Urdhri i Policisë për ndotjen akustike
Dy ditë përpara ngjarjes në plazhin e Golemit, në lokalin, "Rio", Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit publikoi një urdhër për mbylljen e të gjithë atyre lokaleve, diskove në bregdet që krijojnë ndotje akustike. Sipas njoftimit të parë të policisë të nxjerrë më datë 5 gusht, nga e hëna deri ditën e enjte pas orës 24.00, dhe për ditët e premte dhe e shtunë pas orës 02.00, do të ndërpriten aktivitetet që krijonë zhurma shqetësuese për pushuesit, në zonat turistike.
Në një sqarim të dytë, Policia bëri me dije se qëllimi i këtij urdhri nuk është që të mbyllen diskot, restorantet, klubet e natës, pas orarit të përcaktuar, por nësë krijojnë ndotje akustike, atëherë do të ndërmerret një veprim i tillë. Sipas policisë, të gjithë ato biznese që janë në shërbim të pushuesve përfshi lokalet dhe diskot në bregdet nuk do të mbyllen pas këtij orari, por vetëm nëse krijojnë shqetësime për pushuesit, nga muzika e lartë. Urdhri i Policisë së Shtetit, ka ardhur pas ankesave të shumta të pushuesve, vendas dhe të huaj, për volumin e lartë të muzikës në lokalet e natës në bregdet.