Dëbora, qafa të bllokuara dhe qarkullim me zinxhirë
Pas entuziazmit të borës, probleme serioze në qarkullimin e automjeteve. Rrugët e Veriut, mbuluar nga ngricat
Rruga nacionale Ballsh-Gjirokastër, 12 orë e bllokuar. Në pritje, deri në mesditë automjete dhe autobusë
Rrugë të bllokuara, automjete në pritje, qarkullim tejet i vështirë dhe përdorim i detyrueshëm i zinxhirëve në shumë akse rrugore të vendit. Kjo ka qenë situata gjatë natës dhe ditës së djeshme, kur entuziazmi nga bukuria e borës u fashit shpejt, pasi u shoqërua me probleme të shumta të qarkullimit. Rruga nacionale Ballsh-Gjirokastër ka qenë gjatë gjithë natës dhe paradites së djeshme e bllokuar, duke detyruar të qëndrojnë në radhë automjete dhe autobusët e linjës Tiranë-Athinë e anasjelltas. Në zonën e Korçës, Vlorës, Malësinë e Shkodrës dhe Kukës qarkullimi ka qenë me "pengesa", disa herë edhe i pezulluar për pak kohë për shkak të terrenit tepër të vështirë, krijuar nga bora dhe nga ngricat në Veri.
***
Dëbora dhe ngricat që pushtuan zonën e Mallakastrës gjatë orëve të fundit shkaktuan bllokimin e rrugës nacionale Ballsh-Gjirokastër. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se rruga u bë e pakalueshme në një gjatësi prej 15 kilometrash. Bllokimi ka qenë nga qyteti i Ballshit deri në Fratar, ku gjatë gjithë natës deri mesditën e djeshme rruga ishte e pakalueshme. Sipas burimeve policore, situata u përmirësua vetëm në drekë, ku arriti të bëhej e kalueshme, megjithëse qarkullimi vazhdoi të kryhej me vështirësi. Si rezultat i terrenit të vështirë mbetën të bllokuar qindra mjete në të dy anët e rrugësnacionale. "Për 12 orë u paralizua trafiku dhe nuk qarkullonte më asnjë automjet. Kemi qëndruar në pritje nëpër makina",- thotë një nga qytetarët që kaloi natën në rrugë. Mes mjeteve të bllokuara ishin edhe autobusët e linjësTiranë-Athinë dhe anasjelltas, të cilët qëndruan gjithashtu në pritje, deri në zhbllokimin e rrugës. Të bllokuar janë fshatrat e zonës së Lekbibajt, zonës së Grykës së Valbonës dhe Dragobisë. Trashësia e dëborës në këto zona arrin në mbi 20 centimetra.
***
Thuajse i pamundur ka qenë qarkullimi i automjeteve në Qafën e Llogarasë në Vlorë, që ndodhet mbi 1050 metra mbi nivelin e detit. Sipas drejtuesve të mjeteve, por edhe banorëve të zonës, mësohet se kjo rrugë është kaluar me shumë probleme, vetëm në sajë të zinxhirëve, por lëvizja nuk ka qenë e lehtë. Madje me raste, edhe e bllokuar. Bora e rënë, që si shumë qytete, zbardhi edhe këtë anë kishte shtruar mirë, ndërkohë mbi rrugë ishte shtuar edhe ngrica, duke shkaktuar shumë probleme në lëvizje. Ndërkaq, policia e qarkullimit rrugor në Vlorë bën me dije se segmenti më i vështirë në këtë zonë ka qenë ai nga fshati Dukat deri në hyrje të Parkut Kombëtar të Llogarasë. "Kemi lajmëruar qarkullimin vetëm me zinxhirë"- thonë burimet policore, duke mos lejuar të qarkullojnë automjetet që nuk janë të pajisur me zinxhirë.
