Presidenti Topi: “Të gjithë të përmbyturit do të shpërblehen”
Presidenti Topi apelon për më tepër solidaritet njerëzor dhe institucional
SHKDOËR – Të gjithë të përmbyturit do të shpërblehen dhe qeveria duhet të bëjë studime të plota për parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Ky ka qenë mesazhi që dha Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili vizitoi dje zonat e përmbytura nga reshjet e ditëve të fundit. Duke komentuar situatën, ai shtoi se vendi nuk ndodhet në dorën e fatit, porse specialistët kanë marrë masa për kapërcimin e situatës. Kreu i shtetit tha se megjithëse ka ende rrezik, nuk është momenti që banorët të evakuohen nga zonat që paraqesin rrezik.
Inspektimi
Presidenti Topi inspektoi zonën në Ishull-Shëngjin. Gjatë kësaj vizite ai ishte i shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade, Maksim Malaj, kryetari i komunës Dajç, Arben Gjurja, si dhe anëtarë të kabinetit të tij. Presidenti u takua me krerët e pushtetit vendor dhe me banorët e prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, të cilët, pasi i shprehën presidentit Topi shqetësimet e tyre, e falënderuan atë për vizitën dhe mbështetjen në këto momente tepër të vështira e të paparashikueshme të jetës së tyre.
Deklarata
Sipas kreut të shtetit, situata nuk është më në dorën e fatit, pasi një sërë institucionesh dhe specialistësh janë angazhuar për t’u ardhur në ndihmë banorëve dhe për të parandaluar rrezikun. “Gjërat nuk janë në dorë të fatit, tani janë në dorë të profesionistëve, të institucioneve dhe apeli më i rëndësishëm që unë dëshiroj të jap është ai që ka të bëjë me jetët e njerëzve. Të gjithë banorët e zonës kanë marrë apele nga autoritetet, kanë dëgjuar apele dhe nga specialistët e fushës, të cilët e njohin më mirë situatën, e dinë që situata do të vijë duke u përkeqësuar përsa i përket sasisë së ujit, i cili është i detyruar që të shtohet. Dhe ashtu sikurse ndodh edhe me ligjet e evakuimit të anijeve, për paralelizëm kemi të bëjmë që fillimisht duhet të evakuohen fëmijët, gratë, të moshuarit”, - është shprehur Topi. Ai u bëri thirrje banorëve që ta vlerësojnë situatën dhe të evakuohen. “Ju bëj thirrje të drejtpërdrejtë, shumë miqësore: vlerësojeni këtë moment sepse sasitë e reshjeve, apo sasia e ujit që vjen nga hidrocentralet është e tillë që do të vijë duke u shtuar”, - është shprehur Topi, ndërsa bëri thirrje për solidaritet kombëtar. “Pra, duhet të ketë një organizim të tillë dhe patjetër që në situata të tilla kërkohet një solidaritet, solidaritet që kërkohet nga të gjithë. Kjo kërkon një solidaritet kombëtar, sepse shqetësimi i një zone është shqetësim për të gjitha zonat e Shqipërisë, kërkon një solidaritet njerëzor dhe institucional dhe patjetër mbi bazën e këtij solidariteti, kemi pasur dhe eksperienca të kaluara, ju do të dini të kaloni, të dilni nga kjo situatë dhe pas evidentimit të dëmeve, shteti do të bëjë të gjithë kompensimin e atyre pasojave që kanë ardhur natyrisht jo thjesht për faj të njerëzve”, - është shprehur Presidenti.
Perspektiva
Kreu i shtetit, gjatë fjalës së tij theksoi nevojën që në të ardhmen të hartohen projekte dhe studime për sistemet kulluese në këto zona. “Këto zona, pastaj në perspektivë kanë nevojë dhe ky do të jetë në vëmendjen e institucioneve specifike që merren me këtë punë; të gjitha këto zona do të kenë nevojë për një studim në vazhdimësi, sepse studime ka pasur. Nuk mund të themi që studime nuk ka pasur. Ka pasur studime parciale, do të ketë nevojë për studime integrale, sepse është zona me të cilën ne krenohemi përsa i përket ekosistemit, pasurisë ujore që fillon me liqenin e Shkodrës, vazhdon me Bunën, vazhdon me Drinin, vazhdon me të gjithë rezervuarët e hidrocentraleve, pra janë zona të cilat përgjithësisht të japin kënaqësi, por të japin edhe probleme. Pra, që të mos na japin probleme, por që t’i shfrytëzojmë vetëm për mirë, duhen studime integrale, veprime energjike, duke filluar me thellimin e shtratit të lumenjve, me thellimin e grykëderdhjeve, të deltës së lumenjve, me mbajtjen gjithmonë në funksion të hidrovoreve, me një kujdes të të gjithëve për pastrimin e kanaleve, sepse punojmë gjatë gjithë kohës për të bërë profilaksinë e një situate të tillë”, - është shprehur Topi, ndërsa ka shprehur besimin se kjo situatë do të kapërcehet me sukses. Që prej 2 janarit, kur filluan përmbytjet në zonën e Nën-Shkodrës, ky është reagimi i parë zyrtar i kreut të shtetit në lidhje me situatën e krijuar dhe pasojat e shkaktuara nga hapja e digave dhe reshjet e rënda ditët e fundit në vendin tonë.
7 Janar 2010