E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat e Lul Berishës e deputetit, nis gjyqi

 TIRANE – Gjykata e Lartë nis gjyqin për pronat e Lulzim Berishës, familjarëve të tij dhe deputeti socialist Hazir Gashi. Procesi, kundër organit qendror të akuzës dhe dy vendimeve të mëparshme gjyqësore të Faktit dhe Apelit të Krimeve të Rënda, është çelur pasditen e së mërkurës kur kërkuesit kanë paraqitur pretendimet e tyre para kolegjit penal të Shkallës së Tretë. Berisha, i akuzuar si kreu i bandës së Durrësit, e ka dërguar në Gjykatën e Lartë kërkesën për heqjen e sekuestros preventive të Prokurorisë nga pronat e tij, betejë ligjore të cilën e ka humbur në dy shkallët e para. Krimet e Rënda vendosën pak muaj më parë pranimin e kërkesës së Prokurorisë për sekuestrimin e pronave të Lulzim Berishës, ndërsa Apeli, e zgjeroi më tepër vendimin e tij, duke vendosur nën sekuestro edhe pronat e familjarëve të tij Valbona dhe Luljeta Berisha. Në këtë mënyrë u prek edhe deputeti socialist Hazir Gashi, firma e ndërtimit të të cilit ka ndërtuar një pallat kundrejt 25 përqindëshit në pronën e motrës së Berishës. Kjo pronë, përbëhet nga trualli me sipërfaqe 3500 metër katrorë në emër të motrës së Lul Berishës, e cila sipas kontratës me ndërtuesin Gashi do të përfitojë 25 për qind të ndërtimit, ose e llogaritur ndryshe 33 apartamente, 23 garazhe automjetesh, si dhe 600 metër katrorë dyqane. Në shkallë të parë prokuroria arriti të vinte nën sekuestro një truall me sipërfaqe 1900 metër katrorë në territorin e ish-Ndërmarrjes Bujqësore Frutore të Durrësit. Më pas u sekuestrua edhe një fuoristradë “BMW X5”.                                       fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›