E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociimi i së panegociueshmes

Ermal Hasimja Ka dy kategori kryesore negociatash: ato që kanë formën e një pazari mbi diçka që të dy palët e ndajnë në një mënyrë a një tjetër (p.sh. marrëveshja e Dejtonit) dhe ato që synojnë zgjidhjen e një bllokimi. Kategoria e parë e pranon mundësinë e negociimit real, madje ndërtohet mbi aftësinë e palëve dhe ndërmjetësuesit. Ndërsa kategoria e dytë ka krejt natyrë tjetër. Negociimi këtu është njëfarë vënieje në skenë e negociatës, por jo negociatë e vërtetë, sepse në thelb bllokimi zgjidhet vetëm nësenjëra nga palët heq dorë plotësisht nga pozicioni i saj. Plotësisht dhe jo pjesërisht, sepse e pjesshmja nuk zgjidh asgjë. Pikërisht sepse vendimi në këtë rast është radikal, ai nuk i lihet kurrë në dorë negociatave, por merret paraprakisht dhe e përdor negociatën thjesht si pretekst (p.sh. pretekst tërheqjeje nga pozicione të shpallura si të panegociueshme).Tryeza e ardhshme PD-PS ka pikërisht këtë natyrë. Ajo premton negociimin e një bllokimi të panegociueshëm, sepse bllokimi zgjidhet vetëm nëse Rama heq dorë nga bojkoti, ose nëse Berisha bie dakord të gjejë mënyrën të tejkalojë gjykatën bashkë me Ramën. çfarëdo lëshimi i pjesshëm nga njëra palë apo tjetra nuk ka kuptim, sepse nuk zgjidh asgjë. Atëherë çfarë kuptimi ka thirrja ndërkombëtare për një tryezë të tillë nëse ajo negocion të panegociueshmen? Së pari, duhet thënë se një nga aspektet e vlefshme të qëndrimit të Ramës ndaj ndërkombëtarëve, është pikërisht qëndresa. Fatkeqësisht, këtë qëndresë, ai nuk e ka bërë në emër të një përparësie të interesave të vendit ndaj qëndrimeve pragmatiste ndërkombëtare për Shqipërinë, por duke u përpjekur të interpretojë qëndrimet e tyre si mbështetje dhe jo akuza ndaj bojkotit. Liderët shqiptarë duhet të mësojnë t’i referohen votës dhe vizionit të tyre dhe jo thjesht ndërkombëtarëve si pasqyrë (ose teleprompter) e interesave të votuesve tanë. Së dyti, thirrja e ndërkombëtarëve, për aq sa vlen (sepse nuk është fjalë e Zotit dhe as e votuesve shqiptarë), i nënshtrohet disa parimeve të thjeshta diplomatike që shmangin lokalizimin dhe identifikimin e përgjegjësive politike në një forcë të vetme politike dhe aq më pak në një person të vetëm. është parimi i paanësisë formale. Ata i drejtohen gjithmonë “Shqipërisë”, “klasës politike”, “liderëve”, dhe demonëve të tjerë të papërkufizuar ose gjithëpërkufizues si këta, pikërisht për të shmangur anëmbajtjen. Mirëpo nga ana tjetër, në rastin konkret, për aq sa nuk është vënë në diskutim qëndrimi i Qeverisë, është e qartë se kjo thirrje dhe trysni drejtohet, gjithmonë me një gjuhë nënkuptuese dhe formalisht të paanshme, drejt bojkotit të Ramës. Për këto arsye vëmendja e tepruar ndaj hollësive dhe modaliteteve të organizimit të tryezës, jo vetëm që nuk vlen më tepër sesa një kuriozitet gazetaresk, por edhe shmang vëmendjen nga problemi i vërtetë. Të dy palët e kanë vendosur paraprakisht se çfarë qëndrimi do të mbajnë, sepse asnjëri nuk do të shkojë në tryezë me idenë për të përfituar diçka duke lëshuar diçka tjetër. Nuk është diçkaja në diskutim, por e gjitha, pra bojkoti. Në këtë optikë tryeza nuk është gjë tjetër veçse një konferencë tjetër për shtyp, që nuk do të prodhojë diçka që nuk ka qenë e paraprodhuar. Mirëpo natyrisht do të jetë një konferencë për shtyp interesante, sepse do të tregojë nëse Rama ka vendosur të heqë dorë nga bojkoti përmes një vënieje në skenë dinjitoze, apo ka vendosur t’i shkojë deri në fund skenarit të rrugës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›