***
Probleme serioze kanë pasur dje automjetet që kanë lëvizur në zonën e juglindjes së vendit. Qarkullimi në akset nacionale kryesore të këtij qarku, por dhe në segmentin që lidh Shqipërinë me Greqinë është bërë me zinxhirë. Duke iu referuar të dhënave të marra nga Shtabi i Emergjencave Civile pranë prefekturës së Korçës mësohet se sasi të mëdha kripe janë hedhur në disa nyje kombëtare, që lidhin këtë qark me pjesë të tjera të vendit. "Më i vështiri në qarkullim vazhdon të mbetet superstrada Korçë-Kapshticë, në afërsi të pikës kufitare të Kapshticës, ku dhe trashësia e dëborës ka qenë e madhe duke kaluar të 30 cm",- sqarojnë burimet zyrtare. Sipas tyre, mjaft problematike mbetet dhe segmenti Korçë-Kolonjë, në Qafën e Qarrit, ku pavarësisht kriposjes së disa kilometrave në këtë pjesë shumë të rrezikshme edhe për shkak të terrenit të thyer malor, lëvizja ka qenë e vështirë. "Ky segment është i kalueshëm vetëm me zinxhirë",- thonë burimet e Shtabit të Emergjencave Civile, duke shtuar se jo më e mirë ka qenë gjendja edhe në segmentin tjetër Korçë-Pogradec. Zona më e "nxehtë" e kësaj rruge është në Qafë Plloçë, ku shpesh herë ka pasur dhe pezullim të lëvizjes së mjeteve.
***
Jo probleme nga bora, më tepër sesa nga ngricat e krijuara për shkak të temperaturave të ulëta. Zona veriore e vendit ka shënuar probleme në qarkullim, pikërisht nga rrugët e rrëshqitshme e gati të pakalueshme nga shtresa e ngricave mbi asfalt. Në akse të tilla si Tamarë- Vermosh; Pukë-Fushë Arrës– Kukës; Qaf Mali- Fierzë, tek Mali i Shoshit dhe në Qafë Thore, kalimi i mjeteve bëhet me zinxhirë. Madje, sipas banorëve të zonave të thella, në disa segmente të këtyre akseve është i pamundur edhe kalimi me zinxhirë për shkak të rrugës tepër të rrëshqitshme. Në këto segmente, ngrica ka arritur në disa centimetra, ndërsa temperaturat gjithnjë në ulje pengojnë shkrirjen e saj. Nga ndërmarrja e rrugëve rurale mësohet se po punohet për të mbajtur të zhbllokuara akset rrugore malore dhe mjetet e saj janë në gatishmëri në rast reshjesh dëbore.
Segmentet problematike
Korçë-Kolonjë, në Qafën e Qarrit
Korçë-Kapshticë
Korçë-Pogradec, në Qafë Plloçë
Dukat-Llogara
Tamarë- Vermosh
Pukë-Fushë Arrës– Kukës
Qaf Mali- Fierzë
Qafë Thore
Kalimi me zinxhirë
Llogara (Vlorë)
Qafë-Muzinë (Sarandë)
Mallakastër-Tepelenë
Tiranë –Elbasan, në Qafë-Krrabë
Elbasan-Pogradec në Qafë-Thanë
Qafë e Malit, në Veri
Policia
Rrugorët:Zinxhirë në akset e rrezikshme
Segmentet rrugore në vend janë të kalueshme, por në shumë syresh duhen përdorur zinxhirët. Kështu ka deklaruar dje Drejtori i Policisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Ajet Ibro. Sipas tij për shkak të ngricave të krijuara nga ulja e temperaturave gjatë 24 orëve të fundit, qarkullimi i mjeteve me zinxhir është i detyrueshëm në akset rrugore si në Llogara (Vlorë), Qafë-Muzinë (Sarandë), Mallakastër-Tepelenë, Tiranë -Elbasan në Qafë-Krrabë,Elbasan-Pogradec në Qafë-Thanë, dhe në veri të vendit në Qafën e Malit. Ndërkohë në kuadrin e masave të marra, Ibro ka theksuar angazhimin e rrugorëve për parandalimin e aksidenteve dhe lehtësimin e qarkullimit. Sipas tij, seksionet e policisë rrugore janë në detyrë për kontrollin e automjeteve në këto segmente, duke qenë në kontakt me entin kombëtar të rrugëve për t'i paraprirë çdo lloj situate që mund të paraqitet. "Shërbimet e policisë rrugore kanë qenë prezent gjatë gjithë natës në të gjitha segmentet rrugore të vendit, duke bërë edhe këshillimet e rastit për të gjithë drejtuesit e mjeteve". Bashkë me masat, në rrugë po ushtrohen kontrolle të rrepta për të bërë ndalimin e qarkullimit të mjeteve në zonat ku ai është i rrezikshëm. Në këtë rast, ai ka kujtuar devijimin e qarkullimit të mjeteve nga Qafë-Krraba në drejtim të Durrësit.
