E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria dhe mbrojtja e hebrejve, në Pallatin e Luksemburgut

Konferencë për Shqipërinë në Paris në "Ditën e Kujtesës"
Më 27 Janar 2008, "Dita e Kujtesës" për Shqipërinë do të zhvendoset në Paris, në Pallatin e Luksemburgut, në senatin francez ku mbahet konferenca me temë: "Shqipëria në periudhën 1933-1944, një shembull për Evropën".
Shpallja e ligjit për "Ditën e kujtesës", ligj ndërkombëtar të cilin e adaptoi edhe vendi ynë si shumë vende Evropiane, sjell në vëmendje një herë në vit, që nga 27 janari 2005, reflektimin ndaj dhunës kolektive, ndaj holokaustit. Pasja në kalendar e një "Ditë Kujtese" do të thotë fakte dhe burime dokumentare a gojore për të shpjeguar përse Shqipëria iu hapi dyert herbrejve. Pikërisht ky dimension i Shqipërisë së panjohur është në qendër të konferencës e cila organizohet nën kujdesin e ambasadorit të Shqipërisë në Paris, Ylljet Aliçka, e Senatorit Bernard Fournier, e Drejtoreshës së Arkivave, Nevila Nika dhe zotit Etienne Bommier. Përgatitjet kanë filluar, është hapur një faqe interneti me adresën: ëëë.albanie-honneur-de-lhomme.com.
Si u arrit deri këtu, e shpjegon koloneli Bommier, nga vizita e parë e të cilit në Shqipëri ndodhi diçka që e shtyu të hedhë idenë për këtë konferencë, edhe pse ajo që po bën për Shqipërinë nuk ka të bëjë aspak me zanatin e tij. Rastësisht u ndodh në vendin tonë në shkurt 2007. Kishte dëgjuar për çfarë kish ndodhur në vitin 1997. Atëherë vizitoi jugun e Shqipërisë dhe u bind që "shqiptarët ishin evropianë si ne".
U rikthye në Tiranë në mars 2007 për të marrë pjesë në koncertin për nder të kujtimit të mbretëreshës Geraldinë. Atëherë mësoi për ndikimin që mbretëresha kish pasur tek i shoqi, mbretit Zog për të shpëtuar hebrejtë e Hungarisë, vendi i saj i origjinës. Veç kësaj mësoi se ky ishte aksion që kish nisur që prej vitit 1933 dhe që kish vazhduar deri më 1944. Kështu pra kuptoi që Shqipëria e cila ka luajtur një rol të tillë për hebrejtë gjatë luftës, nuk njihet në Francë, dhe ndoshta as në Evropë për vlerën e këtij kontributi të madh dhe të guximshëm.
Në konferencën e 27 janarit janë ftuar personalitete, historianë të kësaj epoke që mbulon mbrojtjen e hebrejve të Shqipëri që nga vitet tridhjetë deri më 1944. Për herë të parë vëmendja e një vendi si Franca zhvendoset në mënyrë të zyrtare ndaj Shqipërisë së një epoke dhe një kontributi të caktuar të sajin në historinë e njerëzimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›