E Diel, 1 Nëntor 2026

Kasaphana, 6 të therur me thika për bagëtitë që kaluan në kullotë



GJIROKASTËR – Viti 2011 ka nisur me rritje të frikshme të krimeve dhe me nerva të dobëta për shqiptarët. Një gjë e tillë është parë edhe dje, ku vetëm për shkak se kanë kaluar disa bagëti në pronat e një familjeje janë plagosur me thika gjashtë veta. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Subash të Gjirokastrës, ku është bërë një kasaphanë e vërtetë mes familjeve Sina dhe Lluka. “Sherri ka degjeneruar në grushte dhe më pas janë përdorur gurë, shkopinj dhe thika, ku si pasojë e kësaj përleshjeje kanë mbetur të plagosur të gjithë pjesëtarët në sherr dhe konkretisht; Bexhet Lluka së bashku me djalin, si dhe Zaim Sina së bashku me djemtë”, - thonë burimet policore. Ndërhyrja e forcave të policisë ka bërë të ndalohet një tragjedi e tillë. E gjithë kjo ngjarje i ka kushtuar karrierën efektivit të policisë, i cili, sipas burimeve zyrtare, është përfshirë në këtë konflikt. Zëdhënësi Gentian Mullai thotë se polici është pezulluar nga detyra dhe SHKB-ja ka nisur procedurat hetimore.

Ngjarja
Zaim Zina dhe tre djemtë e tij kanë marrë bagëtitë e tyre nga Tepelena dhe po i dërgonin në malet e Gjirokastrës. Rreth orës 8:55 të ditës së premte ata kanë qenë në fshatin Subash, në pronat e familjes Lluka. Por, pikërisht në momentin që katër anëtarët e familjes Sina po kalonin bagëtitë në kullotat e kësaj familjeje, ka nisur sherri. Bexhet Lluka dhe djali 23-vjeçar, Endri, kanë debatuar me çobanët me origjinë nga Tepelena. Por nuk ka pasur zgjidhje mes tyre. Tensionet janë rritur dhe menjëherë ka nisur lufta. Në përplasjen mes pjesëtarëve të dy familjeve janë përdorur fillimisht mjete rrethanore, si gurë, shkopinj etj., por më pas ata janë përleshur fizikisht me thika. Në përfundim të betejës kanë mbetur të plagosur. Të gjithë janë dërguar në Spitalin rajonal të Gjirokastrës. Burimet spitalore thonë se të lënduarit kanë hematoma për shkak të goditjeve me dru dhe gurë. Dy prej të plagosurve janë në gjendje më të rëndë, por që të gjithë ndodhen nën kujdesin mjekësor, jashtë rrezikut për jetën.

Hetimi
Një telefonatë që ka mbërritur në polici teksa po bëhej sherri në Subash, ka bërë që në drejtim të vendit të ngjarjes të mbërrinin me dhjetëra forca policore. Prania e tyre ka ndërprerë luftën mes dy familjeve, duke shmangur një tragjedi të vërtetë.
Zëdhënësi i Policisë së qarkut, Gentian Mullai, thotë se të gjithë personat janë shoqëruar në Spitalin rajonal të Gjirokastrës, ku pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore të gjithë këta shtetas janë jashtë rrezikut për jetën dhe po mbahen në mbikëqyrje nga ana e policisë”. Sipas tij, meqenëse në këtë konflikt është përfshirë një punonjës policie, të gjitha veprimet procedurale dhe ligjore po drejtohen nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Gjithashtu, edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër ka nisur hetimet për të parë implikimin e punonjësit të policisë në këtë ngjarje. “Veprimet hetimore dhe procedurale vazhdojnë, ku grupi hetimor ka bërë fiksimin e të gjitha provave ligjore e dëshmive në vendngjarje dhe po punohet për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje”, - thonë burimet policore.
Një konflikt i tillë ndodhi dy ditë më parë në Tiranë, ku Feim Leka mbeti i vdekur pasi u qëllua me thikë nga miku i tij, Isuf Sinani. Dy të moshuarit ruanin bagëtitë në një tokë të marrë me qira dhe kjo ka shërbyer si shkas për t’u zënë pleqtë dhe, për pasojë, ka mbetur i vdekur 75-vjeçari Feim Leka.

TË PLAGOSURIT
Zaim Sina, 61 vjeç
Altin Sina, 34 vjeç
Bledar Sina, 29 vjeç
Besian Sina, 24 vjeç
Bexhet Lluka, 48 vjeç
Endri Lluka, 23 vjeç

Kushërinjtë grinden për pronën, mbeten të plagosur

ELBASAN – Dy kushërinjtë janë grindur me njëri-tjetrin për pronën dhe për pasojë kanë mbetur të lënduar që të dy. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi dy ditë më parë, në fshatin Grykesh të komunës Pajovë, në rrethin e Peqinit.
“Shtetasit Dashamir Sinani, 48 vjeç, banues në fshatin Grykësh, si dhe shtetasi Fetah Sinani, 65 vjeç, banues në të njëjtin fshat, gjatë një konflikti për motive pronësie kanë goditur me sende të forta njëri-tjetrin, duke shkaktuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit”, - tha dje zëdhënësja e Policisë së Qarkut të Elbasanit, Valbona Begu. Sipas saj, “materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprën penale të plagosjes”.

Flaka në kuzhinë shkrumbon apartamentin

TIRANË - Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një banesë në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur në një apartament në zonën e njohur si Fresku. E zonja e shtëpisë ka konstatuar flakë në kuzhinë rreth orës 13:00 të ditës së djeshme dhe menjëherë ka marrë fëmijët e saj të vegjël duke dalë nga banesa. Më pas ajo ka njoftuar repartin zjarrfikës. Pas disa minutash në vendngjarje ka mbërritur një skuadër me mjetet e duhura për shuarjen e flakëve. Fillimisht është bërë i mundur evakuimi i banorëve të izoluar nga flakët dhe më pas është arritur lokalizimi i flakëve dhe shuarja e plotë e zjarrit që ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit ndërsa dyshimet e para flasin për një zjarr të shkaktuar si pasojë e një shkëndije elektrike në kondicionerin e kësaj banese.

Zihet me gruan në traget, hidhet në det

DURRËS – Një sherr në tragetin e linjës Durrës – Bari mes një çifti ka përfunduar me zhdukjen në det të 30-vjeçarit Eduart Teodori. Ngjarja ndodhi teksa trageti ndodhej shumë pranë brigjeve italiane. Autoritetet shqiptare dhe italiane janë vënë në kërkim të trupit të 30-vjeçarit Teodori. Burimet zyrtare thanë se pas hedhjes në mënyrë të qëllimshme nga trageti në ujërat pulieze, Roja Bregdetare italiane dhe autoritetet shqiptare kanë nisur një operacion kërkim-shpëtimi për gjetjen e 30-vjeçarit, për të cilin deri në orët e vona të mbrëmjes nuk ka pasur asnjë rezultat. 30-vjeçari udhëtonte me të fejuarën e tij me të cilën ka pasur mosmarrëveshje, që mendohet se kanë çuar në ngjarjen e rëndë. Pesë mjete lundruese dhe një helikopter po bëjnë kërkime në brigjet italiane për gjetjen e 30-vjeçarit.

8 Janar 2011

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›