Mistifikimet mbi standardin dhe rolin e gegërishtes
Pohimet se standardi u zhvillua në rrugë artificiale, burokratike e voluntariste tingëllojnë jo vetëm të pabaza, por edhe absurde. Ndërsa sot, niveli aspak i kënaqshëm i njohjes së standardit është një realitet i pamohueshëm. Jemi dëshmitarë të cilësisë së dobët të "produkteve" të shkollës sonë që qëndron sot në minimumin e vet historik.
U bë tash do kohë që mbi lexuesin e shtypit të përditshëm, më saktë atij të faqeve kulturore, shkarkohet një bateri idesh e opinionesh lidhur me shqipen standarde. Ajo konsiderohet si një produkt "artificial", "arbitrar", "totalitar", dhe si e tillë tashmë "e drunjëzuar", "hermetike", "e shtangur" a "e ngurtësuar". Pos këtyre, shqipja standarde penalizohet, madje fort, për dëmin shkaktuar gegërishtes në favor dialektit tosk, rikuperimi i të cilit duhet kryer duke rishikuar a "ripërkufizuar" bazën e saj dialektore.
Natyrisht që për specialistët e mirëfilltë në punët e gjuhës, sidomos për ata që merren me planifikim gjuhësor (disiplina shkencore që trajton çështjet e gjuhëve standarde), etiketime dhe qasje të kësaj natyre në kohë të sotme tingëllojnë vërtet të çuditshme, që, sado të kërkosh, në shkencë, së paku, nuk ua gjen kurrkund amën. Kurse lexuesi i thjeshtë, që shpenzon kohë dhe energji të mendjes duke u munduar të lexojë e të përfitojë prej asi shkrimesh, hutohet, pështjellohet, çorientohet e keqinformohet.
Mos ndoshta kjo ka të bëjë me kufizimet dhe pamundësinë e shtypit të përditshëm për të shërbyer si tribunë e divulgimit të dijeve dhe rezultateve shkencore? Pas të gjitha gjasave jo, pasi roli dhe vlerat e tij në këtë drejtim tashmë janë konfirmuar. Problemet, përkundrazi, lindin atëherë kur ato që thuhen a shkruhen, kinse n'emër të shkencës, nuk janë rezultat i kërkimeve të mirëfillta shkencore, fryt i njohjeve dhe i argumentimeve të thelluara, por thjesht ide, mendime, opinione, që kushdo me integritet profesional e moral zor se do t'i shpallte e rishpallte publikisht ende pa i verifikuar. Pikërisht sipas këtij "formati" po diskutohet, për fat të keq, çështja e shqipes standarde dhe e bazës së saj dialektore.
Le ti kujtojmë lexuesit se shqipja standarde (alias letrare/zyrtare/kombëtare) - d.m.th. ai variant i shqipes i kodifikuar në manualë drejtshkrimorë e gramatika dhe që përdoret kryesisht si mjet i shkruar komunikimi mbarëkombëtar në shkollë, administratë publike, shtyp a mjedise të ndryshme zyrtare - ka në bazat e veta njërin prej dy dialekteve të shqipes, toskërishten. Në këtë pikë mund të thuhet me siguri që shqipja nuk bën dallim nga asnjëra prej gjuhëve standarde kombëtare të rruzullit, të mbështetura edhe ato mbi një dialekt të tyrin, si spanjishtja letrare, fjala vjen, ngritur mbi dialektin kastilian, frëngjishtja mbi dialektin e Île-de-France etj.
Madje jo vetëm dialekte, por edhe të folme dialektore qëndrojnë në themelet e gjuhëve letrare, siç është, sa për të dhënë një shembull, rasti i italishtes letrare. Në bazat e saj, që u vunë në shekullin XIV, qëndron një ndër të folmet e dialektit toskan, e pikërisht e folmja fiorentine, pra, ajo e qytetit të Firences. Pse kjo e folme e atij dialekti dhe jo ndonjëra prej qindra syresh që fliteshin nëpër Itali? Për një varg arsyesh. Së pari, pse kjo ishte e folmja në të cilën shkruan "Tre kurorat" - Danteja, Petrarka dhe Bokaçoja - , që natyrisht e përpunuan mjaft këtë të folme nga pikëpamja letrare. Së dyti, pse Firencja gëzonte asokohe një prestigj tepër të lartë social, ekonomik e kulturor. Dhe, së fundi, pse tiparet strukturore të kësaj të folmeje, që nuk e largonin shumë prej latinishtes, i siguronin asaj një pozicion të ndërmjetëm mes dialekteve të italishtes.
