E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartëmonedhat false, shqetësim për institucionet shtetërore

01/03/2010 Në Universitetin e Gjirokastrës depozitohen lekë me prerje 1000 lekëshe, nuk gjendet autori

GJIROKASTËR - Dikush guxoi të qarkullojë në arkën e universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës një kartëmonedhë 1000 lekëshe të falsifikuar, policia mbërrin në vendngjarje, por asnjë person i dyshuar nuk u ndalua. Kohët e fundit shumë institucione të rëndësishme në jug të vendit që grumbullojnë taksa për arkën e shtetit kanë rënë preh e falsifikatorëve.

Fenomeni

Ilir Gushi është kancelari i Universitetit të Gjirokastrës prej dy javësh. Ai thotë se gjatë këtij viti janë identifikuar me vonesë 7000 lekë të falsifikuar me prerje 1000 lekëshe. “Shuma e falsifikuar nuk u zbulua në kohën e duhur nga arkëtarja. Identifikimi i tyre është bërë gjatë depozitimit të shumës në një nga bankat e nivelit të dytë, ku teknologjia e sigurisë është më e avancuar”, shprehet Gushi. Gushi tha se për të identifikuar me sy të lirë kartëmonedhat e falsifikuara është e vështirë, prandaj urgjentisht të gjitha institucionet që kanë marrëdhënie të drejtpërdrejtë me taksat të vendosin një makinë me rreze ultra vjollcës, që sipas tij, kushton rreth 3000 euro.

“Për mendimin tim, ky investim duhej të kryet patjetër, pasi në mënyrë të paqëllimshme këto institucione “legalizojnë” futjen e kartëmonedhave të falsifikuara në treg”, shpjegon Gushi.

Specialistët e sektorit të krimit ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës pohojnë se ky fenomen është shqetësues për ta, sidomos gjatë viteve të fundit. Problemi, sipas tyre, është identifikimi i autorëve, të cilët në shumë raste kanë përdorur me zgjuarsi institucionet që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me grumbullimin e taksave, si Universiteti i Gjirokastrës, Drejtoria rajonale e Transportit dhe Telekomunikacioni, Dogana e Kakavijës etj. “Ligji për mbrojtjen nga falsifikimet është mjaft i mirë. Autorët që falsifikojnë kartëmonedhat dhe hedhin në treg këtë “letër me vlerë” janë shumë të sofistikuar”, shprehet specialisti i krimit ekonomik, që preferoi të ngelet anonim. Sipas tij, gjatë 10 viteve të fundit në jug të vendit janë ndaluar në flagrancë 5 autorë, që të gjithë të dënuar nga 3 deri në 7 vjet.

Masat

“Pavarësisht masave që ka ndërmarrë sektori i krimit ekonomik, ky fenomen shqetësues do të vazhdoj të shfaqet edhe në të ardhmen”, thotë specialisti, duke nënvizuar se kartëmonedhat 500 lekëshe dhe 1000 lekëshe me prerje të madhe urgjentisht duhet të dalin jashtë qarkullimit.

“Fatkeqësisht kemi konstatuar se edhe kartëmonedhat 2000 lekëshe, prodhim i vitit 2007 janë falsifikuar dhe një pjesë e tyre kanë hyrë të treg. Megjithatë, shumë përdorues e kanë identifikuar qysh në kontaktin e parë, pasi ajo bashkë me kartëmonedhën 5000 lekëshe kanë element të sigurisë së lartë”, vijon ai. Në përfundim, specialisti thotë se një rol të rëndësishëm në parandalimin e futjes së kartëmonedhave të falsifikuara janë konsumatorët dhe institucionet shtetërore. “Çdo person që verifikon një kartëmonedhë të falsifikuar duhet të lajmëroj në kohën e duhur policinë, pasi kjo do të ndihmonte në identifikimin e autorëve”, thekson specialisti i krimit ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›