Fier
Ngrihet shtabi i emergjencës
Pas situatës së krijuar nga dëbora e papritur që pas shumë vitesh zbardhi Myzeqenë në Fier u ngrit shtabi i emergjencës. Ka qenë vetë prefekti i Fierit, Shahin Bedaj, që ka qëndruar me orë të tëra pranë rrugës së bllokuar, bashkë me policinë rrugore, të cilët nuk lejonin qarkullimin e mjeteve pa u stabilizuar situate. Prefekti Bedaj ka bërë vërejtje dje për ndërmarrjen e rrugëve, që nuk është interesuar për të sjellë mjetet e nevojshme për raste të tilla. Në këtë zonë, ka munguar kripa për të bërë ,ë të lehtë qarkullimin e automjeteve. Rruga nacionale, e njohur për morinë e automjeteve që lëvizin në të ka mbetur e bllokuar deri në mesditë, ku edhe pas përmirësimit të situatës lëvizja është bërë me zinxhirë. L.Ç
Makina në humnerë, 3 të plagosur
Mallakastër-Rruga e rrëshqitshme për shkak të motit të keq ka shkaktuar një aksident në zonën e Fratarit. Si rezultat i ngricave, rreth orës 02.00 të mëngjesit të djeshëm një autoveturë përfundoi në humnerë. Sipas burimeve zyrtare të policisë mësohet se makina ishte me targa greke dhe në të udhëtonin tre persona. "Makina rrëshqiti dhe ra në humnerë në zonën e Fratarit, duke shënuar tre persona të plagosur",- bëjnë me dije burimet e policisë lokale. Të plagosurit, u transportuan në spitalin rajonal dhe sipas mjekëve janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën. L.Ç
Sipas komunarëve, 6 fshatra kanë mbetur të izoluar: S'ka drita, mungojnë edhe urat lidhëse
Izolohen fshatrat e Skraparit, banorët në errësirë
BERAT-Banorët e shumë fshatrave të rrethit të Skraparit janë izoluar krejtësisht nga bora ditët e fundit, ndërsa sipas kryetarëve të komunave energjia mungon gjithë natën. Situata më e vështirë paraqitet në komunat Potom, Cepë, Konak, etj. Ulja e temperaturave ka bërë që bora e renë gjatë ditëve të fundittë ngrijë, duke bllokuar rrugët lidhëse të shumë fshatrave. Nga informacionet e mbërritura pranë institucioneve vendore rezulton se fshatrat e komunave Zhepë, Potom e Konak janë izoluar nga bora. Banorët kanë nisur përdorimin e rezervave ushqimore dhe mënyra e vetme për ngrohje në këto zona ngelet druri për zjarr. Rrugë e bllokuar vazhdon të mbetet që prej ditës së djeshme Qafa e Devrisë, e cila nuk mund të lidhet me Çorovodën, komuna Potom. Kryetari i komunës Gjerbs, Dilaver Zyko ka bërë të ditur se vërshimi i lumit në vendin e quajtur Kapinovë e Egër, ka bërë që gjashtë fshatra të izolohen. Problemi shtohet edhe nga mungesa e urës për të bërë lidhjen mes zonave. Ndërkohë komunarët ngrenë problemin e mungesës së energjisë, jo vetëm gjatë orëve të ditës, por edhe gjatë gjitha natës. Në qytetin e Beratit, probleme me lëvizjen ka pasur në Qafën e Sqepurit, pjesë e aksit rrugor Berat- Fier. Reshjet e shiut shoqëruar me borë gjatë natës së të shtunës, kanë bërë që rruga të jetë e ngrirë në një pjesë të aksit të saj. Pesë mjete mësohet të kenë dalë nga rruga, por fatmirësisht pa shkaktuar dëme.