“Adoleshenca” e politikanëve shqiptarë!
Elmaz Sherifi Me sytë e mbërthyer tek ekranet e televizioneve, të gjithë presin se çdo të ndodhë ditën e shtunë! E çfarë pritet të ndodhë këtë të shtunë?! Për t’i dhënë përgjigje pyetjes, çdokush që pretendon se është politikan apo është i interesuar të merret me politikë, duhet të kuptojë, të njohë dhe të pranojë, si zgjidhje, rezultatin që do dalë nga takimi në Presidencë, në funksion të ushtrimit të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të Presidentit të Republikës. Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pjesa e IV, f 32, trajtohet institucioni kushtetues i Presidentit të Republikës prej nenit 86 deri te neni 94.Në nenin 92 janë përcaktuar kompetencat e Presidentit prej gërmës “a„ deri tek ajo “h”. Në asnjë nen dhe gërmë të Kushtetutës nuk gjen ndonjë kompetencë të Presidentit për të zgjidhur këtë situatë politike. Njihet precedenti negativ i krijuar në prag të zgjedhjeve lokale në vitin 2007, kur Presidenti Moisiu i “mbylli” në Presidencë, kryetarët e partive, deri sa nënshkruan një deklaratë (mos harroni që Moisiu ishte ushtarak!). Në zbatim të kompetencave të tij sipas nenit 93, Presidenti nxjerr dekrete, si akt i vetëm administrativ. çfarë dekreti pritet të dalë në përfundim të këtij takimit!? Logjikisht që nuk pritet ndonjë akt. Sepse sipas nenit 94 të kushtetutës, citoj: “Presidenti nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të„. Si përfundim pas tryezës, Presidentit i duhet të deklarojë për opinionin publik vetëm atë që do pranojnë dy palët në takim!Atëherë, kur Presidenti nuk ka kompetencë ligjore dhe kushtetuese për zgjidhjen e problemit, kush e futi “në lojë” Presidentin?! Me sa kuptohet autor i saj është mediokriteti në mjedisin politik dhe “adoleshenca politike” që vazhdon tash e 20 vjet në Shqipëri. Kam dëgjuar kryetarë partie të opozitës, ish ministra drejtësie, e deputetë, që insistonin për t’ia dhënë këtë atribut Presidentit, meqë sipas tyre ai “është garant i Kushtetutës”! Jo të nderuar, Presidenti nuk është “garant” i Kushtetutës! Zotërinj, për të kuptuar lajthitjen tuaj, ju këshilloj të shfletoni Kushtetutën e Shqipërisë, pjesa e VIII, f 47, neni 124, lexoni pikën 1.Aty thuhet: “Gjykata Kushtetuese garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj”. Mësojeni o politikanë të “politikës moderne” që të mos e përsëritni më një gafë të tillë, sa juridike aq dhe e padenjë për çdo person që dëshiron të merret me politikë! Nuk është Presidenti i Republikës “garanti i Kushtetutës”!Ai si Kryetar Shteti përfaqëson unitetin e popullit.(pika 1 e nenit 86). Si Kryetar i Shtetit në veprimtarinë e tij institucionale duhet të udhëhiqet vetëm nga dispozitat kushtetuese dhe ligjore dhe aspak të miklohet nga interesa partiake të cilitdo krah politik. Dikush mund të thotë se Presidenti në këtë nismë është ndikuar nga një kërkesë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës! Kjo është e vërtetë. Por si është e mundur që në Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës gjen një formulim të tillë?! Cili vend anëtar i Bashkimit Evropian do të pranonte një rekomandim të tillë? Italia, Greqia, Spanja, Rumania apo Sllovenia, nuk mund ta imagjinojnë dhe të pranojnë një kërkesë të tillë! Kjo është shumë ofenduese. Një formulim i tillë mund të pranohet vetëm për vende afrikane!Sa larg jemi qoftë edhe nga kultura politike e Sokratit, Platonit e Aristotelit, që kanë jetuar para erës sonë, kohë e cila nuk mund të krahasohet me të sotmen, për sa i përket traditës dhe kulturës politike. Kjo situatë buron nga fakti se nga ana e politikanëve shqiptarë, politika nuk kuptohet e pranohet si art i qeverisjes, si art i kompromisit e konsensusit dhe si finalizim i parimeve të shtetit të së drejtës. Politikanët e sotëm shqiptarë nuk dëshirojnë një shtet, ku pushtetet të funksionojnë në mënyrë të pavarur e të balancuar, sipas dispozitave të Kushtetutës së vendit. Tashmë është më se e qartë se politikanët shqiptarë kanë bërë të tyre sjelljet politike të trajtuara nga Makiaveli, si veprime dinake e mashtruese, që pas “shërbimit ndaj publikut” fshehin dhe maskojnë ambiciet për pushtet personal dhe interesa për llogari të grupeve lobiste. Mendoj se me këto veprime dhe sjellje politike kemi të drejtë të formulojmë se edhe pas 20 vitesh pluralizëm