Vënia e një dialekti a të folmeje të caktuar në bazë të një standardi, apo letrarishteje - siç e quante Faik Konica gjuhën letrare -, nuk mund të jetë, pra, kurrsesi diçka e rastësishme. Ka përherë arsye, madje të forta, pse një dialekt "përzgjidhet" ndër të tjerët "për t'u promovuar" në rang kombëtar. Për toskërishten, që me strukturat e saj gjuhësore përbën bazamentin e standardit, këto arsye i kanë parashtruar vijimisht në kohë studiues të ndryshëm: që nga Faik Konica e Aleksandër Xhuvani, te Namik Resuli e Selman Riza, Dhimitër Shuteriqi e Janet Byron, por edhe të tjerë. Janë, më së pari, - si kudo gjetkë - arsye jashtëgjuhësore, por të lidhura ngushtë e të pleksura fort dhe me të tjera brenda gjuhës.
Po çfarë e bëri toskërishten "idiomën e privilegjuar", kur vlerat historike të gegërishtes kanë qenë e janë të padiskutueshme? Bash në gegërishte, dihet, janë monumentet e para të shkrimit të shqipes, hartuar 4-5 shekuj më parë. Gegërishtja është gjuha e një kulture të tërë shkrimore, që vijoi pandërprerë përgjatë qindra vjetësh, e njohur tashmë si kultura gege katolike. A nuk do të mjaftonin vetëm këto për ta përzgjedhur idiomën gege si "amën" e letrarishtes? Me ç'dukej, jo. Do të qenë të tjerë faktorë që e ringritën këtë dialekt.
Studjuesit i njohin toskërishtes disa funksione tepër të rëndësishme, që ajo nisi t'i përmbushë që aty nga mesi i shekullit XIX, kohë kur lindi dhe mori hov Rilindja, lëvizja e fuqishme për ringjallje dhe çlirim kombëtar. Pikërisht ideologët dhe pjesa më e madhe e veprimtarëve të kësaj lëvizjeje ishin toskë, të cilët s'mund të shkruanin përveçse në të folme të ndryshme të toskërishtes. Një numër i madh gazetash, tekstesh e literature shkollore, krijimtarie letrare etj., u botuan përgjatë gjithë Rilindjes më së shumti në toskërishte, duke u dalluar, veç tjerash, për frymën e thellë laike që i përshkonte dhe qasjen ndaj problemeve sociale. Dhe elitat kulturore e politike, siç na dëshmon historia e përbotshme, kanë pasur e do të kenë rolin e tyre përcaktues edhe në zgjedhjet gjuhësore. Ky rol bëhet vendimtar veçanërisht në periudha kthesash të mëdha në jetën e popujve.
Faktorët jashtëgjuhësorë, megjithatë, nuk mund të jenë aq veprues, nëse nuk gjejnë përgjigje në një realitet gjuhësor të caktuar. Kështu, gjatë gjithë Rilindjes, po sidomos në fazën e fundit të saj, toskërishtja qe lëvruar e kultivuar aq sa mund të flitej tashmë në mënyrë të sigurt për ekzistencën e një koineje toske a toskërishteje letrare. Pra, për një variant të toskërishtes, që kish përvetësuar nga të folme të ndryshme të saj trajta shumë të përgjithshme, të cilat në jo pak raste ishin, madje, elementë të përbashkët me gegërishten. Merita kryesore për këtë i duhet njohur Faik Konicës dhe revistës së tij Albania (1897-1909).
