E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartëvizita e Kosovës në Këshillin e Sigurimit

Duket se janë përcaktuar tre skalionet e shteteve që do të njohin të parat shtetin e ri të Kosovës. Gazeta "International Herald Tribune" publikoi edhe skemën e veprimit se si do të realizohet legjitimiteti i aktit të shpalljes së Pavarësisë së Prishtinës nga Beogradi. Sipas këtij plani, do të jenë Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania vendet e para që do të njohin shtetin e ri në Ballkan, për t'u pasuar më tej nga SHBA, Islanda, Norvegjia dhe Zvicra. Ndërkohë, grupi i tretë i vendeve që do të njohin pavarësinë do të përbëhet nga shtete ballkanike si Maqedonia, Shqipëria, Turqia, Kroacia dhe Sllovenia, të cilat duket sikur i bëjnë vend mes tyre shtetit të ri, në hartën e re të rajonit. Në këtë aspekt, zbardhet edhe logjika e qeverisë shqiptare se Tirana nuk do të jetë e para që do të njohë pavarësinë e Kosovës, duke dëshmuar se rakordizimi i hapave dhe qëndrimeve si të Shqipërisë ashtu edhe të vendeve të tjera, që do të siglojnë të parat kartën e pavarësisë të shpallur nga Kuvendi i Kosovës, është i përcaktuar nga të mëdhenjtë e politikës ndërkombëtare. Sidoqoftë, deri në aplikimin e kësaj skeme ka ende një sërë ngjarjesh që ndjekin njëra-tjetrën, si takimi i KS të OKB-së, ngritja e qeverisë së re të Kosovës dhe zgjedhjet e reja presidenciale në Serbi, të cilat do të ndikojnë si për kohën, ashtu edhe për modalitetet që do të ndiqen në konkluzionet përfundimtare të dosjes "Kosova".
Mbledhja e radhës e Këshillit të Sigurimit në datën 18 dhjetor, ku do të diskutohet çështja e statusit të Kosovës pas raportimit të Treshes së Grupit të Kontaktit, siç është parashikuar prej kohësh, nuk do të prodhojë dot një vendim të qartë për ardhmërinë e këtij shteti dhe kjo për shkak të vetos së deklaruar nga ana e Rusisë. Duke dalë në krah të Serbisë, vija e ndjekur nga Moska këmbëngul në tezën e mos ndryshimit të kufijve nga ku Kosova dhe statusi i saj duhet të zgjidhen në kuadër federativ brenda shtetit aktual. Ky qëndrim e ka humbur mundësinë që çështja e statusit të Kosovës të zgjidhet nga Këshilli i Sigurimit, por ndryshe nga takimet e tjera pala kosovare ka arritur të sigurojë një avantazh procedural, për faktin se në mbledhjen me dyer të mbyllura do të flasë dhe presidenti Fatmir Sejdiu. Ndonëse Sejdiu nuk do të paraqitet me kostumin e kreut të Kosovës, por do të flasë në takim "në kapacitet personal", sidoqoftë, në mënyrë indirekte, brenda takimit ku vendet e KS do të diskutojnë për statusin e Kosovës, do të dëgjohen edhe argumentet e autoriteteve aktuale të saj. Paraqitja e presidentit Sejdiu u kundërshtua ashpër nga ana e Serbisë pasi Kosova nuk është ende shtet, por vendet e Këshillit të Sigurimit që përkrahin pavarësinë e saj, arritën të gjejnë kompromisin për ftesën ndaj Sejdiut, i cili edhe sipas diplomatëve rusë mund t'i drejtohet KS në kuadër të rregulloreve që ua lejojnë individëve që nuk janë burra shteti, të marrin pjesë në debate. Fjala e presidentit Sejdiu, pavarësisht nga kartëvizita personale që duhet të paraqesë në hyrjen e godinës së OKB-së, shpreh një sinjal të qartë simpatie për shumicën dërrmuese të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe që shkon në favor të tezës, se ata e shohin më së tepërmi Kosovën si një shtet të pavarur sesa si pjesë zgjidhje federative në kuadër të Serbisë.
