E Diel, 1 Nëntor 2026

Specialistët: Përmbytjet në Shkodër, faj i institucioneve

Specialistët mendojnë krejt ndryshe nga drejtuesit e qeverisë për shkaqet e përmbytjeve në zonën e Shkodrës dhe Lezhës. Madje, disa prej tyre, si Farudin Hoxha, Dhimitër Cici apo edhe ekspertë të tjerë të fushës së hidroteknikës kanë dhënë paralajmërime me kohë. Së pari, që nga vitet ‘90 nuk janë bërë investime për sigurinë e digave të hidrocentraleve, për të cilat nuk është punuar në përmirësimin e teknologjisë dhe kushteve të sigurisë. Kësaj i shtohet edhe largimi nga puna i ekspertëve më të mirë të fushës, të cilët kanë projektuar veprat e mëdha energjetike, apo njohin problemet e fushës. Ndryshimet e herëpashershme të pushtetit kanë prekur ndjeshëm edhe vendet e punës së ekspertëve, të cilët thirren vetëm në raste emergjencash si ky i tanishmi. Një tjetër kritikë që vjen nga specialistët në adresë të qeverisë dhe të strukturave shtetërore është mungesa e strategjive dhe investimet e pastudiuara mirë në argjinaturat e lumenjve në vendin tonë. Përmbytjet e ndodhura në Lezhë, Shëngjin dhe Fushë-Kuqe e treguan më së miri një gjë të tillë. Dy vjet më parë qeveria pat deklaruar se nuk do të ndodhë asnjë përmbytje pas fondeve që kishte hedhur në zonën e Lezhës. Por, prurjet e lumit Mat dhe baticat e detit Adriatik treguan se paratë e hedhura nuk kishin asnjë vlerë. Një tjetër problem është mungesa e një shërbimi meteorologjik profesional në Shqipëri. Kjo do tu jepte mundësi drejtuesve të HEC-ve dhe strukturave të tjera të menaxhimit të ujit që të marrin masa në kohë. Reforma e bërë rreth dy vjet më parë në Institutin e Meteorologjisë në Akademinë e Shkencave, bëri që të shkurtohej stafi, ku në pjesën dërrmuese janë hequr specialistët më të mirë të këtij sektori. Disa nga degët e Institutit të Meteorologjisë në rrethe janë hequr, duke bërë që të mos ketë informacione të sakta në terren. Një tjetër problem serioz është mungesa e një marrëveshje për regjimin e ujërave me Maqedoninë. Kjo do të ndikonte që të situata të tilla, të kishte një koordinim më të mirë të punës me strukturat e vendit fqinj në mënyrë që të mirëmenaxhohen prurjet që vijnë nga Drini i Zi, të cilat më pas futen në basenin e Fierzës. Vetëm dy muaj më parë, inxhinieri që projektoi disa nga HEC-et e vendit, Dhimitër Cici, paralajmëroi cunamin që mund të vijë nga Veriu në raste të tilla si ky i tanishmi. Inxhinieri Cici, në një intervistë që dha mbrëmë për “Zërin e Amerikës”, sqaroi pasojat që sjellin shkarkimet e detyruara nga digat e hidrocentraleve në ultësirën e Nën-Shkodrës.

SHKAQET

- Keqmenaxhimi dhe mosmirëmbajtja e digave në hidrocentrale e vendit
- Largimi i specialistëve më të mirë të fushës nga strukturat drejtuese
- Mungesa e investimeve në argjinaturat e shtretërve të lumenjve
- Mungesa e shërbimeve profesionale të parashikimit të motit në vend
- Mungesa e një marrëveshjeje me Maqedoninë për regjimin e ujërave

Qeveria e Shkupit: Në 2010-n, marrëveshje për ujërat me Shqipërinë

Në vitin 2010 do të nënshkruhet marrëveshja për regjimin e ujërave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Ky fakt është pohuar nga burimet zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë së vendit fqinj. Sipas tyre, gjatë këtij viti do të nisin bisedimet me autoritet e Tiranës zyrtare për menaxhimin e pasurive nëntokësore dhe situatave emergjente në këtë fushë. Ministri Fatmir Besimi pohoi për mediat shqiptare në Maqedoni se aktualisht është në fuqi një protokoll bashkëpunimi që daton prej vitit 1962, i nënshkruar nga ish-Federata Jugosllave. Ndërkohë që me Shqipërinë, katër vjet më parë, Fatmir Besimi, ministër i atëhershëm, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi. Pritet që gjatë këtij viti të nënshkruhet një e tillë. Deri tani s’kemi pasur probleme me palën shqiptare, madje para disa vjetësh kemi ndihmuar kur ata patën probleme mungesën e energjisë”, - thotë ministri. Besimi ka deklaruar se pala maqedonase nuk ka ndikuar në situatën e krijuar në Shqipëri për shkak të shtimit të prurjeve nga basenet e HEC-it që vjen në territorin shqiptar përmes Drinit të Zi.

Përmbytje edhe në zonat kufitare në Malin e Zi

Përmbytjet në rrethin e Shkodrës dhe hapja e portave të hidrocentrale kanë rënduar situatën në fshatrat kufitare në Mal të Zi. Situata është më kritike në fshatrat që ndodhet përgjatë bregut të lumit Buna. Autoritetet e Podgoricës kanë ngritur shtabin e emergjencës për përballimin e situatës së jashtëzakonshme dhe për t'u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore. Sipas burimeve zyrtare, në disa fshatra situata është e rëndë. “Është mjaft situatë e vështirë, pa ndonjë alarmim që është gjendja tepër e rrezikshme, por, vërtet ka përmbytje të mëdha në disa shtëpi”, - thotë autoritetet e Podgoricës. Problemet e para janë shfaqur në Lisna Borë, ku në disa vende uji ka kapërcyer edhe argjinaturat. Pjesa e Shën Gjergjit është ngritur deri në 10 cm. Buna ka një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe dhe ka dalë nga shtrati.
Shërbimet e ushtrisë janë vendosur në zonat përgjatë Bunës. E tërë kjo situatë e krijuar nga reshjet e dendura në këtë rajon ka ndërprerë edhe komunikimin ndërmjet dy shteteve; respektivisht mes Ulqinit dhe Shkodrës.

7 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›