E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Gjendjet civile të mos pengojnë pajisjen me karta

 

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, u bëri thirrje punonjësve të gjendjeve civile, që të mos detyrojnë qytetarët të paguajnë taksat vendore në këmbim të pajisjes me certifikatë, për të aplikuar për kartat e identitetit. Në një deklaratë për shtyp, Nishani theksoi se në rast se do të vihen re precedentë të tillë, do të merren masa administrative për kësaj punonjës. “Asnjë punonjës i zyrave të Gjendjes Civile të mos kushtëzojë dhënien e certifikatës me pagesat e taksave lokale. Në çdo rast që do të identifikohet kjo praktikë, ndaj punonjësit të gjendjes civile do të merret masa administrative e pezullimit nga puna”, u shpreh Nishani. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të aplikojnë brenda prillit, pasi nga 1 maji çmimet e kartave do të jenë ato fillestaret. “Do t’u bëj përsëri thirrje qytetarëve që nuk kanë pasaporta për jashtë shtetit, të paraqiten sa më parë për të aplikuar, pasi ulja e çmimeve nga qeveria për kategoritë që kemi përcaktuar është e vlefshme deri në fundin e muajit prill, më pas ata nuk do ta përfitojnë uljen dhe të tjerët do të kenë sanksionet që ne kemi parashikuar, që do të thotë se nuk do të marrin asnjë shërbim që u duhet nga zyrat e shtetit”, vijoi më tej Ministri i Brendshëm. Në fund ai bëri të ditur se duke filluar nga kjo javë, të gjitha stacionet e ngritura pranë gjendjeve civile do të jenë të hapura edhe ditët e shtuna dhe të diela. “Njoftojmë qytetarët se zyrat e aplikimit për letërnjoftimin elektronik do të jenë të hapura edhe gjatë ditës së shtunë dhe të diel. Gjatë të gjitha ditëve zyrat do të punojnë deri në orën 18:00, për t’u dhënë kështu të gjithë mundësinë qytetarëve pa pasaportë për të aplikuar për letërnjoftimin”, përfundoi Ministri i Brendshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›