Gripi ngjitës/ Për një ditë 220 pacientë në Urgjencën e QSUT-së
Mjekët këshillojnë kufizimin e kontakteve në ambientet kolektive si kopshte, çerdhe dhe qendra pune, pasi virusi është ngjitës
Vetëm gjatë ditës së djeshme rreth 230 pacientë janë shtruar në Urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", të prekur nga një virus gripal ngjitës. Kjo virozë, sipas mjekëve, është stimuluar nga i ftohti i ditëve të fundit, i cili i ka favorizuar shtimin e pacientëve në Urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", ku janë paraqitur rreth 230 raste. Kështu shprehet zëdhënësi i QSUT-së, Alvi Bajramaj, sipas të cilit shumica e pacientëve janë fëmijë dhe të moshuar. "Më të prekurit nga virozat gripale ngjitëse janë fëmijët e vegjël dhe të moshuarit, të cilët vuajnë nga sëmundje kronike. Simptomat e pacientëve janë shoqëruar me dhimbje koke, temperaturë të lartë, problem me frymëmarrjen, sekrecione dhe kollë të fortë",- tregoi zëdhënësi i QSUT-së, Bajramaj.
Gripi ngjitës
Kontakti me njerëz është i ndalur, pasi viroza është ngjitëse. "Për të evituar marrjen e kësaj sëmundjeje mjekët këshillojnë kufizimin e kontakteve në ambientet kolektive, si kopshte, çerdhe dhe qendra të punës, sepse virusi është ngjitës",- shprehen mjekët në urgjencën e QSUT-së. "Jemi prekur të gjithë anëtarët e familjes",- tregon Anisa Marko, e cila shton se e ka marrë virozin e para dhe pastaj ia ka ngjitur burrit dhe fëmijëve. E shqetësuar për vajzën dhe djalin e saj, ajo thotë se përveç të ftohtit, në spital problem është dhe mungesa e sigurisë së barnave nëpër farmacitë e QSUT-së. "E vetmja masë kundër gripit janë ilaçet popullore dhe ngrohja nën batanije",- thotë Marko. Më tej, ajo shton se "s'patëm kohë as të merrnim ndonjë plaçkë nga shtëpia, pasi i sollëm urgjent fëmijët. Me këtë pisllëk vajza nuk do pranonte të shtrihej në krevat",- thotë Marko. Ndërkohë Tafil Hoxha, babai i një të shtruare në urgjencë, tregon se plaçkat në krevat vetëm çarçafë e batanije nuk mund të quhen. "Mirë për të tjerat se i dimë si shkojnë këto punë, po ka njeriu hall e i vjen ndot të rrijë në spital, nuk është çudi të marrë ndonjë sëmundje tjetër",- thotë ai. Ndërkohë mungesa e energjisë elektrike në këto ditë ku temperatura ka shënuar luhatje e ka bërë më të vështirë marrjen e masave kundër gripit. "Ftohja e motit ka rritur shumë numrin e të prekurve nga gripi",- thotë zëdhënësi i QSUT-së. "Rastet problematike qëndrojnë për shtrim në spital, ndërsa ata që janë më lehtë u jepet mjekim dhe dërgohen në shtëpi",- pohojnë mjekët, duke shtuar se ndryshimi i temperaturave ka sjellë këto probleme. Ndërsa nga ana tjetër, Drejtoria e QSUT-së bën të ditur se në Pediatri po merren masa për furnizimin me medikamente për të përballuar situatën dhe se fëmijëve do t'u jepet shërbim korrekt. Ndërkohë mjekët vazhdojnë të japin këshilla ndaj prindërve, për të ruajtur fëmijët në ambiente normale dhe për të mos neglizhuar virozat.
Dyndja
Urgjenca e QSUT dhe reparti i Pediatrisë janë tejmbushur me pacientë të vegjël, të cilët për shkak të luhatjes së temperaturave dhe ndryshmet e shpeshta të klimës janë prekur nga një grip ngjitës. Në fakt këto viroza kanë prekur edhe të rriturit, të cilët e quajnë grip, ndërsa mjekët shpjegojnë se kemi të bëjmë me viroza ngjitëse ku më të prekur janë fëmijët. "Kemi kërkuar ndihmën e shërbimeve të tjera, pasi nuk kemi ku t'i lëmë pacientët",- pohojnë mjekët në Urgjencën e QSUT-së. Sipas tyre, personeli dhe prindërit duhet të shtojnë më tepër kujdesin ndaj fëmijëve dhe t'u mbajnë nën kontroll temperaturën e lartë. Virozat ngjitëse sipas mjekëve çojnë edhe në komplikacione, si në Bronkopneumoni. Ndërkohë, mjekët këshillojë se duhet t'i dërgojnë fëmijët e tyre sa më shpejt tek mjeku specialist dhe të mos marrin përsipër të bëjnë vetë mjekun, duke u dhënë medikamente pa u konsultuar me specialistët. Ndërkohë për kurimin e virozave gripale, zëdhënësi Bajramaj thotë se mjekët këshillojnë përdorim të lëngjeve, marrja e paracetamolit për lehtësimin e dhimbjeve të kokës dhe frekuentimi i ambienteve me ajër të pastër.