Përgjatë 12 viteve të botimit të Albanisë, çështjen e njësimit të gjuhës, pra, krijimin e një gjuhe të përbashkët për të gjithë shqiptarët, Konica e pati preokupimin e tij kryesor, duke u angazhuar njëherësh në dy drejtime. Nga njëra anë, hapi që në krye një debat të gjerë teorik mbi rrugët e formimit të letrarishtes, duke e vënë këtë çështje në qendër të vëmendjes jo vetëm të opinionit vendas, por edhe atij shkencor të huaj. Nga ana tjetër, u angazhua konkretisht në mbrujtjen e kësaj letrarishteje, duke kultivuar në mënyrë të vetëdijshme në krijimtarinë e tij modelet e përgjithshme toske. Siç na dëshmon Namik Resuli, studiuesi shqiptar i diasporës, i cili ka studiuar gjuhën e Konicës, ky e orientoi në mënyrë të ndërgjegjshme gjuhën e tij larg jo vetëm të folmes së vet të vendlindjes, por edhe asaj të eksponentëve kryesorë të Rilindjes: Jani Vretos, Naim Frashërit, Sami Frashërit etj. "Faiku - shkruan Resuli - ua blatoi toskërishten toskëve në një pjatë të florinjtë", duke u bërë kështu, siç e quan ai, "babai i toskërishtes letrare". Do të ishte më pas pikërisht kjo toskërishte letrare, d.m.th. ky variant përfaqësues i të folmeve toske, që do të vihej në bazat e standardit.
Gegërishtja, ndërkaq, - po t'i referohemi gjuhëtares amerikane Janet Byron (në Selection among Alternates in Language Standardization: The Case of Albanian, Mouton, The Hague, 1976) - kish mbetur një dialekt tepër i fragmentarizuar, që nuk kish mundur të ngrihej e të përpunohej, sikurse toskërishtja, në një koine, pra në një variant të përbashkët për të gjithë gegëshkruesit. Ajo, po ashtu, nuk kish mundur të arrinte atë që kish bërë toskërishtja, edhe pse në një masë të kufizuar: të integronte në strukturat e saj disa elementë të dialektit tjetër. Gegërishtja vijoi kështu të kryente funksionet e saj publike, kryesisht si gjuhë e shtypit dhe e letërsisë prej autorësh gegë, deri aty nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, përmes dy prej trajtave të saj përfaqësuese: variantit letrar shkodran dhe elbasanishtes. Kjo e fundit pati, madje, edhe një përvojë si gjuhë zyrtare në periudhën nga fillimi i viteve 20 të shekullit të kaluar e deri në Çlirim.
Çështja e letrarishtes do të mbetej të zgjidhej përfundimisht vetëm pas Lufte, e për këtë pa dyshim që do të ndikonte fort marrja e pushtetit prej komunistëve dhe ndërtimi i një shteti të centralizuar. Shembuj të pushteteve të forta, jo doemos komuniste, të cilat, me mjetet e politikave gjuhësore të ndjekura, kanë përkrahur apo imponuar dialekte a të folme të caktuara si baza të gjuhëve zyrtare a letrare, historia njeh pa fund. Me mjete të tilla, fjala vjen, i është dhënë fund policentrizmit gjuhësor në Francë, Angli, Spanjë etj.
Pikërisht këtë realizoi elita e re politike shqiptare, e përbërë në pjesën më të madhe, sipas Byron-it, prej toskësh. Ajo përkrahu fuqimisht koinenë toske përmes një politike gjuhësore të caktuar, që përpunoi dhe zbatoi shteti shqiptar. Por, afërmendsh, vetëm politika gjuhësore nuk mund ta përcaktonte fatin e toskërishtes letrare si bazë të standardit. Pas kësaj politike qëndronte një histori gati njëshekullore e evoluimit dhe e kultivimit të toskërishtes në një letrarishte toske, që, veç gjithë arsyeve që u përmendën më lart, përfaqësonte edhe një variant me strukturë shumë më të thjeshtë fonetike e gramatikore se gegërishtja. Për të tëra këto, pohimet se standardi u zhvillua në rrugë artificiale, burokratike e voluntariste tingëllojnë jo vetëm të pabaza, por edhe absurde.
Përkrahja e vetëdijshme e toskërishtes letrare, promovimi, pra, i këtij varianti, është e logjikshme të linte në hije të folmet e gegërishtes, ashtu sikurse do të linte në hije edhe një varg të folmesh periferike të vetë toskërishtes. Pikërisht një qëndrim i tillë - në të vërtetë, pjesë e proceseve tërritjes dhe të afirmimit në jetën e çdo standardi - është perceptuar si një diskriminim i gegërishtes apo përjashtim i saj prej zhvillimeve kulturore të gjysmës së dytë të shek. XX. Si argument sillet shpesh fakti që pas '44 kultura katolike gege u shtyp.
