E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja, aksionare e stresit politik

Menjëherë pas deklaratave të kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë, mbi bumin turistik gjatë këtij sezoni veror, ka reaguar selia ylberiste nëpërmjet mimikës së znj.Kodheli. E lyer keq, me flokë të hekurosur dhe zë metalik sikur gërvishtej një teneqe, publiku bombardohej me mohim. Ky reagim kishte të njëjtin refren të kohëve të fundit, parakalimin e çdo forme arsyeje, sikurse edhe abdikimin nga analiza serioze. E gjitha ku synonte kjo dalje publike përkufizohet me “Pushteti është krejt i papërgjegjshëm”.
Kurse klonimi i përsosur i Edi Ramës, Edi Shalësi, pak më vonë rinovoi akuzat ndaj deputetes demokrate znj.Vokshi për mosdeklarim pasurie, paçka se ligji nuk e parashikon, në asnjërën nga pikat që i referohet Eduart “duargërshëra”.
Me pak fjalë, të dy socialistët bënë qitjen e përditshme në poligonin politik. Stërviten për ditën kur do të fillojnë bashke me shirat edhe terrorizmin logjik. Mendoni se fundamentalizmi kutist dështoi me sukses, pasi ai garantonte monizmin ideologjik duke hutuar jo vetëm militantët me të thekshëm, por edhe analistët me të mprehtë.
Si do që të jetë, çka mungon në këtë gusht është harmonia e opozitës socialiste me realitetin shqiptar. Deformimi që ka pësuar kjo parti, qëkur drejtohet nga Edvin Rama është i papërfytyrueshëm. Të bësh opozitë konstruktive apo alternative jashtë klishesë edviniste në Shqipëri është jashtëzakonisht e vështirë. Pse? Sepse mungon përqasja dhe këndvështrimi ndaj epifenomeneve sociale dhe ekonomike. Të gjithë duan të bëjnë gjëra të mëdha, dhe asnjeri gjëra të vogla. Mjafton skenografia e partisë për të ndërgjegjësuar pushtetin? Aspak. Një vendi si Shqipëria i ka rënë për pjesë të mësojë nga pësimet e mëdha historike. Ne si shoqëri na u deshën plot 500 vjet robëri orientale për të perceptuar si duhet fjalën liri oksidentale. Dhe 50 vjet komunizëm mendor e strukturor për të kuptuar fare thjesht e natyrshëm se kapitalizmi është më i mirë e më efikas në rishpërndarjen e parasë publike.
Nejse. Tani kemi 20 vjet kapitalizëm, jemi më mirë seç ishim – por ç’po bën politika për të sjellë një vizion të ri të problemeve dhe zgjidhjeve të tyre. Deri më sot s’ka ndonjë risi që ia vlen të përmendet. Politika mbetet amulli sepse ecet me parimin e inercisë, sot jam e nesër nuk i dihet. Kurse Opozita është pabesi. Pozita beson se Europa do të jetë panacea, ilaçi i gjithë problemeve tona. Por nuk është kështu. Në Europë përgjegjësitë do të shtohet dhe kërkesa e llogarisë do të jetë më e madhe. Prandaj vlerësoni se kush është po punon për të ndërgjegjësuar komunitetin. Pozita që miraton ligje, apo opozita që nuk voton ligje? Më tej opozita duket se është sekuestruar nga një jakobinizëm nihilist, që mohon gjithçka, sepse duhet bërë diçka, në mungesë të ideve politike. Qasja konstruktive është pothuaj e pamundur, pasi mungon alternativa.
Gjithsesi është e qartë se Partia Socialiste vuan ende kompleksin e inferioritetit që nis pikërisht nga lidhja e origjinës gjenetike e politike me sistemin autoritar komunist që Shqipëria përjetoi deri në 1991. Bile nuk arrin të çlirohet prej mëkateve të së kaluarës, dhe për rrjedhojë shton dozën e atyre që janë lehtësisht njëpërdormësha.
Afërmendsh një nga problemet kryesore të së majtës shqiptare, e strukturuar në parti apo e diskutuar në fshatin Pezë, është fokusimi dhe ngarkimi i të gjitha problemeve (si dhe i zgjidhjeve të tyre) tek Berisha. Në të mirë dhe sidomos në të keq, Sali Berisha është fajtor. Dhe konferencat për shtyp kanë nënkuptimin e gjyqit popullor ku dënohet, jo më me pushkatim, por me votë. Ky abort logjik justifikohet shpesh me idenë e përdorimit të së njëjtës artileri demonizuese me kundërshtarët politikë, që cilësohen si armiq. Përdorimi i shfrenuar i propagandës negative dhe rënia pre tek teknikat e spektaklit ka sjellë shfokusimin nga faktet dhe argumentet. Llafollogjia është kulti më i ri socialist. Mirëpo ky nuk është vetëm problem estetik i qenësishëm i opozitës. Mbetet problem i krejt demokracisë mungesa e argumenteve-antitrupa. Kësisoj, socialistë të rinj pa asnjë përvojë politike dhe për të qenë në tregun e dukjes marrin borxh afaristë dhe botues gazetash me interesa në lejet e bashkive socialiste të ndërhyjnë në rregullimin e skenografisë së spektaklit neverisë të konferencave jakobine, ku killerazhi verbal është gijotina e dinjitetit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›