demokratik, politika shqiptare lëviz në trajtat e segmentit, prej “foshnjërisë politike” deri në “adoleshencën politike”. Pra, ajo është larg standardeve të politikës Evropiane, të kësaj bashkësie politike ku duam të integrohemi! Këtë problem e trajton dhe Qosja (dhe kam gjithmonë kënaqësi që ta artikuloj), kur përmend se politikanët: “me dëshirë i përkasin sistemit që ndërtojmë, kurse me veprime dhe sjellje i përkasin sistemit që lamë pas”. Ky mentalitet i vjetër, anakronik dhe neveritës është bërë sundues te përfaqësuesit e “politikës së re” dhe mjaft evident kur kërkesat “justifikohen” me shkelje juridike dhe kërkohen zgjidhje politike! Një zgjidhje e tillë kërkohet edhe në tryezën e Presidentit, prandaj sipas meje nga kjo tryezë nuk mund të ketë një zgjidhje, por thjesht një rrugëdalje për formuluesit e kësaj politike absurde. Nuk ngurroj ta them, se dhe rekomandimi që dhanë reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, është i “porositur” vetëm për të justifikuar dështimin politik të “politikës së re”. Kjo, sipas Andrew Heywood, nuk është politikë, por Anti-politikë, një: “zhgënjim me procese politike formale, që reflektohet me mospjesëmarrje, mbështetje të partive kundër sistemit, apo përdorimin e veprimit të drejtpërdrejt„. Në këtë përfundim vjen menjëherë sa shikon e dëgjon deklaratat e të dy krahëve politike, këto ditë para tryezës së pranuar. “Partia Socialiste” e Edi Ramës (pasi forumet e kësaj partie, sot janë formale) transporton nga një qytet në tjetrin stola, tavolina e fasada, të zbukuruara me gazetarë, për të kërcënuar se: “po nuk u realizua hapja e kutive, vjen furia e protestave„! Partia Demokratike në prag të tryezës, i kujton Presidentit, të “bindë” Edi Ramën që të lejojë deputetët të futen në Parlament! Nga kjo situatë absurde janë vënë në lëvizje edhe trupi diplomatik. Ata shkojnë nga selitë e partive, te Presidenti i Republikës. Por jo të gjithë bashkë. Evropianët më vete, ambasadori Amerikan më vete! Kur ambasadori Amerikan takon Ramën, Evropianët takojnë Berishën! Komedi e madhe! Fatkeqësi për demokracinë shqiptare! Me siguri, Kadareja do ta përshkruante artistikisht në mënyrën e tij, se si benzat e zinj, duke respektuar me përpikmëri orarin protokollar, shkëmbeheshin te porta e jashtme e Presidencës..!Edi Rama erdhi në Partinë Socialiste me premtime të mëdha! Ai premtonte se do t’i jepte fund sherrnajës politike të prodhuar nga Nano-Berisha! Tani piktorët e rrugës po e portretizojnë atë si sherrxhiun më të madh e të paparë të politikës shqiptare. Portreti i tij politik po ndryshon si lëkura e kameleonit. Hyri në skenë si përfaqësuesi i “politikës së re” dhe “misionar” i demokracisë, me filozofinë e tij politike, tej së majtës e së djathtës! Sot po tregon fytyrën reale politike, atë të një Makiavelisti, që me “forcën e rrugës” dhe “frontin e bashkuar të së majtës e së djathtës” do të krijojë një sistem të ri, duke joshur të varfërit, për t’u shërbyer grupit të bosëve! Në këtë stad zhvillimi është sot demokracia shqiptare, dhe pse ka pasur 20 vjet kohë për t’u formuar. Ky është produkti politik i prodhuar pas ndryshimeve kushtetuese „brenda ditës”, për institucionet më të rëndësishme të shtetit, me nismën e vetë Ramës. Interesant është fakti, që shumë analistë të këtyre proceseve, janë të shqetësuar se, nëse Rama hyn në Parlament (nënkupto deputetët), ai del nga skena politike! Prandaj e inkurajojnë atë, që të vazhdojë bojkotin! Ata nuk merakosen se me këtë sjellje politike të pazakontë, del nga skena politike Partia Socialiste. Gjithashtu “fronti i ri” që po përgatitet, ku asnjë nga drejtuesit e tyre, me Ramën në krye nuk është deputet, kërkojnë që deputetët e Partisë Socialiste të mos futen në Parlament. Sepse në këtë mënyrë u jepet shansi “anëtarëve të frontit” të bëhen deputetë, përmes krijimit të krizës institucionale! Kjo është politika shqiptare dhe këta janë politikanët shqiptarë! Në përfundim, ç’pritet të ndodhë pas tryezës të së shtunës? Versioni më i mundshëm është ai i “zhurmuesit”, por jo si ai i emisionit të Lacos në “TV Klan”! Duket se pas tryezës së ditës së shtunë, maxhoranca do të vazhdojë qeverisjen, ndërsa opozita do të përgatisë paketën e ndryshimeve zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme!Drejtuesit e PS kanë rastin të krenohen për “suksesin” politik të radhës!