“Kartodromi”, hiqet emri i djalit të Mirit të Xhikes
Fatos MahmutajGjykata fshin djalin e Fatmir Ramës (Miri i Xhikes) nga regjistri i trungut familjar dhe pronësinë mbi kompleksin “Katrodrom”. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka vendosur të pranojë kërkesën e dy xhaxhallarëve, për të ekzekutuar vendimin që dy vjet më parë kishte marrë në favor të tyre. Tashmë, pas dhënies së formës së prerë të këtij vendimi, Besnik dhe Luan Rama, i janë drejtuar sërish gjykatës për të nxjerrë urdhrin e ekzekutimit në bazë të të cilit Përmbarimi i Tiranës do të detyrojë Zyrën e Gjendjes Civile të njësisë bashkiake numër një, për të fshirë emrin e 10-vjeçarit Endi Rama nga trungu familjar i dy gjyshërve të tij nga i ati. Duke pohuar se kërkesa e dy vëllezërve të Mirit të Xhikes ishte e mbështetur në prova dhe ligj, Gjykata e Tiranës e ka pranuar atë, duke lëshuar urdhrin e ekzekutimit. Besnik dhe Luan Rama, paditën Gjendjen Civile dhe të ëmën e nipit të tyre Manjola Prifti, duke kërkuar shpalljen të pavlefshme të regjistrimit të fëmijës Endi Rama, i datëlindjes 10 mars 2000, në trungun familjar të Fetah dhe Haxhire Ramës. Paditësit pretenduan në gjykatë, dy vjet më parë, se sipas certifikatës së lëshuar nga Gjendja Civile e Njësisë Bashkiake numër një, rezulton se: “Gjendja familjare e janarit 2003, (para vrasjes së Fatmir Ramës më 29 mars 2003), është vetëm Fetah, Haxhire dhe Fatmir Rama”. “Ndërkohë sipas paditësve, pas vdekjes së vëllait të tyre, Manjola Prifti ka regjistruar fëmijën e saj Endi, të lindur jashtë martese, në gjendjen familjare të Fetah dhe Haxhire Ramës. Ky regjistrim është bërë në mënyrë të gabuar, duke mos qene vetëm konstatim i tyre por edhe i Zyrës së Gjendjes Civile që në përgjigje të shkresës së palës paditëse ka pohuar: ‘Pranë zyrës tonë nuk ka deklarim nga Fatmir Rama për njohje atësie’. Pra rezulton se nuk ka njohje atësie rregullisht për fëmijën Endi dhe nga ana tjetër, ai është regjistruar në një mënyrë të paligjshme të trungun familjar të paditësve”, argumenton gjykata në vendimin e dy viteve më parë, ku pohoi se regjistrimi i këtij fëmije në regjistrat e Gjendjes Civile në trungun familjar të Fetah e Haxhire Ramës duhet të shpallet i pavlefshëm dhe se duhet të fshihet. fa.ma.