Konstitucionalistët, kundër Berishës për skadimin e mandateve të PS-së
Eneida Jaçaj
Kreu i maxhorancës nuk ka argumente ligjore dhe kushtetuese për të hequr mandatet e opozitës dhe për t’i zëvendësuar me listën shumemërore nëse bojkoti vazhdon më shumë se 6 muaj. Në momentin kur ndodhemi në prag të skadimit të periudhës 6-mujore të mungesës së deputetëve në Kuvend, një pjesë e ekspertëve të ligjit dhe Kushtetutës pohojnë se nuk mund të zëvendësohen të zgjedhurit socialistë me emra të tjerë nga radhët e kësaj partie. Por, kjo situatë nuk shihet dhe vlerësohet njësoj nga maxhoranca dhe opozita. Një situatë e tillë politike, e krijuar që pas 28 qershorit, me bojkotin e opozitës për hapjen e kutive dhe zbardhjen e së ashtuquajturës “krimi elektoral i 28 qershorit” nuk mund të zgjidhet nga pikëpamja ligjore, duke zëvendësuar deputetët socialistë fitues me deputetët që vijnë poshtë listës që PS ka depozituar në KQZ, siç ka deklaruar kreu i Ekzekutivit, Sali Berisha. Konsulentë ligjorë bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se as Kushtetuta e Shqipërisë dhe as Kodi Zgjedhor nuk e kanë të parashikuar me ligj një gjë të tillë, për t’i dhënë zgjidhje në këtë mënyrë ngërçit politik të krijuar pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas tyre, në këtë mënyrë Parlamenti nuk mund të veprojë për të vënë emra të tjerë në listë në kushtet kur ka një vendim të Komisionit Qendror Zgjedhor, i cili, të zgjedhurit e Partisë Socialiste i ka shpallur deputetë. Por, në këtë kuadër, konstitucionalistët mendojnë se KQZ-ja, për të ulur listën shumemërore, duhet të shfuqizojë vendimin e vet dhe kjo gjë mund të ndodhë paraprakisht, por as ligji dhe as Kodi Zgjedhor nuk e parashikon një gjë të tillë.
Ligjshmëria
Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve. Në bazë të ligjit, mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur ai nuk bën betimin, kur heq dorë nga mandati, kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69 dhe 70, paragrafët 2 dhe 3, kur mbaron mandati i Kuvendit, kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend, kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Deputetët e PS-së nuk kanë plotësuar kushtin për të bërë betimin, por në asnjë pikë dhe nen ligjvënësi nuk parashikon që kjo situatë e nderë politike të zgjidhet sipas interesit të qeverisë, duke e zëvendësuar këtë grup deputetësh socialistë, të zgjedhur nga elektorati si fitues në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, me deputetët poshtë vijës fituese. Kështu, konstitucionalistët shprehen se deklarata e kryeministrit Sali Berisha bie ndesh me ligjvënësin.
Deklarata
Kreu i Ekzekutivit ka theksuar se vendet në Parlament nuk do të mbeten bosh, por, për të gjithë deputetët e opozitës që nuk do të hyjnë në Parlament për të bërë betimin, do të zbatohet Kushtetuta. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Berisha vuri në dukje se maxhoranca nuk dëshiron një krizë tjetër kushtetuese, por nëse deputetët e PS-së nuk futen në Kuvend, atyre do t'u digjet mandati katërvjeçar, që praktikisht do të thotë një shumicë pa opozitë në Parlament. "Unë, të garantoj që vendet nuk do të mbeten bosh, por të garantoj se zbatimi i Kushtetutës është një detyrim që bëhet me keqardhje, por është detyrim. Nuk kam asnjë dëshirë. Zoti Rama të vijë. Është i mirëpritur. Por, nuk mund të krijohet një krizë tjetër kushtetuese për këtë arsye”, - është shprehur Berisha.
Bojkoti
Pavarësisht se kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë rezymesë që i bëri aktivitetit të Kuvendit në 100 ditët e para të kësaj legjislature, renditi rreth 70 ligje të miratuara, kësaj liste i mungonin të gjitha ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash, të cilat kërkojnë ¾ e votave. Një nga projektligjet më shumë të diskutuara gjatë ishte ai i organizimit dhe funksionimit të Gjykatës Administrative, si dhe projektligje të tjera, si ai për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve. Përveç këtij projektligji janë edhe disa drafte të tjera, si i ashtuquajturi ligji i lustracionit, projektligji për imunitetin dhe për organizimin e Konferencës Gjyqësore. Bojkoti i opozitës ka bllokuar miratimin e këtyre projektligjeve për shkak se kërkojnë vota të cilësuara, të cilat në këto momente nuk sigurohen nga maxhoranca.
Kërkohet interpretimi i skadimit të mandatit në Kushtetuese
Në kohën kur kanë mbetur edhe pak javë për përfundimin e afatit 6-mujor të skandencës së mandatit të deputetëve të opozitës, janë shtruar ide që ngërçe të tilla ligjore të interpretohen në Gjykatën Kushtetuese. Ky propozim është hedhur nga deputeti socialist Arben Malaj. Në një intervistë dhënë për gazetën “Albania”, Malaj theksoi domosdoshmërinë për interpretimin e Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit në lidhje me rastin kur një deputetet mungon më shumë se 6 muaj në Parlament, duke marrë në shqyrtim mungesën e të zgjedhurve socialistë për shkak të bojkotit. Sipas tij, një interpretim i tillë ligjor duhet të bëhet për të shmangur një situatë paradoksale që mund të krijohet në mars, kohë kur deputetët socialistë bëjnë 6 muaj bojkot. Deputeti i PS-së thotë se sqarimi i kuadrit ligjor dhe kushtetues do të ishte një parapritë për përkeqësimin e krizës politike në vend dhe do të shmangte një shteg kaotik në të cilin mund të futej politika dhe institucionet në Shqipëri.
KUSHTETUTA PËR MANDATIN
Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit:
a) kur ai nuk bën betimin;
b) kur heq dorë nga mandati;
c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose
papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69 dhe 70 paragrafët
2 dhe 3;
ç) kur mbaron mandati i Kuvendit;
d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend;
dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për
kryerjen e një krimi.
Projektligjet e bllokuara
Projektligji "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Administrative"
Projektligji "Për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve"
Ligji "Për Kodin Zgjedhor”
Ndryshimet në ligjin "Për nëpunësin civil"
Projektligji "Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare"
Projektligji "Për Grantin e Sfidës së Mijëvjeçarit"
Ligji "Për Pastërtinë e Figurës së zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve në postet publike"
7 Janar 2010