E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH: Subvencionimi i teksteve para datës 24 dhjetor

 
Sipas MASH, janë konstatuar mjaft fatura të plotësuara gabim në Tiranë. Disa nga këto fatura nuk do të përfitojnë subvencionin e testeve
Procesi i subvencionimit të teksteve shkollore do të nisë para datës 24 dhjetor. Kështu, sipas burimeve të MASh, prindërit që disponojnë faturat për tekstet e blera para disa muajsh do të kenë mundësi të marrin një shumë të lekëve. Por këtë dhuratë për Vit të Ri nuk do ta marrin ata që nuk posedojnë faturë. "Nga ky subvencion nuk do të përfitojnë prindërit që nuk disponojnë një faturë të teksteve apo ata që nuk kanë dorëzuar faturë të rregullt",- thonë burime zyrtare të MASH. Ndërkohë burime pranë këtij dikasteri bëjnë të ditur se, tashmë mbledhja e faturave për subvencionimin e librave në rrethe ka përfunduar në masën 99%, ndërkohë që në Tiranë ku gjatë shpërndarjes kanë lindur jo pak probleme, mbledhja e faturave do të vazhdojë deri në fund të javës. Në këtë mënyrë, për këtë vit, nga ky subvencionim, të gjithë nxënësit e arsimit bazë dhe të mesëm që gëzojnë statusin ligjor të jetimit, paraplegjikët, tetraplegjikët, do të subvencionohen 100 për qind nga shteti pas blerjes së teksteve shkollore. Ndërsa për fëmijët e familjeve që nuk marrin ndihmë ekonomike subvencioni në arsimin bazë 9-vjeçar është në masën 70 për qind të kostos të teksteve, ndërsa në arsimin e mesëm 50 për qind të kostos të teksteve. Çmimi i tyre këtë vit është ulur me 17% të çmimeve të referencës. Me mbledhjen e faturave, MASH do të konkretizojë subvencionimin e teksteve 100 për qind nga buxheti i shtetit, pagesa që do të shpërndahen për nxënësit përmes postës dhe një llogarie bankare. Vetë MASH, gjatë shpërndarjes së teksteve, ka pohuar se pasur probleme në mbledhjen e faturave në qytetin e Tiranës, ku fluksi i shitjeve ishte i madh. Këto para shkojnë si një dhuratë për Vitin e Ri në llogarinë bankare të prindërve që kanë fëmijë në shkollë. Janë bërë plot 4 muaj që nga koha kur ata shpenzuan për librat. MASH-i ka respektuar procedurat, duke derdhur paratë në ato numra llogarie që vetë nxënësit kanë paraqitur në shkollë. Por vetëm nxënësit që kanë pasur një faturë tatimore të blerjes së librave. Viti shkollor 2007-2008 pati në tregun shkollor 155 tekste alternativë, nga 23 tekste që u miratuan vitin e kaluar, që ishte edhe viti i parë i Altertekstit. Vlerësimi i ofertave të paraqitura nga 28 shtëpi botuese, i cili u krye në bazë të kurrikulës zyrtare, cilësive teknike, të çmimit, anës gjuhësore dhe shkencore, u realizua nga 250 mësues, profesorë dhe gjuhëtarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›