Takimi me dyer të mbyllura i KS sidoqoftë nuk pritet të nxjerrë jashtë, në përfundim të saj, ndonjë zgjidhje të pranuar nga të gjitha palët, ndaj, krahas aplikimit të skemave të pritshme të bllokut perëndimor për të legalizuar pavarësinë e Kosovës, detyrat specifike mbeten të kryhen nga klasa politike kosovare. Pas zgjedhjeve të 17 nëntorit, që nxorën fituese PDK, kryeministri Thaçi duhet të formësojë qeverinë e re. Mendohej se aleancat postzgjedhore dhe kabineti i ri do të ishin ravijëzuar brenda ditës së mërkurë, kur do të mblidhet KS që do të debatojë raportin e Treshes mbi negociatat midis Prishtinës dhe Beogradit. Por duket se qeveria nuk mund të jetë shpallur brenda kësaj date, duke e shtyrë këtë fakt për më vonë. Por sfida e vërtetë nuk ka të bëjë me numrat në Kuvend për ngritjen e qeverisë sesa me idenë se deri në çfarë shkalle duhet të jetë koalicioni. Vëzhguesit e huaj, duke marrë për bazë edhe tabelën e rezultateve të zgjedhjeve, theksojnë se Kosovës, në kushtet aktuale kur në prag është dhe përcaktimi i statusit të saj, i duhet një qeveri e fortë, e mbështetur në një koalicion të gjerë, nga ku vendimet janë gjithëpërfshirëse. Këtë pozicion ka përqafuar dhe lideri i PDK, Hashim Thaçi, i cili ndonëse deklarohet si për qeveri të fortë, ashtu edhe për opozitë konstruktive, duket se pushtetin do e ndajë me ish-rivalen LDK të presidentit Sejdiu dhe AKR-në e Pacollit. Gjithashtu koalicioni me bazë të gjerë mund të përfshijë edhe parti të tjera të spektrit kosovar, si dhe janë zhvilluar takime edhe me përfaqësues të partive politike serbe, në mënyrë që kabineti i ri të jetë një qeveri e integrimit të gjerë. Mbarëvajtja e procesit të krijimit të koalicionit qeverisës, ka një rëndësi jo vetëm për vendimet që do të ndërmarrë Kuvendi i Kosovës, pasi është e kuptueshme që të gjitha partitë shqiptare do të votojnë pa hezitim për pavarësinë, por edhe për të dhënë një shembull të qartë se institucionet e ngritura do të jenë funksionale dhe që mund të garantojnë efikasitetin e shtetit të ri që do të krijohet. Njëkohësisht, koalicioni me bazë të gjerë mund të shmangë dhe diskordancat me aspekt politik, midis forcave të ndryshme që duan të sigurojnë kapital për veten gjatë procesit deri në shpalljen e pavarësisë e në vijim, kur dihet se ekziston një lëvizje me format jo të vogël, siç është "Vetëvendosja" e Albin Kurtit, që është treguar shumë kritike dhe në thelb të saj ka pakënaqësinë ndaj klasës politike kosovare në tërësi.
Në skenën përmbyllëse për përcaktimin e statusit të Kosovës, një pjesë e saj do të ketë për dekor edhe zgjedhjet presidenciale të 20 janarit në Serbi ku do të konkurrojnë presidenti aktual, Tadiç dhe Nikoliq. Më tepër sesa shpresë, se nga rezultati i tyre mund të ketë ndonjë ndërrim kursi të Beogradit ndaj çështjes së Kosovës, shtyrja e procesit për pavarësinë konsiderohet nga vendet perëndimore si një veprim për të mos ndikuar në fushatën elektorale në Serbi dhe për të mos i dhënë shkas nacionalizmit të mbledhë vota dëshpërimi apo revanshi për humbjen e Kosovës. Shtyrja duket se ka edhe një qëllim tjetër nga ana e bllokut perëndimor. Dhënia e kohës së mjaftueshme autoriteteve të Beogradit për të kuptuar se ndihma nga ana e Rusisë nuk do të ndryshojë asgjë në vendimin për realitetin e shtetit të ri të Kosovës dhe, nga ana tjetër, kuptimin nga ana e Moskës (në këtë klimë të miniluftës së ftohtë) se roli i lidershipit në Ballkan do të jetë domen i Uashingtonit.
Sidoqoftë, zgjedhjet e afërme në Serbi përbëjnë dhe gurin e provës për klasën politike kosovare. Në kulmin e fushatës elektorale, nga Beogradi, zërat e përfaqësuesve të nacionalizmit nuk do të reshtin të artikulojnë teza apo qëndrime nga më të ashprat dhe nga mënyra e reagimit ndaj tyre, do të shihet nëse klasa politike e Kosovës do të bjerë në kurthin e provokimeve apo do të dijë të mpakë revanshin deklarativ mbi baza nacionaliste të faktorëve të ndryshëm brenda saj. Pasi, në fund të fundit, e shkëputur me hir apo pahir nga bashkëjetesa aspak e lumtur 95-vjeçare brenda të njëjtit shtet, Serbia do të ngelet sërish aty pranë, tashmë në statusin e fqinjit kufitar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›