sociale, të ngritur në protesta në kërkim të diplomave, kryetarja e Komisionit të Edukimit në Asamblenë Kombëtare të PS, Ledi Shamku, ka dënuar mënyrën e trajtimit nga MASH, në mos përcaktimin e statusit për këta studentë. Sipas Shamkut, Ministria e Arsimit po shpërfill studentët edhe pse ata po protestojnë për diplomat që u janë servirur. “Studentët kanë ditë që protestojnë, por po ndeshen në një shpërfillje irrituese të MASH-it, e për rrjedhojë të një shteti rrumpallë që arsimin s’e ka më në axhendë, e që i mbështjellë tashmë nga një injorancë e plotë, flet madje në emër të Kartës së Bolonjës”, tha Shamku. Ndër të tjera ajo e ka konsideruar qeverinë si qeveri rrumpallë, që nuk e ka fare arsimimin në axhendën e tij. “Copat revoltuese të letrës që kjo Ministri ka lëshuar, janë maja e ajsbergut e një papërgjegjshmërie të paparë, për të cilën prej 6 muajsh kemi kërkuar të merren masa urgjente. Masat nuk u morën kurrë dhe ky është motivi që ‘diplomat e 3-vjeçarit’ s’guxon t’i firmosë askush. Nuk i firmos pasi nuk ka akte ligjore që rregullojnë statusin që do të kenë të diplomuarit, që nuk vijojnë studimin e thelluar 2-vjeçar. Me ta janë larë duart duke i lënë në mëshirë të fatit, a më troç, në mëshirë të një mashtrimi të madh”, tha Shamku. Ndërkohë, Partia Socialiste ka bërë të ditur se problemi i studentëve të gazetarisë, të cilët po protestojnë për diplomat e 3-vjeçarit është një problem që do të prekë të gjithë studentët, që po studiojnë sipas Kartës së Bolonjës.