Do pohuar, për hir të së vërtetës, se kultura e lëvruar prej klerit katolik në gegërishte, më saktë, në variantin letrar shkodran, mori, për arsye ideologjike dhe politike, goditje të rënda aq sa brenda dy dekadash ajo thuajse u asgjësua krejt. Në kushte të tilla edhe lëvrimi letrar i gegërishtes, merret vesh, u reduktua e u kufizua së tepërmi. Kjo, sidoqoftë, nuk ndikoi as në përcaktimin e as në përshpejtimin e fatit të toskërishtes letrare si bazë e standardit të ardhshëm, çka, siç e pamë, asaj i ishte rezervuar e siguruar prej të tjerësh faktorë historikë e gjuhësorë të fuqishëm.
Shqipja standarde, megjithatë, edhe pse e ngritur mbi bazat e toskërishtes letrare, nuk përbën, siç mëtohet ndonjëherë, thjesht dhe vetëm një toskërishte letrare të pastër me status të ndryshuar sa hap e mbyll sytë. Funksionet që kryen standardi si një mjet komunikimi mbarëkombëtar, janë ku e ku më të gjera e më të shumta në numër se ato të letrarishtes toske. Po kështu, leksiku, i cili u hapi dyert prurjeve prej të gjitha të folmeve e dialekteve, duke përbërë tashmë, në pjesën më të madhe të tij, një pasuri të përbashkët, që njihet e përdoret pa dallim prej të gjithë shqiptarëve. Natyrisht për këtë kanë pasur rolin e tyre të pazëvendësueshëm proceset urbanizuese, lëvizjet e mëdha të popullsisë, forca depërtuese dhe ndikuese e masmedias, shtrirja dhe zgjerimi i arsimit etj.
Për fat të keq, reminishencat e identifikimit të shqipes standarde me toskërishten letrare janë të pranishme në ndonjë rast edhe sot, kur po mbushen rreth 4 dekada prej "debutimit" publik të shqipes së kodifikuar (përmes Drejtshkrimit të gjuhës shqipe). Standardi etiketohet kështu si "përjashtues", pasi në të "nuk identifikohen" a "nuk e gjejnë veten" gegët. Për këtë sillet si argument prania e shpeshtë ndër gegëfolësit e disa lloj gabimesh gjuhësore (të natyrës hiperkorrekte).
Pa e tepruar mund të thuhet se arsyetime të tilla tingëllojnë vërtet axhamillëqe në lëmë të dijes gjuhësore, por dhe naive për këdo që ka edhe një thërrime mendje kritike. Si është e mundur që shqiptarët, ashtu si gjithë njerëzia, ia dalin të mësojnë, madje shumë mirë, jo një, por edhe disa gjuhë të huaja, kurse një variant të gjuhës së tyre si standardi, e paskan të pamundur ta përvetësojnë?! "Njeriu, për nga natyra, nuk është monoling [njëgjuhësh-K.J.], por, më e pakta, biling [dygjuhësh-K.J.]", shprehej gjuhëtari i shquar italian Giacomo Devoto, duke dashur të ilustronte me këtë më së pari aftësinë e njerëzve të zakonshëm për të qenë njëherësh përdorues shumë të mirë të një "gjuhe publike" si standardi dhe të një "gjuhe private" si dialekti.
E pra, standardi nuk është një entitet që njeriut i jepet i gatshëm që në lindje. Ai mësohet e përvetësohet me punë të vazhdueshme fillimisht e më së shumti në shkollë, por edhe më pas, vazhdimisht, prej modelesh që e përdorin atë si mjet komunikimi publik (shtypi, tv, radio etj.). Niveli aspak i kënaqshëm i njohjes dhe i përvetësimit të standardit është sot, për fat të keq, një realitet i pamohueshëm ndër shumicën e shqiptarëve, toskërisht-e-gegërishtfolës pa përjashtim. Të gjithë po jemi dëshmitarë të cilësisë së dobët të "produkteve" të shkollës sonë në lëmë të gjuhës shqipe, që, për nga përmbajtja e teksteve ashtu dhe nga metodat e mësimdhënies, qëndron sot në minimumin e vet historik. Dhe për këtë përgjegjësia kryesore do parë tek indiferenca e institucioneve, që e kanë detyrë të përkujdesen për standardin.
