Taullai dëshmitar, s‘pranoi të bëhej anëtar i Bandës së Lushnjës
TIRANE – Mungesa e dy prej avokatëve mbrojtës dështoi dje zhvillimin e seancës gjyqësore në ngarkim të të akuzuarve të “bandës së Lushnjës” në Gjykatën për Krimet e Rënda. Dështimi i seancës, dështoi edhe pyetjen e tre dëshmitarëve të paraqitur në gjykatë, një prej të cilëve Sajmir Taullai. Referuar dëshmive të mëparshme në proces, familja e dëshmitarit ka qenë ndër më të “sulmuarat” nga anëtarët e “bandës”. Kjo për shkak se dëshmitari kishte refuzuar “bashkëpunimin” me Aldo Baren, të akuzuarin si kreu i “bandës së Lushnjës”. Dëshmitari Taullai është vëllai i Baki Taullait, për vrasjen e të cilit në vitin 2005 akuzohen anëtarët e “bandës së Lushnjës”. Emri i dëshmitarit është përmendur gjatë dëshmisë para gjykatës së dy vëllezërve të tij të tjerë në proces, Albert dhe Fatmir Taullai. Gjatë dëshmisë së tij në dhjetor të vitit 2009, Fatmir Taullai është shprehur para gjykatës se konflikti mes familjes së tyre dhe Aldo Bares kishte nisur pas refuzimit të vëllait të tyre Sajmirit. “Alfred Shkurti kishte biseduar me Saimirin në fillim dhe i kishte thënë: hajde dhe bashkohu me ne, bëhu krahu jonë. Vëllai i kishte thënë ‘nuk dua të ngatërrohem me ju. Nuk kam punë që të vij me ju, pavarësisht se kemi pesë pare muhabet bashkë”, është shprehur para gjykatës Albert Taullai. Fakti në fjalë është konfirmuar edhe në dëshminë e vëllait tjetër, një seancë më parë, kur tha se “Sajmiri ishte konfliktuar me djemtë e ‘bandës’ në Itali. Dje, e gjendur në kushtet kur kishte mungesa në radhët e avokatëve që mbronin të pandehur në mungesë, gjykata vlerësoi ndërprerjen e seancës. Gjithashtu gjykata pranoi kërkesën e përfaqësuesve të akuzës, për pezullimin e afateve të paraburgimit për të gjithë të pandehurit. ar.ba