Kartat, votuesit pa pasaportë kanë aplikuar vetëm 21.7%
ADI SHKEMBI
Kur kanë ngelur edhe 70 ditë nga zgjedhjet e 28 qershorit, vetëm 21.7% e votuesve pa pasaportë kanë aplikuar për t’u pajisur me kartat e identitetit. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka informuar dje komisionin ad hoc për ecurinë e këtij procesi lidhur me aplikimin e qytetarëve deri në 6 prill. Nga shifrat zyrtare rezulton se deri në këtë datë janë paraqitur pranë stacioneve në gjendjet civile 441.342 qytetarë, nga të cilët vetëm 95.265 kanë marrë tashmë dokumentin e ri që do t’u mundësojë votimin në 28 qershor. Sipas të dhënave në datë 6 prill kanë aplikuar 12.018 qytetarë dhe 7638 qytetarë janë paraqitur për të marrë kartën. Por shqetësimi kryesor i opozitës edhe në mbledhjen e djeshme të këtij komisioni ka qenë pikërisht pajisja me karta të qytetarëve që nuk kanë pasaportë dhe që rrjedhimisht sipas Kodit Zgjedhor nëse nuk marrin dokumentin e ri, nuk mund të votojnë. Nga tabela e hartuar nga gjendja civile për 12 qarqet e vendit, rezulton se vetëm 159.006 qytetarë, nga 729.710 që janë pa pasaportë, u janë drejtuar stacioneve të ngritura për të aplikuar. Situata më problematike paraqitet në qarqet Kukës (kanë aplikuar vetëm 2.5% e qytetarëve pa pasaportë); Dibër (me 4.1% të aplikuesve) dhe Elbasan (me 14.1% të aplikuesve). Ndërkohë qarku me përqindjen më të madhe të aplikuesve është Tirana, ku nga 164.259 qytetarë pa pasaportë janë paraqitur pranë stacioneve për marrjen e kartës së identitetit 65.227 qytetarë ose 39.7%. Por pavarësisht shifrave të ulëta të aplikimit, Ministria e Brendshme është optimiste se deri në ditën e zgjedhjeve janë të gjitha mundësitë që të aplikojnë 100% e qytetarëve që nuk kanë pasaportë. “Duke llogaritur kapacitetin minimal të aplikimit për stacion në 50 aplikime në ditë, për periudhën e mbetur të aplikimit 60 ditë (deri në 20 qershor), del se kapaciteti për stacion është 3000 aplikime. Duke marrë në konsideratë numrin 416 të stacioneve të aplikimit që sot janë në funksionim, shumëzuar për kapacitetin prej 3000 aplikimesh të çdonjërit prej tyre, del se kapaciteti i aplikimeve deri në 20 qershor 2009 është 1.248.000, shifër kjo që është më e madhe në qoftë se do të kemi parasysh se planifikohen të shtohen edhe disa dhjetëra stacione të reja aplikimi”, thuhet në materialin e ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, për komisionin ad hoc. Ndërkohë mësohet se aplikimi për letërnjoftim do të vazhdojë deri në 20 qershor dhe javën e fundit aplikimi do të pezullohet dhe të gjitha kapacitetet do të shkojnë për shpërndarjen e letërnjoftimeve të prodhuara. Duke filluar nga kjo javë, zyrat e aplikimit do të jenë të hapura të shtunave dhe të dielave. Me gjithë shqetësimet e anëtareve të PS-së në komisionin ad hoc, përfaqësuesit e maxhorancës janë shprehur optimistë për procesin. Deputeti Fatos Hoxha akuzoi kreun e PS-së, Edi Rama, se po saboton pajisjen e qytetarëve me karta. “Edi Rama ka shpërndarë urdhër në të gjithë të zgjedhurit lokalë të PS-së që të bllokojnë pajisjen e shtetasve me certifikatë, dokument i nevojshëm për aplikim, duke i afishuar certifikatës taksa vendore, disa herë më të larta se çmimi i vetë kartës. I bëj thirrje z. Rama që të heqë dorë nga kjo lojë e të mos i prishë festën shqiptarëve, pasi 28 qershori do të jetë certifikata e tyre për anëtarësimin e vendit në BE”, deklaroi dje Hoxha, teksa konfirmoi qëndrimin e maxhorancës se zgjedhjet do të mbahen pikërisht më 28 qershor.
Situata deri në 6 prill
441.342 qytetarë kanë aplikuar për kartën e identitetit
95.265 karta janë tërhequr nga qytetarët
12.018 aplikime të kryera në 6 prill
15.000 karta të prodhuara në 6 prill
7.683 karta të shpërndara në 6 prill
19.000 karta prodhohen maksimalisht çdo ditë
Situata në çdo qark
Qarku votues pa aplikues pa
pasaportë pasaportë
Berat 37.934 10.794
Dibër 48.660 2.003
Durrës 70.426 14.613
Elbasan 79.557 11.289
Fier 80.980 15.213
Gjirokastër 17.515 2998
Korçë 51.325 12.474
Kukës 34.229 869
Lezhë 39.910 5834
Shkodër 62.717 9866
Tiranë 164.259 65.227
Vlorë 42.198 7826
Total 729.710 159.006