Sot, me gjithë komprometimin e viteve të fundit të prestigjit të shqipes standarde - jo për shkaqe brenda, por jashtë saj -, ajo është afirmuar tashmë si një mjet i komunikimit mbarëkombëtar. Ky afirmim, rezultat i një procesi të gjatë e aspak të lehtë, nuk u krye, siç pretendohet, vetëm në dëm të gegërishtes. Në procesin e rritjes dhe të afirmimit të gjuhëve standarde/letrare funksionet publike të të gjitha dialekteve pa përjashtim zbehen e dobësohen mjaft. Këto funksione i merr, për t'i zgjeruar më pas pakrahasimisht, gjuha standarde, çka ndodh në kushtet e një rigjallërimi dhe ngritjeje të paparë që merr jeta kombëtare e një vendi, në saje të shtimit të komunikimit, lëvizjeve të popullsisë, përhapjes së arsimit etj. Është një realitet që shpesh mbështetet nga politika gjuhësore, të cilat i japin përparësi absolute kultivimit dhe ngulitjes së standardit.
Sa i takon shqipes, zhvendosja e vëmendjes së shtetit nga dialektet dhe përqendrimi i tij, përgjatë disa dhjetëvjeçarësh, tek varianti standard, nuk e mbylli kurrë shtegun e komunikimit mes tyre. Në leksikun e shqipes letrare u derdhën"lumenj" fjalësh prej të folmeve të të dy dialekteve, ashtu sikurse këta të fundit u ndikuan - natyrisht, në një masë më të vogël - prej veprimit të standardit. Dialektet përbëjnë, pa dyshim, një ndër burimet kryesore të konstituimit të leksikut të shqipes standarde, së bashku me krijimet dhe huazimet prej gjuhësh të tjera.
Sot kur dialektofonia është jo pak e pranishme ndër shqiptarët, por ndërkaq pozitat e standardit janë forcuar mjaft, ndaj dialekteve mund të ndiqej një politikë më e hapur, më liberale. Mund të jepeshin kështu më shumë njohuri mbi dialektet, nisur nga trajtimi i autorëve të traditës në shkollë. Mund të botoheshin fjalorë të të folmeve të ndryshme dialektore të shqipes. E, nëse do të kishte një publik që do ta ndiente si nevojë shpirtërore e do ta kërkonte si "produkt" për ta konsumuar, pse jo, të krijohej e të publikohej gjerësisht edhe në dialekt. Kanale televizive apo radiofonike në dialekt, po ashtu, - veç atyre në gjuhë standarde - do t'ishin, si në shumë vende të tjera, një mundësi alternative shprehjeje. E në një situatë të tillë ide a qëndrime dialektofobe do t'ishin vërtet të padobishme. Ashtu sikurse do të ishin jo vetëm të padobishme, por, madje, të dëmshme edhe ide e qëndrime dialektofile. Pikërisht si një shprehje e kësaj të fundit duhen parë rastet e ekzaltimit të pajustifikuar ndaj dialekteve, sidomos gegërishtes.
Personalisht jam një partizane e flaktë, më e pakta e "dygjuhësisë" së çdo shqiptari, pra, e një bashkëjetese paqësore mes shqipes standarde, si mjeti i padiskutueshëm i shprehjes publike, dhe një të folmeje lokale a dialektore. Kjo e fundit si një gjuhë që përdoret brenda mureve të shtëpisë, në rrethin më të gjerë familjar, në rrethe miqsh që po ashtu e zotërojnë atë etj. E rëndësishme është të ndahen mirë sferat dhe funksionet e përdorimit të secilës. Kush do të shtinte në punë të folmen dialektore kur do duhej të përdorej standardi, me të drejtë do të markohej a shenjohej nga pikëpamja kulturore dhe sociale. Të mos harrojmë që përvetësimi dhe përdorimi i drejtë i shqipes standarde në mjedise publike është detyrë e padiskutueshme e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.
Sfida më e madhe e shqipes standarde sot nuk ka të bëjë aspak me dialektet, një problem ky tashmë i tejkaluar, por me përballjen e saj sa më dinjitoze me gjuhët e tjera. Ballafaqimet po janë vërtet të vështira veçanërisht në kushtet e proceseve integruese evropiane dhe të kthimit të anglishtes në një gjuhë me përmasa globale. Kjo i ka bërë më se të domosdoshme ndërhyrjet e organizuara për të pasuruar e fuqizuar strukturat dhe funksionet e standardit. Standardi nuk është një entitet statik, i ngurtë, i paprekshëm, por ai nuk mund të lejojë përveçse ndërhyrje profesionale, të guximshme e vizionare, larg çdo subjektiviteti të ushqyer prej ndjeshmërishë gjithfarëshe.