Karzai bisedë telefonike me Hillari Klinton
Presidenti i Afganistanit Hamid Karzai ka përshëndetur rolin e OKB-së dhe të ndërkombëtarëve në vendin e tij përgjatë 9 viteve, që kur u krye ndërhyrja ushtarake për të larguar pushtetin e talebanëve. Pas deklaratave të ashpra dhe kritikuese ndaj Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar lidhur me rolin e tyre në zgjedhjet e vitit të kaluar, presidenti afgan Hamid Karzai ka ndërruar kursin e tij duke shprehur mirënjohjen për rolin dhe ndihmën e ndërkombëtarëve në Afganistan.
"Populli dhe qeveria afgane u janë mirënjohës për mbështetjen dhe sakrificën e komunitetit ndërkombëtar në shërbim të paqes në Afganistan dhe në gjithë globin", deklaroi Karzai gjatë një telefonate që ka patur me sekretaren e Shtetit Hillari Klinton.
Karzai kritikoi pak ditë më parë OKB-në si nxitëse e manipulimeve në masë në zgjedhjet e vitit të shkuar. Qëndrimi i Karzait u kritikua shumë ashpër nga opozita afgane, e cila u shpreh e indinjuar nga fjalët e presidentit të vendit.