E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjedisi dhe shprehja qytetare

Jo më tej se pak ditë më parë, një ngjarje në dukje periferike, por mëse e denjë për t'u marrë si shembull, më nxiti të shkruaj këto rreshta. Multi-miliarderit amerikan, Donald Trump, i njohur edhe për publikun shqiptar nga emisioni i tij i famshëm televiziv, ku pas një seleksionimi të qindra-mijëra të rinjsh përzgjedh një prej tyre për një kontratë të majme 1-vjeçare, iu mohua e drejta për të ndërtuar një fushë golfi 1 miliardë dollarëshe, në një provincë skoceze. Mjaft të habitur dhe të shokuar, përfaqësuesit legalë të kompanisë "Trump", thanë që do ta apelonin këtë vendim (në dukje mjaft absurd dhe irracional), ndërkohë që e konsideruan si humbje për Skocinë, pasi tashmë po kërkonin një shtet alternativ. Menjëherë, një deputet i Irlandës së Veriut nxitoi të reagonte, duke i ofruar (madje lutur) kompanisë "Trump" një provincë irlandeze, mjaft të ngjashme me atë skoceze, duke e konsideruar njëherazi marrëzi atë që bëri Këshilli i qytetit Aberdenshire (në Skoci).
Argumenti që dhanë këshilltarët e qytetit skocez e justifikuan votën e tyre, duke thënë se kostoja (e cenimit të natyrës) që iu duhej të përballonin nëse e lejonin ndërtimin e fushës së golfit, do ishte më e lartë se vlera ekonomike që ajo do gjeneronte. Në pamje të parë, gjithkush mund të qeshë me këtë lloj justifikimi, po të mendosh se ç'dëme ekologjike mund të sjellë një fushë golfi, si dhe po të mendosh gjenerimin e të ardhurave nga taksat, por edhe rritjen e mundësive të punësimit që mund të sjellë një alternativë e tillë, në një provincë të varfër. Por ky arsyetim për ne si shqiptarë,- që në këto 17 vite iu vumë pa din e imam, prerjes së pyjeve, shkatërrimit të bregdetit dhe plazheve, dikur të virgjëra dhe së fundmi (me vullnet politik), po tentojmë të kthehemi në një koloni të re të Evropës, siç përmendte me të drejtë analisti Ardian Klosi në një shkrim të para pak ditëve te "Shekulli", ku shtete evropiane kërkojnë të depozitojnë mbeturinat e tyre apo të sigurojnë burime alternative energjie, nuk na duket mjaft racional dhe s'na e mbush dot mendjen veprimi i skocezëve.
Kjo për arsye se shpesh është e pamundur ta perceptojmë që ekzistojnë edhe politikanë, motivimi i të cilëve nuk është thjesht makutëria apo kolltuku, por edhe mbrojtja e të drejtave të shtetasve të tyre dhe përfaqësimi sa më dinjitoz i elektoratit që i ka zgjedhur. Në rast se politikanë të tillë, binden se interesat e zgjedhësve preken nga një veprim që cenon lirinë e tyre individuale apo kolektive, dhe kjo bindje organizohet duke i pyetur këta zgjedhës, atëherë vendosin të bëjnë çka është më e mira për ta, pavarësisht zgjidhjeve shpesh sub-optimale në terma financiarë në periudhë afatshkurtër. Mjetet e pyetjes së qytetarëve në një demokraci përfaqësuese normale dihen dhe variojnë nga sondazhet e shumta (zyrtare apo jo), deri të referendumi (vendor apo i përgjithshëm), si shprehja më e lartë e demokracisë dhe e lirisë për t'u shprehur. Ç'mund të presësh në Shqipëri, ku nuk është bërë asnjë referendum lokal deri tani, për t'iu dhënë të drejtën qytetarëve të shprehen për një projekt lokal që dukshëm cenon të drejtat e tyre. Jo vetëm kaq, por edhe iniciativa lokale, si mbledhja e numrit të firmave të nevojshme nga vlonjatët për të kundërshtuar parkun industrialo-energjetik që projektohet të ngrihet së shpejti (dhe ku nuk bëhet fjalë vetëm për një TEC apo disa depozita të vogla nafte), hidhen poshtë me cinizëm dhe harbutëri nga KQZ-ja, ku nuk mund të mos vësh re doza të forta politizimi në vendimmarrje.
