Bosch te Topi për tryezën:Gati që të japim asistencë
Në prag të tryezës së të shtunës, Presidenti Bamir Topi vijon takimet me faktorin ndërkombëtar në vend. Mesditën e djeshme, kreu i shtetit priti në zyrën e tij Shefin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadorin Robert Bosch. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Presidencës bëhet e ditur se takimi ishte pikërisht në kuadër të bisedimeve që do të fillojnë më 13 shkurt mes kreut të maxhorancës, Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. “Kreu i shtetit shqiptar, pasi e falënderoi Ambasadorin Bosh për deklaratën e djeshme mbështetëse ndaj rolit dhe tryezës politike të thirrur nga Presidenti, vlerësoi si shumë të frytshëm e të vlefshëm rolin dhe asistencën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për konsolidimin e institucioneve demokratike, forcimin e shtetit të së drejtës, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin për shtyp. Në të njëjtën kohë bëhet e ditur e Ambasadori Bosch shprehu edhe njëherë vlerësimin për rolin e Presidentit Topi, duke e siguruar njëkohësisht atë për të gjithë gatishmërinë e OSBE-së për të ofruar përvojën dhe asistencën e saj në rifunksionimin e suksesshëm të demokracisë parlamentare shqiptare.