Nuk është qëllimi i këtij shkrimi të ezaurojë pro-të dhe kontra-t e lejimit të ndërtimit apo jo të Parkut Energjetik, në një zonë turistike si qyteti i Vlorës, ashtu sikundër nuk synon të trajtojë efektet ekologjike apo financiare që prodhon ky park, në terma afatshkurtra dhe afatgjata. Kjo, për arsye se ju takon specialistëve të kalkulojnë kostot dhe ndërkohë është trajtuar gjerësisht nga ambientalistë të përkushtuar dhe me ideale. Ajo që unë mund të veçoj dhe të nënvizoj këtu, është e drejta e banorëve për të vendosur për fatin e zhvillimit të qytetit të tyre dhe e drejta e tyre që të pyeten dhe të përfaqësohen denjësisht nga ata politikanë që u kanë dhënë votën. Arsyetimi shpesh vulgar dhe i pabazuar që nuk mundet që një qytet të vendos për projekte të mëdha, që kanë të bëjnë me fatin e gjithë vendit dhe më gjerë, pra arsye dogmatike, "pseudo-gjeopolitike", më duken sa pa vend, aq edhe të mbrujtura nga interesa të veçanta, apo kënd i shtrembër i të parit të realitetit. Kjo për arsye se, së, pari ekziston një kundërshti kryesore në gjithë këtë ligjërim të "avokatëve" të Parkut. Nga njëra anë, qeveria përpiqet ta minimizojë efektin, duke thënë se vetëm një TEC do ndërtohet dhe sipas kalkulimeve, ai do mbulojë vetëm një pjesë shumë të vogël të burimeve alternative energjetike të Jugut (kryesisht është thënë se do i shërbejë vetëm Vlorës, e cila në masë dërrmuese është kundër projektit), ndërsa, nga ana tjetër projektohet me të madhe se do i japë fund halleve energjetike të shqiptarëve, megjithëse këto deklarata haluçinante bëhen thjesht për efekte mediatike.
Nëse qeveria e ka vërtet primare në axhendën e saj problemin e energjisë elektrike, atëherë duhet të kishte filluar me kohë linjën e Interkonjeksionit Tiranë-Elbasan-Podgoricë, si dhe të gjente një zgjidhje efikase dhe fitimprurëse për TEC-in ekzistues të Fierit, dhënien më herët me koncesion të dhjetëra HEC-ve të vegjël, që mund të zgjidhnin problemet nëpër fshatra, të konsideronte burimet alternative, si energjinë diellore apo të erës, që për shumë zona është zgjidhja më optimale apo zgjidhje të ngjashme, të cilat janë ofruar në mënyrë të përsëritur nga specialistë. Po ashtu, ngritja e TEC-it nga njëra anë, nuk justifikon aspak "Petroliferën" dhe prerjen e qindra pishave që ishin mushkëria e një qyteti, investim qindra-vjeçar i natyrës, që vetëm "kanibalë" të ambientit mund ta lejojnë dhe mbështesin. Aq më tepër që ky Kryeministër ishte po i njëjti që në 2005-ën akuzonte socialistët për nënshkrimin e "Petroliferës", ashtu sikundër edhe për privatizimin e "Albtelekomit", mos futjen e operatorit të tretë celular apo afera të ngjashme dhe është pikërisht i njëjti që po zbaton të njëjtat kontrata të paraardhësve, shpesh duke bërë kthesë 180 gradë. Natyrisht është e logjikshme që politikanët të flasin ndryshe kur janë në pozitë nga pozicioni opozitar, ashtu sikundër nuk pritet që të mbahen të gjitha premtimet, por këto priten zakonisht nga politikanë pa eksperiencë qeverisëse, ndërsa kur ke qeverisur njëherë, nuk të falet të bësh premtime boshe për së dyti. Nëse dështimi tashmë evident në luftën kundër korrupsionit, mund të jetë edhe për shkak të paaftësisë (në radhë të parë, për ta kuptuar nga cilat shkaqe buron), dështimi në mbajtjen e shumicës së premtimeve elektorale, duket si një keqdashësi e qëllimtë dhe mashtrim i qytetarëve të këtij vendi. Nëse ata që të kanë votuar injorohen që ditën tjetër të ardhjes në pushtet, ai pushtet normalisht e ka dhe jetën të shkurtër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›